×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Konflikt interesi? Ambasadori Bajrami që ia mundësoi pagën 7,500-euroshe Gani Jakupit udhëhiqte një festival bashkë me të

    Insajderi
    27 November 2023 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gani Jakupi po paguhet 7.500 euro nga Ministria e Punëve të Jashtme e Donika Gërvallës. Jakupi është angazhuar në Bruksel nga Agron Bajrami, si ‘këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike’. Megjithatë, angazhimi i tij mund të shihet si konflikt interesi. Kjo, pasi që Bajrami e Jakupi janë bashkëthemelues të festivalit ndërkombëtar të romanit grafik ‘GRAN Fest Kosova’.

    Gazeta Insajderi është interesuar ta pyes nëse angazhimi i përbashkët i Bajramit me Jakupin dikur mund të paraqiste konflikt interesi në angazhimin e këtij të fundit si këshilltar për çështje kulturore dhe mediatike, megjithatë deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje.

    Kur Bajrami ishte propozuar për ambasador në Bruksel në fund të 2021-ës, festivali në fjalë njoftonte për largimin e tij nga strukturat e ‘GRAN FEST’.

    “Agron Bajrami, drejtor i Festivalit të GRAN Fest – Kosova, propozohet për ambasador në Belgjikë. Festivali humbet njërin nga themeluesit e tij, por Republika e Kosovës me siguri do të përfitojë nga prania e një gazetari kaq të sprovuar në një vend të ndjeshëm si Brukseli”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Në një intervistë vitin e kaluar Gani Jakupi kishte konfirmuar se ishte një nga bashkëthemeluesit e festivalit, duke treguar edhe arsyet pse e kishte sjellë një të tillë në Kosovë.

    “Granfest është një festival ndërkombëtar i romanit grafik, për shkak se në Kosovë ka potencial. Romani grafik është si roman, veq se e rrëfen me vizatime, me ilustrime. Për shkak se Kosova është e aftë me pas artista që fitojnë shpërblime ndërkombëtare në laminë e filmit”, deklaronte ndër të tjera ai në këtë intervistë.

    Se ishin ‘kokat’ e këtij festivali e konfirmojnë edhe agjendat e “GRAN FEST”. Një agjendë e festivalit ndërkombëtar për vitin 2019 prezantojnë Gani Jakupin dhe Agron Bajramin prezent në konferencë për media e në hapje zyrtare.

    Jakupi ishte i ftuar në emisionin që po udhëhiqej nga tash ambasadori Bajrami për të folur për politikën dhe artin para disa vitesh. Në atë emision ai thurte lavde ndaj partisë në pushtet, duke thënë se politika e Kosovës para ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje ishte si biznes familjar.

    “Në Kosovën nuk jam interesuar për një arsye të thjeshtë. Deri me paraqitjen e VV-së ka qenë gjithmonë si ‘family business’. Politika ka qenë si ‘family business’. Janë marrë vesh ndërmjet vete qysh po i ndajmë gjërat, cila mu e cila ty, kush më shumë e kush më pak. Nuk po bëjë propagandë për VV-në. Por besoj është shumë e shëndetshme, jo vetëm për Kosovën“, deklaronte ai.

    Madje ai kishe këshilluar se si të ‘kritikohet’ VV-ja.

    “Në njëfarë mënyre i kanë sha sa kanë mujt VV-në e tash duhet të bëjnë edhe politikë ama politikë të vërtetë. Është shumë mirë me e kritiku VV-në, por duhet argumente, duhet të jetë kritikë e vërtetë, e jo vetëm me sha e fye”, kishe pohuar ai po në atë intervistë.

    Jakupi, krah kësaj, është parë nëpër ekspozita të ndryshme me krerët e shtetit që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ka ndarë fotografi me anëtarë të kryesisë e me vetë kryetarin e kësaj partie.

    Jakupi në janar të këtij viti, bashkë me trupin diplomatik të Konsullatës së Kosovës në Strasburg kishte pritur kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën me delegacion. Ai ishte i ftuar ta prezantonte një roman të tij të titulluar “Kthimi në Kosovë”.

