×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    KMDLNJ: Vendosja e kamerave në Prishtinë është në kundërshtim me të drejtat e njeriut

    Insajderi
    12 January 2024 - 12:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka thënë se vendosja e kamerave në Prishtinë është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut.

    Në komunikatë thuhet se vendosja e kamerave të sigurisë e sidomos këto me inteligjencë artificiale është e ndaluar në shumë vende, sepse sipas tyre, mund të keqpërdorem të dhënat biometrike që i përpunojnë këto kamera.

    “Përshkrimi dhe shpjegimi arsyetojnë vendosjen e kamerave sikur ato të mos shkelnin në mënyrë flagrante të drejtën për privatësi, si e drejtë elementare e njeriut. KMDLNj e rikujton publikun se pikërisht kjo organizatë ka propozuar të vendosen kamerat në perimetrin e kontejnerëve për mbeturina për të identifikuar qytetarët e papërgjegjshëm që hudhin mbeturina jashtë kontejnerëve”.

    “Vendosja e kamerave të sigurisë e sidomos këto me inteligjencë artificiale është e ndaluar në shumë vende shkaku i mundësisë së keqpërdorimit të të dhënave biometrike që i përpunojnë këto kamera. Pastaj, sipas legjislacionit në fuqi, vëzhgimi me anë të kamerave edhe për rastet më të rënda kriminale nuk mund të bëhet pa lejen e organeve ligjzbatuese dhe se ajo trajtohet si rast e jo si tërësi. Në rastin e vendosjes së kamerave në kryeqytet po mendohet që vëzhgimi të jetë i përhershëm, 24 orë dhe këtu do të përfshihen të gjithë qytetarët që janë brenda perimetrit që mbulohen nga kamerat pavarësisht nëse janë të dyshuar apo jo”, thuhet tutje në komunikatë.

    Më tutje KMDLNJ ka thënë se kundërshton fuqishëm vendosjen e kamerave me inteligjencë të fuqishme artificiale.

    Kamerat për vëzhgim, sipas KMDLNj-së mund të vendosen vetëm në hapësira ku ekziston dyshimi i bazuar për vepra penale dhe me leje të organeve ligjzbatuese apo në hapësira ku pritshmëritë për shkelje të privatësisë janë të vogla.

    “Sipas ligjeve në fuqi, vetura llogaritet si shtëpi e dytë dhe për vëzhgimin e saj duhet leje e veçantë e organeve ligjzbatuese ndërsa kamerat vëzhgojnë pa asnjë leje duke shkelur rëndë privatësinë e mbrojtur me ligj. Se ky vëzhgim do të realizohet vetëm nga Policia e Kosovës nuk paraqet asnjë siguri për ruajtje të privatësisë dhe respektim të drejtave të njeriut për faktin se asnjë bastisje apo arrestim të personave që konsiderohen si persona publikë, pavarësisht kohës dhe kushteve nuk bëhet pa praninë e mediave që nënkupton se informatat rrjedhin nga Policia”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark