Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, nën drejtimin e presidentit Ismet Krasniqi, mbajti mbledhjen e 12-të të tij, në të cilën shqyrtoi pika të ndryshme të rendit të ditës.
Në këtë takim KOK-u mori vendi që të mbulojë shpenzimet e operimit të kampiones olimpike, Nora Gjakova. Gjatë këtij takimi u vendos që edhe xhudistja Flaka Loxha të dërgohet për rekomandim për shpërblim në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, pas suksesit në Kampionatin Evropian U-23.
Më poshtë gjeni njoftimin e KOK-ut:
Pikat e shqyrtuara:
– Me ftesë të Bordit Ekzekutiv, i pranishëm në lidhje me pikën për vendimin e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv (KAS) ndaj Federatës së Notit të Kosovës (FNK), ishte kryetari i FNK-së, Astrit Haliti, i cili diskutoi me Bordin për moszbatimin e deritashëm të vendimit të KAS-it. Bordi vendosi që t’i drejtohet me një letër FNK-së, për të kërkuar zbatimin sa më parë të këtij vendimi.
– U diskutua për mundësitë e ndryshme të udhëtimit të ekipit tonë për në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, të cilat prej 25 qershor deri më 6 korrik 2022 mbahen në Oran të Algjerisë.
– Bordi u njoftua për fillimin e procedurave për hartimin e planit strategjik të KOK-ut për periudhën 2022 – 2025.
– U vendos që komisionet përkatëse të nisin përgatitjet për Ditën dhe Javën Olimpike 2022, si dhe Ditën Ndërkombëtare të Sportit dhe Ambientit 2022.
– U vendos që kampionja olimpike, xhudistja Nora Gjakova, të mbështetet me 3000 Euro për mbulimin e shpenzimeve të operimit.
– U vendos që xhudistja Flaka Loxha të dërgohet për rekomandim për shpërblim në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, pas suksesit në Kampionatin Evropian U-23. /insajderi.org/