Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 13 ankesa, që lidhen me pretendimet për shkelje të kapitujve të ndryshëm të Kodit të Mediave të Shkruara – përfshirë raportimin e së vërtetës, të drejtën për t’u përgjigjur dhe privatësinë.
Sipas vendimeve të marra, një ankesë është miratuar plotësisht, një pjesërisht, tetë janë refuzuar, dy janë shpallur të patrajtueshme, ndërsa një është konsideruar e paafatshme.
Ankesat e miratuara
KMShK ka miratuar ankesën e Mehdi Sejdiut kundër Paparaci.com lidhur me shkrimin “Edhe UÇK-ja ishte organizatë terroriste”, duke konstatuar shkelje të Kapitullit II (Raportimi i së vërtetës) dhe Kapitullit IV (E drejta për t’u përgjigjur).
Po ashtu, është miratuar pjesërisht ankesa e Termokos Sh.A. kundër Gazetakosova.net për shkrimin mbi gjendjen financiare të ndërmarrjes, ku KMShK ka gjetur shkelje të Kapitullit II, por jo të Kapitullit IV, siç pretendonte pala ankuese.
Ankesat e refuzuara
Një numër i konsiderueshëm ankesash janë hedhur poshtë, përfshirë:
Ankesën e Blinera Osmanit kundër Nacionale.com, Reporteri.net dhe Periskopi.com për shkrimet mbi licencimin e saj si avokate, me arsyetimin se nuk janë shkelur kapitujt që lidhen me të vërtetën dhe privatësinë.
Ankesën e Rilind Gërvallës kundër Reporteri.net për një shkrim që trajtonte raportet e tij në RTK.
Disa ankesa të Lëvizjes Vetëvendosje kundër Paparaci.com, Nacionale.com, Periskopi.com, Jepize.com dhe Reporteri.net, të gjitha lidhur me raportimet për programin satirik “Logjikonomia”. Në të gjitha rastet, KMShK konstatoi se nuk ka shkelje të Kapitullit II.
Po ashtu, është refuzuar ankesa e Blendina Hoxhës kundër Klankosova.tv lidhur me raportimin për një rast të dyshuar dhunimi në Angli, me arsyetimin se nuk ka pasur shkelje të kapitujve për raportimin e së vërtetës dhe privatësinë.
Ankesat e patrajtueshme dhe e paafatshme
Dy ankesa janë shpallur të patrajtueshme:
Ankesa e Betim Lushtakut, pasi videoja për të cilën ankohej ishte publikuar vetëm në rrjete sociale, ku KMShK nuk ka kompetencë.
Ankesa e Bergita Currit kundër Insajderi.org, pasi media kishte bërë korrigjimet e nevojshme, ndërsa KMShK nuk ka mandat të urdhërojë publikimin e një shkrimi të ri.
Ndërkohë, ankesa e Edison Tahirajt kundër Sinjali.com është konsideruar e paafatshme, pasi shkrimi daton nga viti 2022. KMShK ka udhëzuar palën që të kontaktojë median ose t’i drejtohet gjykatës për çështjen e heqjes së emrit.