    “Arti dhe politika mund të jenë edhe argëtuese”, kishte mbishkruar në fotografinë miqësore që kishte shpërndarë Jakupi, me kryekuvendarin Glauk Konjufca.

    Jakupi afërsi të madhe kishte edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ky i fundit tregonte se si veprat artistike të Gani Jakupit i ndihmuan ta kuptonte jetën e popullit të Kosovës.

    “Ganiun fillimit e kam lexuar, e pastaj e kam takuar. I sapo liruar nga burgu dhe në kërkim të njohurive, për kohën që s’isha as në Kosovë dhe as i lirë vepra e tij mbresëlënëse “imazhi i fundit” (kthimi në Kosovë) , më funskioni aq mirë si kompenzim, duke më lënë të kuptoj gjendjen shpirtërore dhe përvojat jetësore të popullit tonë në Kosovën e lirë gjatë verës dhe vjeshtë së vitit 1999″, kishte shkruar Kurti gjatë 2021-tës, duke ia bashkëngjitur një fotografi të tij, bashkëshortes dhe Gani Jakupit.

    Akterë shtetërorë filluan t’ia bëjnë mbrojtjen Jakupit, pasi iu bë bujë paga enorme e tij. Kryediplomatja Donika Gërvalla, e cila dha firmën për t’ia dhënë 7,500 euro në muaj ‘artistit shumë-dimensional’, e kishte quajtur një pagë të tillë modeste.

    “Me këtë shumë modeste që nuk është pagë mujore është shumë modeste për gjithë lobimin që bënë. Ai nuk është këshilltar i imi, ai ka një kontratë. Më vjen keq që Gani Jakupi përballet me një fushatë të tillë”, deklaroi ajo.

    Të ardhurat mujore që merr Jakupi nga shteti janë ekuivalente me atë të 75 pensionistëve apo 15 policëve.

    Jakupi ka bërë “kthimin e madh” në Kosovë në peizazhin mediatik. Për të përgjatë së martës së kaluar Periskopi publikoi vendimin se ai në cilësinë e ekspertit, do t’ia gërryejë buxhetit të Kosovës 90 mijë euro vetëm për një vit.

    Për ta gjetur konsulentin, Ministria e Jashtme kishte hapur ofertë më 13 qershor 2023 dhe dy ditë më vonë, pra më 15 qershor 2023, Komisioni vendos të mblidhet për ta përfunduar procesin e vlerësimit.

    Katër ditë më vonë, më 19 qershor 2023, Ministria e Jashtme e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi, ia delegon kompetencat për këtë proces, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajramit.

    Ky i fundit, nëpërmjet vendimit të MPJ-së, të datës 19 qershor 2023, merr kompetencën që i delegohet për këshilltarin dhe të nesërmen, më 20 qershor 2023, lidh kontratë me Gani Jakupin – që sipas saj, referohet si ‘Konsulent i Jashtëm për Çështje Kulturore dhe Mediatike’

    Çka do të punojë Gani Jakupi për 7,500 euro rrogë mujore?

    Kontrata pesë faqëshe, që përmban pjesën kryesore me tri fletë dhe dy me një aneks-kontratë, e obligon Jakupin qe merr 7,500 euro pagë mujore nga Kosova, që të angazhohet kryesisht në: takime me gazetarë, artistë, drejtorë festivalesh, etj.

    Përveç pagës mujore, Jakupit i mbulohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, edhe shpenzimet e takimeve me gazetarë e artistë.

    Në kontratën bazë, Gani Jakupit i përcaktohet fushë-veprimtaria e takimeve me gazetarë e artistë në shtetet e Beneluksit (Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg).

    Por në aneksin e kontratës, i zgjerohet edhe pak kjo fushë-veprimtari dhe i caktohet edhe: Brukseli e Parisi.

    Pasi konsulenti Jakupi duhet ta marrë mundin të dalë pak nga shtetet e Beneluksit, atij i caktohet që në muajt korrik/gusht, të koncentrohet në Paris. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark