×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Komuna e Mitrovicës do t’i ndajë 20 mijë euro për familjen që u lënduan nga shpërthimi në Kçiq

    Insajderi
    14 January 2024 - 16:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Bedri Hamza, kryetar i Komunës së Mitrovicës, ka njoftuar se kjo komunë do të marrë vendim për ndarjen e 20 mijë eurove për familjen Brahimi, 14 anëtarë të së cilës u lënduan si pasojë e një shpërthimi të bomboles së gazit mbrëmjen e së shtunës.

    Hamza e ka bërë të ditur vendimin me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, duke iu uruar shërim të shpejt të lënduarve, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Me qëllimin që të ju dalim në ndihmë familjes Brahmi, të prekur nga shpërthimi natën e kaluar, Komuna e Mitrovicës do të merr vendim për ndarjen e 20,000 eurove. Edhe njëherë, uroj shërim të shpejtë për të lënduarit!”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

    Mjekja kujdestare në Mjekim Intensiv, Agreta Gashi, ka bërë të ditur se katër pacientët që u lënduan nga shpërthimi i bombolës së gazit janë në gjendje të rëndë.

    Gashi tha se është stabilizuar gjendja e tyre, mirëpo vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë.

    Tutje, ajo tha se njëri nga pacientët, fëmijë rreth moshës 10 vjeçare, do të dërgohet në Suedi pasi është shtetase suedeze.

    “Kemi arritur me stabilizu gjendjen, por vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë. Njëri prej tyre po dërgohet për trajtim jashtë vendit, në Suedi, meqenëse është shtetase suedeze dhe është me përqindje më të lartë të djegies. Është rreth 10 vjeç”, tha Gashi për Insajderin.

    Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje nga ngjarja që ndodhi dje në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku 14 persona pësuan lëndime trupore pas shpërthimit të një bombole gazi.

    Bombola kishte shpërthyer në bodrumin e shtëpisë ku banorët po qëndronin.

    Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen, përveç të lënduarve janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.

    “Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen. Përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale”, u tha në raportin e policisë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark