×
  • Lajme
  • Lajme

    KMDLNj: Të hiqen mëditjet për deputetët që nuk qëndrojnë në seanca

    Insajderi
    19 May 2016 - 13:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një ditë pasi Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kritikoi deputëtët të cilët nuk qëndrojnë në sallë gjatë seancave por vetëm vijnë të nënshkruhet për mëditje, ka reaguar edhe Këshilli për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut

    KMDLNj ka kërkuar që të ndëshkohen deputetët të cilët nuk janë të përgjegjshëm në punën e tyre.

    KMDLNj konsideron se të zgjedhurit e popullit e kanë shndërruar në një arenë gladiatorësh , penguesish të punës dhe përfituesish material që , përveç se nuk e kryejnë detyrën e tyre , në mënyrë të papërgjegjshme shpërdorojnë taksat e votuesve të tyre duke mos i arsyetuar mëditjet por edhe pagën e deputetit me asgjë të dobishme.

    “Jemi dëshmitarë që shumë seanca ndërpriten para përfundimit të tyre ose nuk fillojnë fare pikërisht shkaku i mungesës së deputetëve apo shkaku i mashtrimit të tyre jonormal , nënshkruhen në fillim sa për të hyrë në listën e përfituesve të mëditjeve e pastaj shkojnë në vendin e rregullt të tyre të punës , kafiteritë dhe restorantet e qytetit”, thuhet në një komunikatë të KMDLNJ.

    Sipas KMDLNj është koha e fundit që kryetari i Kuvendit me Kryesinë të shohin mundësinë që përmes ndryshimit të Rregullores së Punës të ve ndoset një rregull dhe të vendoset një disiplinë e punës me ç’rast deputetët që i bojkotojnë seancat e Kuvendit , ata që kanë sjellje në shpërputhje me mandatin e deputetit të sanksionohen duke ua pamundësuar marrjen e mëditjeve por edhe pagën e deputetëve nëse këto nuk i arsyetojnë me praninë e tyre në seancë dhe angazhim konkret për çka edhe kanë marrë votën.

    “Lista e të nënshkruarve duhet të kontrollohet dhe në rast të nënshkrimit vetëm sa për mëditje dhe largim nga salla e Kuvendit pa e arsyetuar largimin , nënshkrimet duhet të konsiderohen si të pavlefshme dhe ata deputetë duhet të sanksionohen duke ua hequr mëditjet dhe privilegjet e tjera”.

    KMDLNj po ashtu mendon se këtyre deputetëve nuk duhet t’u ipet mundësia të realizojnë vizitë jashtë vendit , në emër të angazhimeve kuvendore sikur as përdorimi i veturave zyrtare për nevoja private , familjare dhe turistike , pavarësisht vendit që e kanë në hierarki

    KMDLNj konstaton që puna e Kuvendit të Kosovës nuk i arsyeton mjetet që shpenzohen dhe se Kuvendi nuk mund të shërbejë vetëm për përmbushjen e agjendave ndërkombëtare , pranimit të personaliteteve ndërkombëtare por detyrimi parësorë është miratimi i ligjeve dhe zgjedhja e bartësve të posteve e që janë në kompetencë të Kuvendit të Kosovës që nënkupton se përfaqësimi dhe mbrojtja e interesit të qytetarit duhet të jetë përcaktimi dhe përkushtimi kryesor i deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    KMDLNj mendon se prania e opozitës në Kuvend është e domosdoshme për funksionimin e demokracisë dhe mbarëvajtjen e punës në Kuvend dhe nëse edhe më tutje kemi situata kur mungon kuorumi atëherë vihet në pikëpyetje puna e Kuvendit dhe ai duhet të shpërbëhet.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark