×
  • Lajme
  • Insajderi

    Koalicioni me PDK në Prizren ndan Nismën në dysh – anëtarja e kryesisë del kundër, flasin nga partia e Limajt

    Insajderi
    09 November 2021 - 15:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nisma Socialdemokrate është ndarë në dysh në Komunën e Prizrenit. Përderisa partia dhe kryetari i degës, Zafir Berisha ka përkrahur kandidatin e PDK-së, Shaqir Totajn, anëtarja e kryesisë, Albulena Balaj-Halimi po e përkrahë kandidatin e Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka.

    Lidhur me këto zhvillime Gazeta Insajderi, ka tentuar të marrë një përgjigje nga kryetari i Nismës në Prizren, Zafir Berisha, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

    Në anën tjetër për Insajderin ka folur sekretari për Marrëdhënie me Publike i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala.

    Shala është shprehur se si Nismë mund të komentojnë vetëm marrëveshjen e arritur nga partia derisa ka refuzuar të jap ndonjë koment për veprimet e anëtares së kryesisë, Balaj-Halimaj.

    Endrit Shala – Sekretar i Nismës Socialdemokrate

    “Çdo deklaratë tjetër të kujtdo nuk mundem me komentu. Unë mundem me komentu veç marrëveshjen që e ka bërë dega. Marrëveshja ka qenë publike. Ne si Nismë jo që e përkrahim por kemi qenë në dijeni, dhe jemi për veprimet për të cilat i ka marrë dega pra zotëri Zafir Berisha”, ka thënë Shala për Insajderin.

    Një javë pas marrëveshjes, Balaj-Halimaj për herë të parë ka reaguar përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook. Ajo thotë që për herë të parë ka dalë kundër partisë.

    Sipas anëtares së kryesisë së Nismës koalicione të tilla e kanë dëmtuar Nismën, në rastin konkret ky që është arritur në Prizren. Marrëveshjen e arritur e cilëson si marrëveshje të disa individëve

    Albulena Balaj-Halimaj, anëtare e Nismës Socialdemokrate

    “Asnjëherë deri më tani nuk i kam dalur kundër qëndrimeve të partisë sime kur ato janë marrë gjatë proceseve demokratike brenda organeve të saj, ani pse ka patur raste kur nuk jam pajtuar por gjithmonë kam respektuar vendimin e shumicës, por për dallim nga atëherë dhe pas shumë diskutimeve me familjarë e mbështetës tani nuk e mbështes “vendimin” e disa individëve brenda degës në Prizren për krijimin e PAN-it duke ditur se këto koalicione vetëm kanë dëmtuar partinë tonë dhe jo vetëm kaq…”, ka shkruar ajo përcjell Insajderi.

    Balaj-Halimaj tregon se do ta përkrahë Haskukën e Vetëvendosjes.

    “…Prandaj kështu e këtu ku jam, mbështetjen time, të familjes time dhe të miqëve të mi, në balotazh për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet e 14 nëntorit do ta merr Mytaher Haskuka, ani pse me disa politika të tij nuk jam pajtuar dhe atë e kam thënë publikisht”, ka shkruar ajo.

    Përkrahjen e anëtares së Nismës Socialdemokrate e ka mirëpritur vet Mytaher Haskuka, i cili nuk hezitoi ta quaj këtë të fundin të guximshme.

    “Prizreni nuk kthehet mbrapa dhe reformat do të vazhdojnë. Gratë në politikë janë të guximshme dhe parimore, Albulena është njëra nga ato”, ka shkruar Haskuka në fotografinë ku shihet me anëtaren e Nismës.

    Me 3 nëntor, Dega e Nismës Socialdemokrate në Prizren përmes një komunikate për media bëri me dije se ka arritur koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

    “NISMA Socialdemokrate – Dega në Prizren, në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të raundit të parë me 17 tetor, si dhe në frymën e përcaktimit për një qeverisje ndryshe në qytetin tonë, ka vendosur që në balotazh me 14 nëntor, të mbështet kandidatin Shaqir Totaj (PDK-në)”, thuhej në njoftim.

    “NISMA në Prizren edhe në të kaluarën i ka shërbyer ndryshimit, ndryshim që për fat të keq para katër viteve ka qenë më shumë deklarativ se përmbajtësor, e për të cilën edhe qytetarët u bindën se qeverisja e keqe e viteve të fundit duhet të gjykohet me votë, për të cilën strukturat tona të degës dhe nëndegëve, si dhe gjithë aktivistët dhe simpatizantët kudo që veprojnë në komunën e Prizrenit, do të kontribojnë për ndryshim që me të drejtë e presin qytetarët e Prizrenit”.

    “Mbështetja për Shaqir Totajn me 14 nëntor, është edhe mbështetje e projekteve tona të prezantuara gjatë fushatës nga kryetari Nismës në Prizren, Zafir Berisha”.

    Me 14 nëntor Shaqir Totaj i PDK-së do të garojë përball kryetarit aktual Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje./Insajderi.org

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark