Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) iu është rrëzuar një konkurs, pas një vendimi jashtëligjshëm të marrë, duke nxitur dyshime lidhur me parregullsi të mundshme.
Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës që rrëzoi konkursin për pozitën administrator në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.
Kandidati SH.K ka paraqitur ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kundër rezultatit përfundimtar dhe procesit të rekrutimit për pozitën Administrator në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje procedurale, vlerësim jo të drejtë dhe trajtim të pabarabartë. Ankesa u shqyrtua nga Kolegji i Këshillit, i cili administroi prova të shumta lidhur me konkursin, testimin, intervistat dhe aktet përkatëse.
Pas analizës, Kolegji konstatoi se ankesa është e bazuar. U vlerësua se procesi i rekrutimit nuk kishte mbështetje ligjore, pasi konkursi ishte shpallur mbi bazën e një vendimi administrativ të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për heqjen e kriterit të përvojës drejtuese, ndërkohë që ndryshimet përkatëse në rregulloren nënligjore hynë në fuqi vetëm më 30.09.2025, pra pas shpalljes së konkursit.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë edhe vendimin e KGJK’së, të datës 8 maj 2025 që largon si kriter përvojën në pozitën administrator. Në arsyetimin e tyre thuhet se në konkurset e mëparshme ky kriter ka rezultuar si pengesë.
“Pas shqyrtimit të raportit dhe diskutimeve të zhvilluara brenda Këshillit, është vlerësuar se kriteri i përvojës në pozita drejtuese, ka rezultuar pengesë dhe se në praktikë përjashton kandidatë të kualifikuar që ndonëse nuk kanë mbajtur pozita drejtuese të formalizuara, posedojnë aftësi të mjaftueshme për të ushtruar detyrat për pozitën e shpallur”, thuhet ndër të tjera në vendimin e KGjK’së.
Insajderi iu është drejtuar me pyetje Këshillit Gjyqësor të Kosovës për ta kuptuar pse ka ndodhur kjo, por të njëjtit kanë dhënë vetëm përgjigje për aspektin procedural, si dhe kanë njoftuar për rihapje të konkursit për të njëjtën pozitë.
Ata kanë bërë të ditur se lidhur me pozitën e administratorit në Supreme, janë dërguar dy ankesa në KPMSHCK.
“Në zbatim të vendimit të lartë cekur Këshilli Gjyqësor i Kosovës me Vendimin KGJK-së Nr. 477/2025 të datës 25 Nëntor 2025 ka shpallur Konkursin për Pozitën Administrator i Gjykatës Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre për Gazetën Insajderi.
Përkundër se KPMSHCK e ka konsideruar të kundërligjshme këtë precedant ligjor, konkurset lidhur me gjashtë pozita të tjera të administratorit nëpër gjykata nuk janë rrëzuar.
KGJK përpos Dhomës së Posaçme në Supreme, për të njëjtën pozitë kishte hapur konkurs me të njëjtin vendim për përvojë menaxheriale edhe në Gjykatën Supreme, Komerciale, Themelore në Gjilan, Prizren, Pejë dhe Ferizaj. /Insajderi.org/