Në publik duken si oponent politik, por jo në të bërit biznes. Prishtina që udhëhiqet nga Përparim Rama i LDK-së e ka shpërblyer me tender kompaninë e vëllait të shefit të kabinetit të Kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, shkruan Insajderi.
Gazeta Insajderi
Komuna e Prishtinës i ka dhënë tender prej afro 400 mijë euro, kompanisë Management and Devlopment Associates (MDA).
Kompani kjo që lidhet me Luan Dalipin, shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti. Luan Dalipi ishte pjesë e kësaj kompanie si konsulent, ndërsa vëllau i tij, Driton Dalipi është “managing partner”.
Grupi i operatorëve Management and Devlopment Associates, Abkanos është shpërblyer me kontratë prej 389 mijë euro.
Ndërsa shërbimi që do kryejnë është “Shërbime këshilluese për planifikim, promovim dhe funksionalizim të parkut industrial në Prishtinë“.
Kjo kontratë që i kushtoi komunës afro 400 mijë euro, u dha ditën e djeshme 20.12.2023.
Kush është kompania Management and Devlopment Associates?
Në ARBK- kompanina Management and Devlopment Associates, figuron me aksionar Driton Dalipin, vëllaun e Luan Dalipit që ka 60.00 %.
Ndërsa edhe Luan Dalipi, Shefi i Stafit në Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti, gjatë vitit 2022 krahas detyrave në Qeveri, kreu punë edhe tek ky biznes.
Rrafsh 6 mijë euro janë të hyrat vjetore që ka realizuar Dalipi si konsulent, në kompaninë Management Development Associates (MDA) në Prishtinë.
Kujtojmë se edhe më herët është raportuar për tenderët që janë dhënë ndaj kësaj kompanie.
Kompania e vëllait të shefit të Kabinetit të Kurtit kishte fituar tender nga një institucion i Kosovës në vlerë prej 67 mijë euro.
Kompania e vëllait të Dalipit kishte fituar tenderin për ofrim të shërbimeve për marketing, dizajn, video-produksion dhe publikim në portale, të cilën e ka dhënë Agjencia për Privatizimin e Kosovës.