×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Gjobë, nuk ka vepër penale”, ekstremistët kërcënuan vazhdimisht imamin, u amnistuan dy herë nga prokuroria

    Insajderi
    22 July 2022 - 17:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nga prilli i vitit të kaluar imami Zeqir Berisha kishte një hall të madh. Nuk mund t’i printe lirshëm xhematit të tij në faljen e namazit. Tre vëllëzër që janë xhemat i tij besonin se imami nuk po e falte namazin sipas rregullave islame. Shfaqnin bindje ekstremiste. Kërkonin që imami të ndryshonte. E kërcënonin edhe fizikisht që t’iu bindej. Insajderi ka zbuluar historinë e këtij rasti që eskaloi mbrëmë me rrahje brutale.

    Zyra për informim e Policisë së Kosovës ka konfirmuar për Insajderin se mosmarrëveshjet mes palëve kanë nisur kohë më parë.

    Në prill të viti 2021, ishte incidenti i parë në mes palëve, i cili me vendim të prokurorit ishte inicuar si prishje e rendit dhe qetësisë publike.

    Policia e Kosovës kishte marrë masa ndaj të dyshuarve ku njërit prej tyre i ishte shqiptuar gjobë.

    “Një rast në prill të vitit 2021, mes këtyre personave ka qenë një ‘prishje e rendit dhe qetësisë publike”. Rasti është trajtuar nga Policia  dhe të dyshuarit i është shqiptuar gjoba”, thuhet në përgjigje e ZIMP dhënë Insajderit.

    Po ashtu, Policia ka trajtuar edhe një informatë për një mosmarrëveshje në fillim të këtij muaj, ku të përfshirë kanë qenë personat e njëjtë.

    Por, bazuar në rekomandimin e prokurorit të shtetit nuk ishte inicuar rast pasi nuk kishte element të veprës penale

    “Në fillim të këtij muaji, ka qenë një mosmarrëveshje ne mes dy palëve. Rasti është raportuar, janë marrë masat dhe në koordinim me prokurorin nuk është iniciuar rast sepse nuk ka pasë elemente të veprës penale”, thuhet në përgjigjet e ZIMP dhënë Insajderit.

    Shkaku që kishte dërguar në konflikti mes vëllezërve Murturi dhe imamit Berisha kishte qenë mënyra e faljes së namazit.

    Sipas Policisë, rasti i tret i cilësuar si vepër penale është rrahja brutale që ndodhi mbrëmë ku imami i xhamisë në Lupc përfundoi në Emergjencë, pas rrahjes brutale nga tre vëllezërit Murturit.

    “Personi i lënduar Z.B. mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Podujevës menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritë të arrestojnë tre persona të dyshuar. Personat e arrestuar: 1. B.M, mashkull 27vjeç 2.A.M, mashkull 28vjeç dhe 3. Sh.M mashkull 25vjeç,”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së policisë, Flora Ahmeti për Insajderin.

    Se konflikti kishte nisur që moti, e thonë edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës- dega në Podujevë.

    Mensur Hoti në një intervistë për Gazetën Insajderi tha se Hoxha gjithmonë kishte pasur ankesa për tre të dyshuarit.

    “Na si këshill jemi të shqetësuar me këtë çështje, për policin janë të njohur të dyshuarit që tashmë janë arrestuar. Kemi pasur dyshime për të njëjtit sepse ka pasur ankesa prej hoxhës, ne i kemi lajmëruar organet e rendit”, tha Hoti për Insajderi.

    Imami në gjendje të rëndë shëndetësorë thuajse pa vetëdije

    Për gjendjen e imamit për Insajderin foli edhe Mensur Hoti, kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë, Mensur Hoti menjëherë pas vizitës që i bëri në QKUK. Shtoi se gjendjen e ka të rëndë.

    “Gjendja e imamit ishte e tmerrshme, ishte shqetësues, gjendje shumë e rëndë, lëndime kishte në të gjitha pjesët e kokës, kishte pasur gjakderdhje, thyerje, qepje. Po ishte në vetëdije por nuk ishte në gjendje të flas”, tha Hoti.

    Hoti po ashtu tha se imami ishte ankuar për personat në fjalë dhe se këshilli i Bashkësisë i kishte njoftuar organet e rendit.

    “Na si këshill jemi të shqetësuar me këtë çështje, për polic janë të njohur të dyshuarit që tashmë janë arrestuar. Kemi pasur dyshime për të njëjtit sepse ka pasur ankesa prej hoxhës, ne i kemi lajmëruar organet e rendit”, tha Hoti për Insajderi.

    Rasti e ka dënuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës

    Përmes një komunikate për media BIK-u ka dënuar sulmin e rëndë që ndodhi ndaj imamit, Zeqir Berisha.

    “Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”, thuhet në komunikatë.

    BIK-u iu ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga ky sulm, dhe drejtësia ta thotë fjalën e saj.

    “Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës. Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete”, vijon komunikata.

    Fillimisht rasti ishte iniciuar si “lëndim i rëndë trupor” por vetëm pastaj me sugjerim të prokurores për Krime të Rënda rasti është duke u hetuar si “vrasje në tentativë”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark