×
  • Lajme
  • Lajme

    Komuna “bujare” e Rahimajt, merr mësimdhënës të pakualifikuar të gjuhës gjermane- kanë të kryer kurset e niveleve A1 dhe B1

    Insajderi
    11 October 2023 - 16:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në korrik të këtij viti, Komuna e Kamenicës hapi konkurs për një sërë pozitash në mësimdhënie. Pos tjerash, komuna me të cilën udhëheq Kadri Rahimaj kërkonte edhe tre mësimdhënës të gjuhës gjermane për një shkollë fillore. Së fundi, është njoftuar angazhimi i tre mësimdhënësve për të njëjtën pozitë të pakualifikuar. Nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Kamenicës e kanë arsyetuar këtë duke thënë se ka pasur mungesë kuadrosh.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtorin e drejtorisë komunale të Arsimit, Afrim Dervishi, për ta pyetur për këtë çështje. Dervishi ka thënë se janë obliguar që, në kundërshtim të normativit mbi kuadrin e arsimit, të përzgjedhë kandidatë që kanë të kryer kurse të gjuhës gjermane.

    “Asnjë s’ka konkuru me kualifikim përkatës sipas normativës. Është dashtë me këqyrë kush e ka kry një A1 B1, çka janë atofarë kurse që i mbajnë”, ka deklaruar Dervishi.

    Siç ka mësuar Insajderi nga burimet e saja, njëra nga mësimdhënëset e pranuara është e diplomuar në Fakultetin Juridik. E pranuara e dytë në pozitën e mësimdhënëses është në vitin e parë të studimeve të gjuhës gjermane, teksa kandidatja e tretë e pranuar ka certifikatën e diplomës në gjuhën gjermane.

    Ndryshe nga ajo çfarë deklaroi Dervishi, mediat lokale në Kamenicë kanë deklaruar se njëra nga kandidatet që është lënë jashtë konkursit, ka të përfunduar fakultetin e gjuhës gjermane. Insajderi s’ka arritur ta konfirmojë një gjë të tillë.

    Në bazë të konkursit të lëshuar në korrik, kriteret e kualifikimit për mësimdhënës kërkojnë nivelin master (300 ECTS), sistemin katërvjeçar dhe atë baçelor (240 ECTS).

    Çështja e angazhimit të kandidatëve të pakualifikuar nëpër konkurset komunale është kthyer në fenomen. Në korrik të këtij të viti është raportuar edhe për angazhim të asistentëve për nxënësit me aftësi të kufizuara në mospërputhje normativin mbi kuadrin arsimor në Drenas.

    Edhe nga drejtoria e Arsimit të kësaj komune e kanë deklaruar si problem çështjen e mungesës së kuadrove në mesin e kandidatëve në konkurs. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark