×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    “Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”- Ibrahim Rugova

    Insajderi
    17 February 2024 - 19:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Prof. ass. dr. Valdet Hysenaj

    Në ditët e shënuara në historinë e shtetit të Kosovës, duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse, duke u mbështetur në luftërat çlirimtare për liri e pavarësi në rrethana paqeje e lufte, kujtojmë sot me pietet

    Ibrahim Rugovën, pikënisjen dhe themelvënësin e shtetit të Kosovës, burrështetasin, ikonën, arkitektin, kryetarin, intelektualin, shkrimtarin, politikanin, akademikun … të papërsëdytshmin dr. Ibrahim Rugova

    Lindi më 2 dhjetor 1944, në fshatin Cerrcë të komunës së Istogut, në familjen e Sadri Elezit nga Malajt e Rugovës, të njohur për tradita kombëtare, për besë e burrëri, qëndresë dhe luftëra të pareshtura në mbrojtje të trojeve stërgjyshore, kundër pushtuesve serbomalazez, në kufi, pra, vjen nga një tokë ku për shekuj,  njerëzit janë takuar e ritakuar në përpjekjen për të dëshmuar identitetin e tyre, për të rilindur pas çdo rrëzimi, për të gjetur në çdo gjë kahjen drejt dashurisë për atdheun dhe kthimin e ngjyrave gri të realitetit në shpresa për të ardhmen, nga Rugova e legjendave, e miteve, e luftërave, e besës dhe e burrërisë, e historisë, traditës, kulturës, bukës dhe kripës… ishte një nga të paktët njerëz që shënoi fundshekullin 20 dhe fillimin e shek. 21 me përkushtimin e tij për një botë më të mirë dhe dha një kontribut të paçmuar dhe të pamatur në krijimin e një realiteti të tillë, sidomos për popullin e Kosovës, si gurthemel i shtetit Kosovë.

    U rrit në  periudhën kur shqiptarët  e  Kosovës  persekutoheshin nga  censura sllave dhe mungesa e lirisë,  atëherë, kur bota nuk vërente dramacitetin e izolimit shpirtëror, psikologjik e territorial në trojet shqiptare, u rrit në kohën kur pushtuesit e rinj, komunistët jugosllavë ia arrestojnë babanë, Ukën (27-vjeçar), dhe gjyshin, Rrustën (67-vjeçar), rreth 10 janarit 1945 dhe i ekzekutojnë pa gjyq, mu sikur edhe mbi 70 shqiptarë të kësaj ane, në kohën kur nuk ua dinin varret, madje nuk i gjetën kurrë.

    Jeta e tij u përshkua me vuajtje e peripeci, të cilat i ktheu në veprime force në çdo rrethanë e sfidë, i ktheu në shenja qetësie e pjekurie, që për gjeneratat e reja duhet të  kuptohen si udhërrëfyes frymëzimi.

    Politika shqiptare duhej të udhëhiqej nga parimi për liri dhe pavarësi

    U rrit dhe u edukua kombëtarisht, me atdhedashurinë dhe etjen për dije, për shkollë. Rininë e hershme e kalon në bashkësi familjare mes xhaxhallarëve Shabanit dhe Aliut, nënës Sofë, nënës së babait, gjyshes Shake dhe gjyshes Razë, nga dajat.
    Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, shkollimin e mesëm në Pejë, më 1967, Shkollën Normale, ndërsa më 1971, diplomoi në Fakultetin Filozofik – Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

    Që nga kjo kohë, në veprimtarinë e tij intelektuale gjithnjë udhëhiqej nga parimi që politika shqiptare duhej të udhëhiqej nga parimi për liri dhe pavarësi, kurse shkenca shqiptare duhej t’i shërbente përparimit të kulturës kombëtare dhe qytetërimit të vendit.

    Përveç literaturës në gjuhën shqipe, që ishte e pakët, në serbisht e frëngjisht lexon veprat e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë si Balzakun, Servantesin, Lorkën, Shekspirin, Bajronin, Shelin, Tolstoin, Dostojevskin, Pushkinin, Jeseninin. Disa poezi të këtij të fundit më vonë do t’i përkthejë me përkushtim nga origjinali në shqip.

    Personalitet me virtyte kombëtare unikate
    Krahas dijeve gjithëpërfshirëse shkollimi akademik dhe edukimi familjar  i dhanë ndër të tjera edhe virtyte kombëtare unikate, virtyte karakteristike të popullit tonë, si: besa, burrëria, mikpritja, humaniteti, rezistenca ndaj asimilimit, sinqeriteti ndaj mikut, atdhetarizmi, lufta për kulturë, gjuhë e flamur etj., njëkohësisht duke i luftuar  kategoritë negative si: hakmarrja, analfabetizmi, patriarkaliteti, fejesat dhe miqësitë e kurdisuara, gjelozia negative  etj., për të cilat mendonte se kishim bazë sociologjike për t‘i zhdukur.

      Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.

    Rugova nga Parisi vjen në letërsi me një karakter tërësisht unik të shprehjes së mendimit kritik dhe poetik.

    Në këtë mënyrë, me shkrimet e tij shkencën e letërsisë e inkuadron brenda mendimit historik, paradigmë të cilën e pasuroi edhe me linguistikën, e cila i solli risi për sa i takon problemeve të stilit dhe metaforikës. 

    Duke ju referuar J. Lotmanit, Rugova e formëson tekstin nëpërmjet organizimit të brendshëm, nga diakronia dhe sinkronia  shkon drejt sistemeve të tjera, p.sh. në sistemin e gjinive, lëvizjeve, në sistemin e letërsisë kombëtare, kurse më pas në sistemet shoqërore dhe kulturore.

    Po ashtu, hermeneutikën e konsideron se që një tekst të kuptohej më mirë nevojitej edhe psikanaliza.

    Roland Barthes, profesori i tij,  kishte zbuluar se te çdo shkrimtar ekziston një ARKETIP i heroit të tij, gjë që e hasim te vet ai, madje edhe ndikimin nga post-strukturalistët francezë sikurse: Cvetan Todorov, Zhak Derrida, Zh. Lakan dhe Juli Kristeva, sepse edhe Rugova i dha shumë rëndësi edhe psikanalizës së Frojdit.

    Gjatë kësaj kohe, në radhë të parë lexon pareshtur dhe siç pohon vetë, zbulon letërsinë “moderne”, të asaj kohe, shkollën franceze (simbolizmin, Malarmenë, Bodlerin), letërsinë bashkëkohore (Sartrin, Kamynë, Beketin).
    Prishtina e asaj kohe lulëzon me brezin e ri, tani bëhet shumë aktiv në aspektin kulturor e letrar. Bashkë me disa intelekualë të tjerë (Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Sabri Hamiti etj.) siç pohon vetë Rugova, krijojnë “një rreth të mendimit të hapur ndaj tendencave të reja të teorive estetike dhe linguistike, të cilët i tërhiqte kritika e re franceze dhe strukturalizmi”.
    Në shkrimet e tij në gazetat dhe rervistat e kohës si: “Fjala”, “Bota a re”, “Dituria”, nuk do të mungojnë shkrimet për Jeseninin, Shelin, Bodlerin e Preverin, por edhe për Migjenin e Nolin, por nuk do të mungojnë as filozofët ku mund të ndeshen emrat si Leshek Kolakovski, Betrand Rasel, Rozhe Garodi, Lysien Goldman, Karl Jaspers, Erih From etj.

    E gjithë kjo na shpie të mendojmë se ai ishte një qytetar me ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj popullit të tij, ndaj dijes dhe shtetit, por njëkohësisht shumë shpejt do të bëhet ikonë popullit dhe shtetit  detyrat ndaj kulturës kombëtare e veçanërisht ndaj gjuhës dhe letërsisë shqipe.

    Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

    Detyra dhe përgjegjësi

    Në vitin 1996 dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës.

    Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë. Me punën, përkushtimin, maturinë dhe guximin, Rugova u bë pjesë integrale e historisë së etnisë tonë, duke qenë njëherësh dëshmitar i trazirave dhe transformimeve të pabesueshme shoqërore që ndodhën gjatë punës, jetës dhe veprës së tij, në kohë të ndera, aktiviteti i tij letrar, politik  e filozofik dëshmon se ai  ishte një dëshmitar dhe një pishtar ndriçues i shenjtërimit kosovar drejt bregut të diellit, lirisë dhe pavarësisë dhe i kalimit në sistemin demokratik.

    Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

    Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

    Përkushtimi i tij për t’i shërbyer vendit dhe popullit të tijj ishte një shembull i vërtetë i rolit të një prijatari edhe në ditët e sotme, falë tij LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë dhe parti e grupe të tjera.

    Lidhja Demokratike e udhëhequr nga Rugova mbeti një forcë e rëndësishme në politikën kosovare. Në Kosovën e para luftës ai është zgjedhur kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet presidenciale, që nuk janë njohur ndërkombëtarisht, të cilat janë mbajtur

    më 24 maj të vitit 1992 dhe                                                                                                                 më 22 mars të vitit 1998.

    Rugova ka arritur të arrijë ambicien e tij kryesore politike me:

    •  Deklaratën e Pavarësisë (2 korrik 1990);
    • Shpalljen e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990;
    • Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991.
    • Ndërkombëtarizimin e Kosovës në qarqet politike botërore në vijimësi.

    Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tubonte rreth 700 mijë anëtarë, më 2 korrik 1990, pasi në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese, përshëndet dhe mbështet i pari këtë deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe deklaratë për pavarësinë.
    Presidenti Rugova më 22 nëntor 97 deklaron se “me fuqinë tonë kemi arritur të mbijetojmë dhe që Kosova të mbetet plot”. “Mund të flasim, të kritikojmë, por duhet të jemi fanatikë në përcaktimet tona për pavarësi”, thotë ai në një intervistë.

    Ibrahim Rugova në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës më 28 dhjetor të këtij viti shpall zgjedhjet e dyta parlamentare dhe presidenciale për datën 22 mars 1998.
    Më 9 mars 1997 Ibrahim Rugova në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës shpall dy ditë zie për viktimat e terrorit serb në Prekaz e Llaushë të Drenicës.

    I njohur si udhëheqës i një lëvizjeje gandiste në Kosovë, dr. Rugova ka fituar edhe në dy garat e përgjishme zgjedhore të njohura ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës. Nën  udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.
    Më 23 tetor të vitit 2004, në ditën e votimeve për institucionet qendrore në Kosovë, prej të cilave shpallet president, zoti Rugova pat deklaruar:  ”Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, për një Kosovë të pavarur dhe të integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

    Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
    Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:
    – Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,
    – Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,
    – Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),
    – Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
    – Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980,
    – Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,
    – Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986,
    – Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,
    – Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,
    – Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,
    – Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005

    Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

    – Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.– Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.                                                                                                                                       

    – Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.                                                             – Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).                              

    – Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë.                                                                           

    – Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004. Bartës të mëhershëm të Çmimit të Evropës janë:                                                                                                                                                

    – Mbreti i Spanjës Huan Karlos, – Helmut Kol, – Ronald Regan-i, – Oto fon Habsburg dhe – Emil Konstantinesku.                                                                                                                                  

    – Në vitin 2004, Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it Lindja, i cili ishte për një vizitë lamtumirëse te Presidenti i Kosovës ditën e hënë më 16 shkurt 2004, ia dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, znj. Kethrinë Bejkër Noll (Catherine Baker Knoll).                                                                                       

    “…Në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, dua t’ju shpreh lavdatë për arritjet tuaja të jashtëzakonshme dhe t’ju falënderoj për miqësinë tuaj ndaj Shteteve të Bashkuara.” (znj. Kethrinë Bejkër Noll).                                                                                                                                     

    – Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.

