Kompania “Matkos Pharm”, e denoncuar dy herë në prokurori për falsifikim të dokumenteve në tenderet publike, është dënuar së fundmi edhe nga Shërbimi Spitalor i Kosovës. Ky dënim erdhi pasi që “Matkos Pharm”, nuk i ka dërguar me kohë barnat për të cilat ishte kontraktuar nga ky institucion. ShSKUK, i ka dhënë tender për furnizim me barna kësaj kompanie, përkundër që vet dy herë kishte kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që ta fus në listën e zezë
Kompania “Matkos Pharm”, e denoncuar dy herë në prokurori si e dyshuar për falsifikim të dokumenteve në tenderët publikë, është dënuar me gjobë nga Shërbimi Spitalor i Kosovës.
Ky institucion, e dënoi atë për shkak të vonesave në dorëzimin e barnave për të cilat ishte kontraktuar.
Gazeta Insajderi e ka siguruar listën e plotë të dënimeve që ShSKUK-ja ua ka shqiptuar kompanive që nuk kanë dërguar me kohë materialin për të cilin ishin kontraktuar. Në këtë listë figuron edhe kompania “Matkos Pharm”.
“Matkos Pharm”, që është në pronësi të biznesmenit Kastriot Vitija, vëllai i Labinot Vitisë që u arrestuar javën e kaluar në aksionin “Brezovica”, në prill të këtij viti ishte dënua me 477 euro gjobë, për mos furnizim me kohë me barna QKUK-në.
Sipas listë që ShSKUK i ka dhënë Insajderit, urdhër-blerja ndaj kompanisë “Matkos Pharm” ishte bërë me 11 shkurt 2022.
Kurse, në maj të po këtij viti kompania e biznesmenit Vitija u dënuar me një shumë të vogël – me 2 euro e 69 cent, për mos liferim të mallit. Urdhër blerja ndaj kësaj kompanie ishte bërë me datën 4 prill 2022.
Gazeta Insajderi ka raportuar se si Shërbimi Spitalor i Kosovës, para pak muajsh i kishte dhënë tender gati 100 mijë euro kompanisë “Matkos Pharm”, ani pse për të njëjtën vet kishte kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që ta fuste në listën e zezë.
Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, drejtori i prokurimit në ShSKUK, Selami Krasniqi kishte deklaruar se kanë kërkuar dy herë që kjo kompani të futet në listën e zezë.
“Autoriteti kontraktues i SHSKUK-së, ka bërë kërkesë në OSHP dy herë për ta futur këtë Operator Ekonomik në listë të zezë. Mirëpo ende nuk janë shqyrtuar këto kërkesa pasi që nuk është konstituuar bordi i OSHP-së”, thuhet në përgjigjen e Krasniqit për Insajderin.
Pavarësisht kësaj, kompani “Matkos Pharm”, u shpërblye me tender, duke fituar rreth 100 mijë euro të taksapaguesve kosovarë.
Gazeta ka shkrua se si e njëjta kompani “Matkos Pharm”, është denoncuar dy herë për falsifikim me dokumente në tender publike.
Kompania “Matkos” denoncohet sërish në prokurori – Rasti Komuna e Prishtinës
Kompania “Matkos Pharm”, drejtori i së cilës Liman Buzuku, ishte arrestuar vitin e kaluar nën dyshimet për falsifikim dokumentesh, është kapur edhe një herë me dokument që dyshohet se është i falsifikuar. Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës, e ka eliminuar atë nga gara. Përveç kësaj, e njëjta kompani është denoncuar sërish në Prokurorinë Themelore të Prishtinës
Kompania “Matkos Pharm”, është eleminuar nga gara në një tender të ri të Komunës së Prishtinës, me 23 gusht të këtij viti.
Kjo, pasi autoriteti kontraktues, Komuna e Prishtinës ka konstatuar se në tenderin “Furnizim me pajisje mjekësore”, “Matkos Pharm” kishte ofruar dokument të falsifikuar, shkruan Gazeta Insajderi.
Në arsyetimin e vendimit për eliminim të saj nga gara, thuhet se “Matkos” nuk e ka dorëzuar certifikatën ISO sipas kërkesave të tyre.
Këtë e kishte bërë pavarësisht se përfaqëuesja e kësaj kompanie e kishte nënshkruar edhe deklaratën nën betim përmes së cilës “dëshmonte” se është e gatshme të marrë përsipër “mundësinë e sanksioneve penale dhe civile, gjobave dhe dënimeve”.
Edhe përkundër që ajo kishte nënshkruar deklaratën, Komuna e Prishtinës e konstatoi se kompania të cilën e përfaqësonte ka ofruar dokument të falsifikuar.
Madje zyra e prokurimimit të Komunën e Prishtinës, në vendimin për eleminim ia rikujton edhe një herë kompanisë Matkos se falsifikimi i këtyre dokumente është i dënueshëm me Kodin Penal të Kosovës.
Sipas së cilit parashihet edhe dënim me burg nga 1 deri në 8 vjet burgim.
Arrestimi i Liman Buzukut – Rasti i Drenasit
Gazeta Insajderi, ka raportuar me 25 tetor të vitit të kaluar se Liman Buzuku, ishte kapur në një aksion të Policisë së Kosovës, pasi që ekzistonte dyshimi se kanë falsifikuar dokumentet dhe se të njëjtat i kanë dorëzuar gjatë pjesëmarrjes në tenderin e 5 majit në Komunën e Drenasit.
Biznesmeni Liman Buzuku, dyshohet se ka falsifikuar referencën për kompaninë, “Matkos Pharm SH.P.K” të lëshuar kinse nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë, për një kontratë në vlerë 56 mijë euro.
Buzuku kishte nënshkruar edhe deklaratën nën betim përmes së cilës “dëshmonte” se është i gatshëm të marrë përsipër “se e pranon mundësinë e sanksioneve penale dhe civile, gjobave dhe dënimeve”.
Dokumenti që dyshohet se është falsifikuar nga “Matkos pharm” e se gjoja së është lëshuar nga QKMF Suharekë mbanë datën 19 gusht 2020.
Por, disa muaj pas Qendra Kryesore e Mjekësis Familjare në Suharekë, e kishte konfirmuar se dokumenti i paraqitur nga Buzuku nuk ishte protokoluar nga Zyra Juridike e këtij institucioni.
I njëjti dokument që ishte dorëzuar nga “Matkos Pharm” në tenderin e Komunës së Drenasit nuk mban as stemën dhe nuk figuron si dokument zyrtar i lëshuar nga QKMF – Suharekë. /Gazeta Insajderi