Inspektorati Komunal në Kamenicë e ka gjobitur me 600 euro kompaninë “Arbor Group” – e cila është në pronësi të kryetarit të degës së PDK-së në këtë komunë, Granit Berisha – për degradim të ambientit. Megjithatë, zyrtari i PDK-së mohon të ketë pranuar gjobë, duke thënë se i ka ardhur vetëm procesverbali.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar inspektorin komunal të Komunës së Kamenicës, Ibrahim Kastrati, i cili ka thënë se kompania në pronësi të kreut të degës së PDK-së në këtë komunë nuk ka pasur leje për punime.
“Ka eskploatu gurë. Ne kemi rregullore komunale; për çdo gërmim në hapësirat publike nuk është çare na pa marrë masa. E kom edhe aktvendimin që është gjobit. Bujar Berisha, drejtori i kompanisë, ai është gjobit”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, Berisha e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se gjithçka ka ngelur në procesverbal.
“Procesverbali i perpiluar nga Inspektorati Komunal ka mbetur vetem Procesverbal dhe nuk ka gjobe te shqiptuar, te pakten ne nuk kemi informacione per gjoben, perfaqesuesi yne ligjor/drejtori ka qene ne vend te ngjarjes dhe nuk eshte qe eshte shqiptuar ndonje gjobe e caktuar”, ka deklaruar ai për Insajderin.
“Kjo nuk është asgjë më shumë se një tentativë për të frenuar zërat kritik në Kamenicë për keqqeverisjen dhe skandalet që po e ndjekin këtë qeverisje”, ka thënë më tej Berisha.
I njëjti ka thënë se secili veprim i kompanisë së tij ka qenë në dijeni dhe në bashkëpunim me zyrtarët komunalë. Gjithashtu, ai ka theksuar se punimet ku janë kryer, janë investime publike.
Gazeta Insajderi gjithashtu ka siguruar edhe procesverbalin e inspektoratit komunal drejtuar kompanisë së Berishës së PDK-së.
Në procesverbal, thuhet se dy kamionë kanë hedhur material ndërtimor në hapësirat publike.