Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësim për shtimin e vazhdueshëm të rasteve të reja dhe rritjen e numrit të fëmijëve të prekur nga fruthi në Kosovë.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), deri më 27 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 78 raste me fruth në vend.
Aktualisht, 17 fëmijë janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtim mjekësor.
Dy prej tyre, për shkak të vështirësive në frymëmarrje, janë duke u trajtuar me mbështetje me oksigjen. Fëmijët e prekur i përkasin kryesisht grupmoshës 1 deri në 2 vjeç.
Shqetësim të veçantë paraqet edhe fakti se fruthi është përhapur në dy institucione parashkollore, ku janë prekur fëmijë të pavaksinuar. Në përputhje me masat e vendosura nga IKShPK, nuk lejohet pranimi i asnjë fëmije në institucionet parashkollore dhe shkollore pa paraqitjen e dokumentit zyrtar, përkatësisht vërtetimit të vaksinimit.
KOMF thekson se institucionet parashkollore janë të obliguara t’i zbatojnë në mënyrë rigoroze masat parandaluese të përcaktuara nga IKShPK. Për këtë arsye, koalicioni u bën thirrje të gjitha institucioneve parashkollore që t’i respektojnë me përgjegjësi këto masa dhe të sigurojnë mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Njëkohësisht, KOMF u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre në përputhje me kalendarin e rregullt të vaksinimit, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të fruthit.