    “Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajon që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit”.                                                                                                                    

    “Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t’i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet”. (Z. Oto fon Habsburg).                                                                  

    – Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.                                                                                                                                                          – Më 20 nëntor 2005, Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me një mirënjohje të veçantë për përkushtimin e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe për udhëheqjen e tij politike frymëzuese.

    Model dhe frymëzim për demokracinë

    Ai do t’i mungojë shumë kohës të cilën e jotoi dhe po e jetojmë ne sot dhe të gjitha personaliteteve politike botërore që patën kënaqësinë ta njihnin këtë personalitet elitar dhe të mrekullueshëm, i cili ishte dhe do të mbetet një model dhe frymëzim për demokracinë, pluralizmin dhe udhëheqjen bashkëkohore.

    Që në nismë të veprimtarisë së tij politike Rugova përballet me shërbimet sekrete ushtarake, të cilat i vrisnin të rinjtë shqiptarë në ish APJ, dhe me shërbimet sekrete serbe të cilët helmojnë nxënësit nëpër shkolla madje edhe nëpër çerdhe, rreth 7000 nxënës të helmuar, po ashtu u përball edhe me dhunën që ushtrohej mbi shqiptarët në Kosovë, si burgosjet, vrasjet, izolimet, përjashtimet e njerëzve nga puna, proceset e montuara politike, sulmet brutale ndaj kulturës dhe historisë së shqiptarëve etj., për çka filloi vizitat e tij në në SHBA, BE e vende të tjera për të dëshmuar dhe paraqitur fakte për dhunën që po ushtrohej para faktorit ndërkombëtar, prandaj është i gajtë vargu i takimeve të zhvilluara me personalitet nga më të dëgjauarat në botë ku do të përpiqem ta ilustroj më një vistër emrash:

    Takimet me të gjitha këto personalitete zbulojnë eruditin Rugova

    Xhorxh Bush, President i SHBA-ve, Zhak Shirak, President i Francës,Toni Bler, kryemnsitër britanik, Volfgang Shysel, Kancelar i Austrisë, Alfred Moisiu, President i Shqipërisë, Klaus Kinkel, Ministër i Jashtëm gjerman, ministër i Jashtëm  i Austrisë, Milan Kuçan, President i Sllovenisë, Janez Dërnovshek, Kryeministrër slloven, Zhele Zhelev, President i Bullgarisë, Kiro Gligorov, President i Maqedonisë, Lorens Igëllberger, sekretar i shtetit të Amerikës, udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtypjen e të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, Tomas Najllz, ndihmëssekretar i shtetit për Evropë dhe Kanada, Komiteti i Kongresit Amerikan për Marrëdhënie me jashtë, kongresmenët Li Hamilton, Tom Lantos dhe Ben Gilman, Sadako Ogata, komisare e UNHCR-së, Zhorzh Kizhman, zëvendësministër i për Punë të Jashtme të Francës, Bernar Kushner, Ministri i Shëndetësisë të Francës, Nacionale Andre Bello, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Asamblesë, Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II, Xhuliano d’Amato, kryeministrër italian, delegacioni i Kongresit Amerikan në përbërje: Eliot Engëll, Sjuzan Molinari, Bill Pakson dhe Pitër King, baronesha Margareta af Uglas, ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë, Vitali Çurkin, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Butros Butros Galit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Medlin Ollbrajt, ambasadore e SHBA-ve në OKB, Dr. Sali Berisha, Presidenti i Shqipërisë, Alen Zhype, Ministrin e Jashtëm të Francës, Dagllas Hog, Sekretar britanik i Shtetit, Benjamino Andreata, ministri i Jashtëm i Italisë, Bill Klinton, Presidenti i SHBA-ve, nënpresidenti i SHBA-ve All Gor,shkrimtarët: Marie Françoise Allain, dhe Xavier Galmiche, Pol Nyrup Rasmusen, kryeministër danez, Bjorn Tore Godal, ministër i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Hans van Mierlo, ministër i Jashtëm i Holandës, Frank Svilen, kryetar i Senatit belg dhe kryetar i Asamblesë Parlamentare të KSBE-së, Flavio Koti, ministër i Jashtëm i Zvicrës, Strob Talbot, zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Margaret Theçër, ish-kryeministre e Britanisë së Madhe, Lena Hjelen – Uallen, ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë, Havier Solana, ministër i Jashtëm spanjoll, Nënë Tereze, nobeliste shqiptare, Uoren Kristofer, sekretari amerikan  Shtetit, Xhon Kornblum, nënsekretar amerikan i Shtetit, Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë,Stjepan Mesiq, Presidenti i Kroacisë, Pervez Musharaf, Presidentit të Pakistanit, Ismail Kadare, shkrimtar, Shlomo Avinier, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Jerusalemit, Dritëro Agolli, shkrimtar, Akademik Mark Krasniqi, shkrimtar dhe kryetar i PSHDK-së, Rexhep Ismajli, kryetar i ASHAK-ut, Riçrad Hollbruk, diplomat i njohur amerikan, Bob Doll, senator shumëvjeçar amerikan, Bill Klinton, President amerikan 1992-2000, Dejvid Filips, drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Eli Vizel për Njerëzimin”, Irene Sokolgarsky, presidente e Universitetit të Parisit VIII, 1996, Mari Fransua Alen, profesoreshë universiteti dhe koautore e librit “Çështja e Kosovës” 1996, Besnik Mustafaj, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Visar Zhiti, shkrimtar, Kujtim M. Shala, kritik letrar, Sabri Hamiti, studiues i letërsisë, Ramadan Musliu, kritik letrar, Shaban Sinani “Një dosje për Kadarenë”, Ali Aliu, akademik dhe kritik letrar, Lionel Zhospen, kryeministër francez, Tony Bler, kryeministrër britanik, Shrëder, kancelar gjerman, Vedrin, shef i diplomacisë franceze, Ollbrajt, Sekretare e Shtetit të Amerikës, Huan Karlos, mbreti i Spanjës, Aznar, kryeministër spanjoll, Havier Solanën, Sekretarin e Përgjithshëm i NATO-s, Ueslli Klark, komandantin i NATO-s, Serxho de Mello, administrator i parë i OKB-së në Kosovë, gjenerali Majk Xhekson, komandant i forcave të KFOR-it, Rudolf Sharping, ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë …

    Me gjithë trysnitë që ju bënë nga pushteti serb dhe ndërskamcat nga brenda,   herë – herë edhe nga dreqi me t’bijtë, veçojmë atentatet e pasluftës, për ta likuiduar fizikisht,  ai mbeti i pathyeshëm në qëndrimet e tij, prej burrshtetasi e prijatari shembull, me mençurinë, urtinë dhe demokracilë të cilën e mbolli në rrënjët e popullit, shkas ky që edhe kundërshtarët e tij politikë u gjunjëzuan para varrit të tij, jo njëherë … gjunjëzim ky në rritje dita – ditës …   

    Thanë për Ibrahim Rugovën:

     Presidenti Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqe dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës. Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë.                                                                                                                                 

                                                             (Xhorxh Bush, President i SHBA-ve)

    Sot, Franca i jep homazhe rolit historik dhe kurajës politike që animuan Ibrahim Rugovën për të mbrojtur gjatë viteve 1990 të drejtat demokratike të popullit kosovar dhe për të punuar në kthimin e paqes dhe pajtimit në regjionin tuaj.                                                                                                                    

                                                                    (Shak Shirak, President i Francës)

    Presidenti Rugova ishte një forcë e rëndësishme në jetën e Kosovës, për shumë vjet. Popullariteti i tij në mesin e popullit të Kosovës dëshmon për mbështetje të gjerë për përpjekjet e tij joviolente për të ardhmen e Kosovës. Jam shumë i lumtur që kam pasur rastin të takohem me të.                                                                       

                                                              ( Toni Bler, kryemnsitër britanik)

    Ibrahim Rugova i dha trajtë politikës në Evropën Juglindore me personalitetin e tij të fuqishëm. Ai promovoi zgjidhje paqësore për konfliktin në Kosovë dhe punoi për të ardhmen e Kosovës pa menduar as për shëndetin e vet.

                                                            (Volfgang Shysel, Kancelar i Austrisë)

     Presidenti Rugova prej mëse 20 vjetësh ka luftuar, është përpjekur dhe ka bërë çmos që problemi i Kosovës të dalë në rend ndërkombëtar… Gjithë populli shqiptar, gjithë shqiptarët ndjekin me dhimbje të dyfishtë dhe humbjen e Presidentit, e njeriut simbol për Kosovën, e njeriut flamur për Kosovën, e njeriut, i cili shkriu jetën, por fatkeqësisht nuk e arriti deri në fund të realizojë ëndrën e tij të shohë me sytë e tij Kosovën e lirë.

                                                       ( Alfred Moisiu, President i Shqipërisë)

    Ibrahim Rugova, prijës dhe legjendë e qëndresës qytetare, misionarit të madh të paqes, pavarësisë së Kosovës, mikut të madh, të çmuar të perëndimit në Ballkan. Ai u shndërrua në mishërimin e aspiratave, shpresave, idealeve më fisnike të qytetarëve të Kosovës, të cilat i mbrojti me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një qendresë epike, me sukses të madh …                                                                                         

                                                            (Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë)

    Shqiptarët e Kosovës më vdekjen e Ibrahim Rugovës, kanë humbur udhëheqësin e tyre, politika e matur e të cilit ishte kruciale në momentin kyç politik në të cilin po futet Kosova.

                                                                   (Stjepan Mesiq, Presidenti i Kroacisë)

    Lufta e Presidentit Rugova për popullin e Kosovës do të mbahet mend për një kohë shumë të gjatë. Besoj se populli i Kosovës, edhepse i veshur në zi, do të gjejë forcë dhe do ta vazhdojë punën dhe për ta forcuar paqen dhe përparimin e Kosovës.

                                         (Pervez Musharaf, Presidentit të Pakistanit)

    Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat e pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që e dërgoi popullin e vet drejt një të ardhmeje që nuk do të jete veçse e mirë, na përkujton angazhimin tonë dhe premtimet tona. Pa të, pa këmbënguljen e tij, pa rezistencën e refuzimit të tij, nuk do të kishte sot as Kosovë as shpresë së lirisë për të. Ai ishte një erudit, më me dëshirë autokrat, i paparashikueshëm dhe fleksibël njëkohësisht, njeri i dialogut, luftëtar këmbëngulës, shumë popullor dhe megjithatë i izoluar, gjithnjë i sjellshëm, aq sa druajtja e tij, kultura e tij e thellë dhe maturia e bënin ndonjëherë krenar. Dhe afër tij kaloi Historia.

                                                                                                (Ismail Kadare)

    … duke i dëgjuar zërat e ashpër të serbëve dhe të kroatëve, isha i befasuar nga butësia e Rugovës: ja ku ishte një udhëheqës i një grupi që është viktimizuar më shumë se të tjerët e megjithatë aty nuk kishte aspak hidhërim, asnjë sharje, aspak urrejtje. Rugova po ashtu kishe arsye të mjaftueshme personale për të mos falur: edhe babai edhe gjyshi i tij ishin vrarë nga komunistët e Titos në konfliktet civile pas vitit 1945. Duke reflektuar rreth këtij personi të pazakonshëm, patriotik dhe jo të dhunshëm, njeriu nuk mund të përmbahet nga mendimi se sa e ndryshme do të ishte skena jonë në Lindjen e Mesme po të kishin palestinezët një lider si ai.

    (Shlomo Avinier, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Jerusalemit)

    Ibrahim Rugova ka qenë një udhëheqës i veçantë i popullit shqiptar në Kosovë, një udhëheqës që ndryshonte nga shumë udhëheqës shqiptarë, por edhe nga shumë udhëheqës në rajonin e Ballkanit. Udhëheqës të tillë të një forme të afërt ka pasur në botë, siç ishte Gandi, që shumë e krahasojnë Rugovën me Gandin, por siç ishte edhe Martin Luter, por edhe siç ishte Alende i Kilit. Merita e madhe e Ibrahim Rugovës është që e bashkoi popullin në një popull të vetëm që të luftonte për pavarësinë                                                                      (Dritëro Agolli, shkrimtar)

    Dr.Ibrahim Rugova është personaliteti më i madh i kohës së re, ai është autor i shkrimit dhe i bërjes së historisë së lavdishme të Kosovës në këto dy decenie të fundit. Presidenti Ibrahim Rugova ishte burrështetasi i parë e më i madhi i Kosovës i cili krijoi miqësi të përhershme me vendet demokratike të Evropës e botës, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dr.Ibrahim Rugova është lideri i parë i shqiptarëve u cili vuri themelet e shtetit të Pavarur të Kosovës. Burrat e mëdhenj e shkruajnë vetë historinë! Presidenti Ibrahim Rugova, ishte një burrë i madh i Pavarësisë së Kosovës!   (Akademik Mark Krasniqi, shkrimtar dhe kryetar i PSHDK-së)

    Rrezatimet e tij butësisht çliruese intelektuale u përhapën jo vetëm përmes veprave të tij, po edhe përmes projekteve të shumta hulumtuese, udhëheqjes së revistave shkencore e kulturore dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës … Personaliteti i tij u çmua lart për shpalosjen dhe begatimin e vlerave evropiane të kohës. Dr. Rugova ishte një nga bashkëbiseduesit substancialë në kontaktet e Perëndimit lidhur me Ballkanin. Përmes figurës së tij Kosova dhe lëvizja e saj për emancipim të përgjithshëm kombëtar, shoqëror e demokratik gjetën artikuluesin dhe zëdhënësin, u bënë të njohura dhe të pranishme në botën diplomatike të kohës në Evropë dhe SHBA.                          

                                                                                              (Rexhep Ismajli, kryetar i ASHAK-ut)

     Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta hiqte vetëm kur ta shihte vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi dhe u bëra admirues dhe shok i tij.                                                                                                   

                                                                                  (Riçrad Hollbruk, diplomat i njohur amerikan)

    Dr. Rugova ishte një njeri i madh dhe heroik që personifikonte shpresat dhe aspiratat fisnike të popullit të Kosovës për një shtetet sovran, të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Ka qenë privilegj për mua të punoja në aspektin profesional me Dr. Rugovën dhe ta konsideroja atë një nga miqtë e mi më të ngushtë… Përpjekja e madhe e Presidentit Rugova për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës ka të njejtat përmasa me fushatat e ngjashme paqësore dhe historike të Mahatma Gandidit, Nelson Mandelës dhe Martin Luther Kingut. 

                                                            (Bob Doll, senator shumëvjeçar amerikan)

    Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri. E kam dashur dhe e kam admiruar shumë. Rezistenca e tij e padhunshme ndaj shtypjes së Millosheviqit inspiroi botën. Me Presidentin Rugova jam takur shumë herë në Shtëpinë e Bardhë. Ka qenë kënaqësi, sa herë e kam takuar, sepse çdo herë më impresiononte me devotshmërinë dhe pasionin e tij për paqe, liri dhe për një të ardhme më të mirë për popullin e tij.                                                    

                                                         (Bill Klinton, President amerikan 1992-2000)

    Është një realitet tragjik që të kujton Moisiun në Bibël, i cili për 40 vjet u end në shkretëtirë, por nuk u lejua të futet në tokën e shenjtë. Lëvizja për pavarësi në Kosovë është udhëhequr nga Dr. Rugova, por tani që po fillojnë negociatat ai nuk do të jetë në tryezën e bisedimeve. Eshtë e rëndësishme që trashëgimia e tij të çohet përpara.

            (Dejvid Filips, drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Eli Vizel për Njerëzimin”)

    Dr.Ibrahim Rugova, teoricien dhe kritik letrar para se shqiptarët të goditeshin përsëri nga gjëmat e errëta të historisë evropiane, është përcaktuar për aksion politik në mbrojtjen e ‘ekzistencës’. Po ky nxënës i vjetër i Roland Bartit, i cili ka medituar dhe shkruar shumë mbi relacionet forcë-dije, nuk është angazhuar në një rrugë të çfarëdofshme, por universalizmi i tij është vullneti absolut për të luftuar për të drejtat e njeriut dhe për demokracinë. Kjo e ka shtyrë të praktikojë dhe të bëjë të ndiqet një politikë e mosdhunës, absolute, e cila dukej e parealizueshme në kontekstin e luftës dhe të vlimeve nacionaliste.

