×
  • Sport
  • Sport

    Koha kur shefi i arrestuar i FFK-së Ademi mburrej se shteti s’mund ta kapë për shkelje në federatë

    Insajderi
    11 April 2023 - 16:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, jo shumë kohë më parë, mburrej se nuk kishte bërë asnjë shkelje apo abuzim brenda federatës, pavarësisht përpjekjeve nga jashtë për ta zënë në gabim.

    Rreth tre muaj më vonë dhe ai po vuan një muaj arrest shtëpiak dhe rrezikon t’i ngrihet aktakuzë për korrupsion në FFK, raporton Nacionale.

    FFK / Vendos Gjykata, Agim Ademit i caktohet masa e arrestit shtëpiak për 30 ditë

    Gjatë një interviste në dhjetor 2022, Ademi ankohej se si kritikat dhe akuzat ndaj tij bëheshin në nivel personal dhe se në futboll ai ishte i përkryer.

    “Gjithçka është folur në personale. Që Agim Ademi është i dënuar, që Agim Ademi është i dhunshëm, që Agim Ademi e bën këtë”, thoshte Ademi në një intervistë për Periskopin.https://zeri.info/inarticle.html

    Ai madje mburrej se ishin bërë përpjekje të mëdha për ta zënë keq atë por pa sukses.

    “Na po flasim këtu për futbollin, gjema një gabim që e kam në futboll. Gjema një abuzim që e kam në futboll. Nëse ato ekzistojnë, atëherë aty mund të më gjykosh. Mua duhet të më kapin për gabimet në federatën e futbollit. Ai që ka mundësi. Jam i gatshëm të dalë përballë kujt të doni, në çdo aspekt. Kanë bërë, mos mendoni që nuk kanë bërë. Kanë bërë edhe taskë forca për të tentuar të gjejnë një gabim, kanë bërë gjithçka”, kishte thënë 61-vjeçari.

    Policia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës janë duke i hetuar Ademin bashkë me disa zyrtarë të tjerë për korrupsion në shtëpinë e futbollit.

    Përveç Ademit, në fund të marsit u morën në pyetje edhe katër zyrtarë të tjerë të FFK-së.

    Ademi dyshohet për dy vepra penale, “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.

    Ky hetim ndaj 61-vjeçarit, i cili vitin e kaluar e fitoi një mandat të dytë katërvjeçar në krye të shtëpisë së futbollit, vjen në një kohë kur FFK-ja po dështon të licencohet në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    Kjo e rrezikon një dështim të pariparueshëm të futbollit në vend, pasi pothuajse tërë klubet e futbollit po i vuajnë pasojat që druhen të jenë afatgjate.

    Derisa FFK-ja nuk është e licencuar, asnjë klub i futbollit në vend nuk mund të përfitojë nga ligji për sponsorizim, i cili është tejet i rëndësishëm për mirëqenien financiare të tyre.

    Që nga dhjetori klubet nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky ligj, i cili i liron investitorët e klubit të përfitojnë nga zbritja prej 30% nga tatimi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark