Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka asnjë krizë kushtetuese, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të Listës Serbe.
Ai ka thënë se ligji e thotë shumë qartë rastin e dorëheqjeve të deputetëve. Sipas tij, Kuvendi do të procedojë sipas ligjit për zëvendësimin e tyre.
“Unë mendoj se me këtë ngjarje nuk ka ndodhur kurrfarë rrezikimi i rendit kushtetues të Kosovës. Kuantitativisht na ka ndodhë largim më i madh se ky, sepse këso dorëheqje nuk kemi pasur kurrë, por në aspektin ligjor është e njëjta procedurë siç ndodhë edhe me deputetë tjerë”, sqaroi kryetari i Kuvendit.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se dirigjenti kryesor për dorëheqjet nga institucionet të serbëve lokal është presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
Megjithatë, në një moment kur deputetët nga Lista Serbe do të refuzonin të zëvendësonin këta që janë larguar, atëherë do të duhej të ishte Komisioni Qendror Zgjedhor që të tregojë se si procedohet tutje.
10 Deputetë të Listës Serbe edhe zyrtarisht kanë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës mandatet e tyre.
“Dhjetë deputetë të Listës Serbe dorëzojnë dorëheqje të parevokueshme. Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjekti politik parlamentar Lista Serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”, thuhet në njoftimin e kuvendit.