    (Irene Sokolgarsky, presidente e Universitetit të Parisit VIII, 1996)

    Rugova erdhi në politikë në rrethana të veçanta dhe pasi që këtë e kërkonte nevoja e që mund ta krahasojmë me V. Havelin … Rugova është ky lloj shkrimtari që ka pranuar të mbajë mbi supe fatin e popullit të vet; është figurë e jashtëzakonshme, figurë e rrallë pacifisti jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime. Këtë e ka vërtetuar tash shtatë vjet me gjithë pengesat dhe grackat e provokimet që ka. Procese politike, dënime të rënda….E gjithë biografia e dr. Rugovës del nga angazhimi i literaturës që prodhoi tipin e veprimit që ai udhëheq sot: lirinë dhe demokracinë. Dr.Rugova është një çelës që hap një rrugë nga literatura në aksion politik. Rugova është përcaktuar të shkojë deri në fund të lojalitetit të tij … E shohim atë në pozicion intermediar midis intelektualëve të Perëndimit dhe të Lindjes, duke u inspiruar, po e citoj, nga të parët për atë çka i takon teorisë, por duke e pasur të njëjtin fat me të dytët”

    (Mari Fransua Alen, profesoreshë universiteti dhe koautore e librit “Çështja e Kosovës” 1996)

    … Rugova futet tek ato figura të mëdha evropiane të shekullit XX. Asnjë shqiptar, asnjë ballkanik nuk ka mundur të ketë kaq shumë histori. E veçanta e personalitetit të Rugovës është se ai arriti të krijojë një frymë, pra nuk bëri kalorësin e vetmuar, nuk e ndërtoi veten e tij si miti i Gjergj Elez Alisë, si të thuash, por veproi vërtet si një misionar i madh, mbolli frymën e tij në të gjithë shoqërinë e Kosovës, gjë që është madhështore. Rugova arriti të bindë të gjithë komunitetin ndërkombëtar se kjo është një frymë që i jep Kosovës të drejtën morale dhe politike të jetë një vend i pavarur.

    (Besnik Mustafaj, ministër i Jashtëm i Shqipërisë)

    (…) Dhe në shtetin ende pa vend a në vendin ende pa shtet, në kryeqytetin e të cilit vihen menjëherë shtatoret e Nënë Terezës dhe të Skënderbeut, krahas të rënëve më të fundit, populli bën President Ibrahim Rugovën, njeriun urtak dhe të vendosur, të paepurin dhe të ballëpërballshmin, vizionarin, të armatosurin pa asnjë armë, me fushëbetejë idealet dhe të drejtën, paqen, bisedimet, diplomacinë, bindjen, sa dhe robërisë së vet nuk i iku përmes plojës. Lider në pushtim, intelektual i klasit të parë, politikan sa i thjeshtë dhe enigmatik, filozof gandist në Ballkanin e egër, me një shall tradicional, metaforë e shamisë tragjike që lidhnin në krye rugovasit e tij, akademik, firmë e njohur e letrave në kulturën kombëtare, kritik letrar fillimisht, kryetar i shkrimtarëve dhe kryetar i partisë së parë opozitare, i Lidhjes Demokratike                                           (Visar Zhiti, shkrimtar)

    Çelësi për ta lexuar Rugovën përballë kritikës së kohës është libri Prekje lirike. Ky libër refuzon leximin e jashtëm/ sociologjizues/ideologjizues, dominant në kulturën letrare shqipe, dhe provon fuqishëm kritikën si rikrijim të veprës letrare. Aty normën e leximit e përcakton estetika e tekstit letrar e jo skemat sociale. Veprën e prodhon diskursiletrar; ajo përmbush këtë diskurs, duke qenë një shfaqje konkrete e tij, dhe asnjë strukture tjetër.

                                                                                (Kujtim M. Shala, kritik letrar)

     Vepra Kahe e premisa, me ndërtimin, strukturimin, kërkimin, argumentimin, referencat gati shteruese, kapërcen qëllimet fillestare të një monografie dhe merr përmasat e një enciklopedie për kritikën shqiptare si disiplinë të mendimit dhe kritikën letrare shqipe si zhanër letrar. Kjo pa dyshim është vepra më e madhe e më e ndërligjshme kritike e Ibrahim Rugovës, një nga veprat më të mëdha të kritikës shqiptare, duke e bërë autorin njërin ndër mendimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë për letërsinë.

                                                                         (Sabri Hamiti, studiues i letërsisë)

    Mund të themi se monografia e Rugovës ? Vepra e Bogdanit? na jep vizionin kritik rugovian mbi këtë autor të letërsisë sonë të vjetër, apo, siç thonë për Rasinin e Bartit, se sjell një lexim kritik, një vision autentik të një kritiku të madh për një autor të madh. Bogdani i monografisë në fjalë, thënë shkurt, është Bogdani i Ibrahim Rugovës. Kjo monografi antologjike më në fund edhe hap periudhën e studimeve bogdaniane, po aq edhe të letërsisë së vjetër shqipe.

                                                                               (Ramadan Musliu, kritik letrar)

    Për recensionin që u vu në vend të hyrjes në botimin e librit të I. Rugovës “Vepra e Bogdanit”, madje, pati kritika të rrepta në shtypin letrar, derisa u arrit në përfundimin se “nuk mund të kërkohet humanizëm në një vepër me përmbajtje teologjike”. Për më tepër, kjo polemikë u bë objekt diskutimi edhe në takimin e R. Alisë me intelektualët e kryeqytetit në gusht të vitit 1990.

                                                            (Shaban Sinani “Një dosje për Kadarenë”)

    Dhe ja, krijuesi shfaqet tashti si artikulues i ëndrrës për liri, si prijës i popullit të vet. Rugova e njihte dhe e ka përmendur në studimet e veta filozofin antik Platonin, i cili poetët i mbante të paaftë në çështje shteti, i konsideronte si prijës të butë, që i mposht emocioni, mendim që u miratua dhe u përjashtua gjatë 2500 viteve. Rugova krijues, që në nismë gjakon ta shtrijë edhe ta gjejë sa më thellë shpirtin e gjuhës dhe të mendjes, të popullit të vet ndër shekuj, që në fillim ëndërronte të gjejë shkallët e lidhjes, vazhdimësisë të këtij shpirti në kohë, t’i bëjë ato të prekshme, si fjalë dhe parafjalë, për kohën e vet, krijues që do të jetë kërkues i qartë, deri në rreptësi, i vlerave në art.

