Kombëtarja e Kosovës nën moshën 17-vjeç në konkurrencën e vajzave, sot, e ka mbajtur stërvitjen e parë për këtë vit në Kampin Nacional në Hajvali. Në këtë stërvitje morën pjesë futbollistet që luajnë në kampionatin vendor, teksa ky grumbullim i shërben stafit të trajnereve për ta përgatitur ekipin sa më mirë për ndeshjet kualifikuese të Ligës A për Evropianin 2023.
Përzgjedhësja Sanije Krasniqi u shpreh e kënaqur me formën e lojtareve, duke pasur parasysh se jemi në periudhën e pushimit të kampionatit. Ajo ka bërë të ditur se në fund të vitit të kaluar futbollisteve ua kanë dhënë planin individual stërvitor dhe ushqimor për periudhën e pushimit të garave.
“Dhe sot jam e kënaqur me atë çfarë pamë te vajzat në stërvitje, pasi shihet se ato iu kanë përmbajtur planprogramit dhe kanë kryer stërvitjet e duhura individuale, duke e mbajtur formën. Ne, do të mbajmë një stërvitje tjetër edhe gjatë javës së ardhshme, derisa prej 2 deri më 5 shkurt do të jemi të grumbulluara në Kampin Nacional, ku tashmë janë të gatshme dhomat dhe të gjitha kushtet tjera përcjellëse për akomodim të lojtareve dhe stafit. Në atë grumbullim do të kemi një listë të gjerë të lojtareve dhe kësisoj do t’i japimë hapësirë secilës futbolliste t’i tregojë vlerat e veta”, ka thënë Krasniqi.
Ajo tutje ka thënë se kanë filluar me përgatitje të hershme, duke pasur parasysh faktin se tashmë ndodhen në Ligën A të kualifikimeve, ku niveli i kundërshtarëve është shumë i fortë.
“Ne jemi Kombëtare e re dhe sigurisht se ndeshjet kualifikuese në mars do të jenë shumë të vështira, por gjatë periudhës që kemi në dispozicion do të punojmë me vajzat që të përgatitemi sa më mirë“, ka shtuar timonierja e Kombëtares U17. Kosova bën pjesë në Grupin 5 të kualifikimeve për Euro 2023, ku janë të përfshira edhe Republika e Irlandës, Franca dhe Italia.