                                                                    ( Ali Aliu, akademik dhe kritik letrar)

    Thënie, veprime dhe shkrime për mbamendje:

    “Me serbët do të bisedojmë vetëm për jetësimin e shtetit të Kosovës” ishte shprehur Rugova kur  ai vihet në mbrojtje të studentëve dhe të rinisë, të cilët protestonin ndaj dhunës serbe.

    “Studentët dhe të rinjtë e Kosovës janë brez me guxim dhe me kulturë politike dhe shtetërore”, deklaronte ai, duke i mohuar zërat se ai nuk i përkrahte protestat e studentëve ndaj diskriminimit serb.
    Gazeta “Veçer” e Mariborit (Slloveni), më 22 prill 1989, shkruan në hyrje të një intervistë me Rugovën:  “Më duket se Dr. Ibrahim Rugova ende është i vetmi shqiptar në Kosovë që ka guxim të flasë ashtu siç mendon”.


    Rugova në një intervistë të botuar më 15 në “Fjala”, duke komentuar debatet që zhvillohen në at ë kohë për rregullimin e Jugosllavisë thotë:

    “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur kushtetuese apo të pavarësisë, siç do të quhet më vonë, më 2 korrik të atij viti.

    Pak më vonë do të deklarojë se “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb).

    Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tubonte rreth 700 mijë anëtarë, më 2 korrik 1990, pasi në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese, përshëndet dhe mbështet i pari këtë deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe deklaratë për pavarësinë.
    Gazeta “Veçer” e Mariborit (Slloveni), më 22 prill 1989, shkruan:

    “Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”, i thotë Rugova gazetarit, i cili habitet se si është e mundur që ende flet kështu. Ndërkaq Rugova parashikon se e ardhmja e Kosovës “do të jetë e rëndë, e tmerrshme, e zezë”.

    I pyetur në shkurt 1989 nga gazeta e njohuri italiane “Corriere della Sera” se cila do të ishte zgjidhja për Jugosllavinë, Rugova thotë:

     “një konfederatë moderne, e bazuar në komunikimin dhe respektimin e diversiteteve”.

    Në mes të marsit, Rugova dhe përfaqësuesit e tjerë të Kosovë, nënshkruajnë Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën. Pala serbe refuzon ta nënshkruajë. Hapet rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.

    Presidenti Ibrahim Rugova kthehet në Prishtinë më 21 mars. Më 24 mars fillon fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.
    Më 31 mars, forcat policore serbe hyjnë forcërisht në rezidencën e Presidentit Rugova, duke mbajtur atë dhe familjen e tij në arrest shtëpiak deri më 5 maj.

    Më 5 maj, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash të Qeverisë italiane dhe të Selisë të Shenjtë, Rugova së bashku me familjen largohet për në Itali.
    Me t’u vendosur në Itali, Papa Gjon Pali II e pret në audiencë Presidentin Rugova së bashku me familjen.
    Rugova: President i parë i vendit në Kosovën e pasluftës

     Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
    Rrugën e tij e ndriçuan edhe shumë personalitete intelektuale, ushtarake e politike,  yjet e kombit: Fehmi Agani e Enver Maloku, Xhemajl Mustafa e Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj e qindra të tjerë si këta.

    E kaluara, e sotmja dhe e ardhmja kanë vetëm një emër: Ibrahim Rugova!

    Mund të them se te shteti shqiptar, pavarësisht se kush qëndronte në krye, ai shihte një dëshmi të aftësisë organizuese shoqërore të shqiptarëve, një shprehje të qytetarisë së tyre, një organizëm të domosdoshëm e të pashmangshëm për jetën e tyre në botën e sotme.

    Ai ishte figurë madhore intelektuale, një politikan që e mbajti gjallë lirinë e Kosovës. Ishte urtak i gjykimit të thellë. Ai nuk kishte nevojë për lëvdata, nga se ishte lëvdata vet. Rugova ka gdhendur historinë dhe ka nxjerrë thesare prej saj.  

    Nga paslufta veçojmë:

    Lidhur me heqjen dorë nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, Rugova tha se “heqjen dorë nga institucioni i Presidentit të shtetit, ju them me sinqeritetin më të madh, e kam bërë për të mirën e popullit të Kosovës. Siç e dini, unë jam zgjedhur President i shtetit të Kosovës me votime të drejtpërdrejta nga populli i Kosovës. Por, kemi dashur të formojmë struktura të përbashkëta të qeverisjes së përkohshme deri në zgjedhjet e reja në Kosovë dhe e falënderoj popullin për mirëkuptim”, tha Dr. Rugova.
    “Tashmë ne jemi jashtë Jugosllavisë”, thotë kryetari i LDK-së në një intervistë revistës së njohur “Der Spiegel”. Duke komentuar Rezolutën e OKB-së 1244, Rugova tha:

    “Ky ka qenë një kompromis i madh për të përfunduar lufta në Kosovë.

    Dr. Ibrahim Rugova i dha një deklaratë Radio-Televizionit të Kosovës (RTK), në të cilën thuhet:

    “Dita e 12 qershorit është ditë e lirisë së Kosovës, dita e hyrjes së NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë, dita e kthimit të popullit të Kosovës në vendin e vet”.

    Rugova kërkoi angazhim për ndërtimin e lirisë, të demokracisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

    Kryetari i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, viziton qytetin e Podujevës. Mijëra qytetarë nga Podujeva dhe fshatrat përreth që nga orët e mëngjesit kishin mbushur rrugët e qytetit për të pritur kryetarin e LDK-së dhe bashkëkryesuesin e KPA-së. Mijëra llapjanë mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe fotografi të Dr. Rugovës, duke brohoritur emrin e tij.

    Para mijëra qytetarëve, Rugova tha:

     “Kam kënaqësinë që sot ndodhem në Podujevën e lirë. Ju ishit ata të cilët luftuat dhe sakrifikuat për këtë tokë të lirë. Llapjanët dhanë shumë dëshmorë për lirinë e Kosovës.
    Rugova në varrezat e fshatit Bradash të kësaj komune vuri kurora lulesh mbi varrin e Enver Malokut, ish-shef i Qendrës për Informim të Kosovës dhe bashkëpunëtor i tij i ngushtë.
    Më 26 janar Hans Hakerup dha Dokumentin e parë të Udhëtimit (pasaportën), lëshuar nga UNMIK-u. Marrësi i parë është Ibrahim Rugova.
    Për të zgjidhur një problem në skajin e ndarë të Kosovës, në Mitrovicë, një plan katërpikësh e nënshkruan Hans Hakerup, Karlo Kabixhiozu dhe liderët shqiptarë të përfaqësuar nga Këshillin e Përkohshëm Administrative (KPA), Rugova, Thaçi dhe Haradinaj.

    Presidenti Rugova nis dëshminë e tij kundër ish-diktatorit serb Millosheviq në Tribunalin e Hagës. Dëshmia mbaron më 6 maj. “Serbia deshi ta shkatërrojë me luftë Kosovën dhe shqiptarët…Unë kurrë nuk kam pasur frikë dhe nuk jam ndier i rrezikuar nga UÇK-ja”, thotë Rugova në gjyqin e Hagës.

    12-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese, para mijëra pjesëmarrësve Presidenti Rugova zbulon bustin e Nënës Tereze në Prishtinë.                                                                                                      “Prej sot shtatorja e Nënës Tereze, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

    Prej sot fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe”, tha Rugova dhe theksoi:

    “Ne ndihemi krenarë që jemi popull i Skënderbeut, që jemi popull i Nënës Tereze, Nënës sonë të shenjtë”.

    Presidenti Rugova e shpall “Shtëpi të Pavarësisë” të Kosovës ish- ndërtesën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila në vitet e nëntëdhjeta të shekullit XX ka shërbyer si seli e institucioneve shqiptare të Kosovës që bënë rezistencë ndaj okupimit serb.

    “Ishte kjo shtëpi shtetërore e Kosovës, po ashtu ishte shtëpi përfaqësuese e Kosovës dhe e interesave të saj, sepse nëpër të kanë kaluar me qindra diplomatë, kongresmenë, senatorë e deputetë amerikane, evropianë dhe të shumë vendeve të tjera”, tha Dr. Rugova.

    “Mund të themi se pas Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, që ishte shtëpi e lidhjes së të gjithë shqiptarëve, sot në kryeqytetin e Kosovës po e përurojmë ‘Shtëpinë e Pavarësisë’, që do të jetë shtëpi e lirisë, e pavarësisë, e popullit të Kosovës”, tha Presidenti Rugova.

    Para përfundimit:

    Rikujtojmë se Himni i Dardanisë i zgjedur jo rastësisht nga Rugova, filloi të  këndohej në  çdo cep të Kosovës, duke e përshkruar si një “frymëzim të jashtëzakonshëm” dhe “një dritë aq të ndritshme sepse po ky himn na dha shpresë kur dukej se nuk kisht, prandaj eleganca, hiri dhe përkushtimi i Rugovës ndaj detyrës të kryer me përgjegjësi, profesionalizëm dhe koncepte parimore do të mbeten prore në histori, sepse ai ka qenë mishërimi i vazhdimësisë dhe unitetit të kombit shqiptar, e kujtojmë si mik të secilit, një figurë e sjellshme dhe bujare që la gjurmë të qëndrueshme në vendin dhe shekullin e tij,

     do ta vlerësojmë gjithmonë veprimtarinë e tij shumëdimensionale dhe nuk do ta harrojmë kurrë miqësinë bujare të tij, mençurinë e madhe dhe sensin e mrekullueshëm të politikbërjes, madje edhe të humorit, sigurisht se populli do ta nderojë jetën e tij dhe shërbimin e jashtëzakonshëm ndaj popullit të tij.  

    Në vend të lamtumirës:

    Më 21 janar 2006, pushon së rrahuri zemra e Presidentit të Parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

    Rreth një gjysmë milioni njerëz marrin pjesë në funeralin e Presidentit Rugova, i cili pasditen me acar varroset në Varrezat e Dëshmorëve në Velani. Rugova varroset me nderimet më të larta shtetërore e ushtarake, që janë quajtur “ceremoni kombëtare”. Mbi 50 delegacione nga vende të ndryshme të botës, udhëhequr edhe nga delegacione presidenciale, marrin pjesë në shërbesat përkujtimore. Arkivoli me trupin e Presidentit Rugova, mbështjellë me Flamurin e tij propozuar për Flamur shtetëror të Kosovës, bartet në “Shtratin e Topit” nga formacione të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, që kryen ceremonitë ushtarake të një funerali shtetëror.

    Edhe sot këtu, në këto momente të kthjellëta, ne i shprehim respekt dhe mbështetje ish presidentit tonë për udhëheqjen e tij, me shpresën që ai edhe nga atje ku është të jetë model për bashkëpunim të mëtejshëm të të gjithëve, do ta kujtoj gjithmonë me mall shpirtin, mençurinë dhe guximin e tij të jashtëzakonshëm.

    Kujtimi për të është një marrëdhënie e veçantë, e shenjtë, prandaj fare në fund e gjithë kjo është kaq e vështirë për mua dhe të gjithë ne.

     Zoti e bekoftë, ai mbretëroftë përgjithmonë në zemrat tona!

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark