×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Konkursi që e dërgoi në Prokurori – “E kam ditë që gruaja e mikut është kandidate për drejtoreshë”, Kryetari i Vushtrrisë flet për Insajderin

    Insajderi
    12 August 2022 - 21:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi ka raportuar dy muaj më parë se Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vushtrrisë e drejtuar nga Partia Demokratike e Kosovës ka anuluar konkurset për pesë drejtor të pesë shkollave fillore me arsyetimin se ‘Komisioni ka qenë i njëanshëm’.

    Lidhur me këtë vendim, kishte reagime të shumta nga opozita përgjatë këtyre dy muajve. Akuza të njëpasnjëshme e deri padi në prokurori.

    Insajderi ka kontaktuar kryetarin e komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili pas një muaji e gjysmë i ktheu përgjigje gazetës. Ai tha se e ka anuluar konkursin për shkak se ka pasur nepotizëm.

    “Anulimin për përzgjedhje të drejtorëve e kam bërë unë sepse ka pas subjektivizëm, ka pas nepotizëm. Këtë kam dasht me eliminu. Mënyra qysh e kam anulu konkursin e ka pas një parregullsi juridike, pastaj e kam dërgu për interpretim ligjor”, tha Idrizi për Insajderin.

    Ai më tej tha se të gjithë drejtorët që i ka kundërshtuar do të zgjedhën prap në ato pozita, për shkak se ashtu po e rregullon ligji.

    “Unë kam desht me kanë mirë me ligjin. Të gjithë drejtorat që unë i kam kontestu kanë me u zgjedh, ligji po e rregullon qashtu, kur t’i vjen rekomandimi kryetarit të komunës nuk ka të drejtë me anulu vendimin, kur t’i vjen rekomandimi prej komisionit ka të drejtë me ba ankesë tek komisioni i ankesave”, deklaroi i pari i Vushtrrisë për Insajderin.

    Idrizi tha se e ka ditur që bashkëshortja e mikut të tij është kandidate për drejtoreshë dhe se për këtë arsye e ka anuluar konkursin.

    “Këta të Vetëvendosjes janë qata që i kanë punësu gratë e veta, unë kam dasht me luftu nepotizmin edhe familjarizmin, por këta po dinë me lu lojna. Unë e kam ditë që gruaja e mikut është kandidate për drejtoreshë, për këtë arsye e kam anulu konkursin”, u shpreh Idrizi.

    Kujtojmë se gjatë muajit korrik partia opozitare në Vushtrri, Lëvizja Vetëvendosje dërgoi në Prokurori kryetarin e komunës, Ferit Idrizi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Dega e Vetëvendosjes kishte bërë të ditur se kallëzimi penal ndaj kryetarit Idrizi është bërë për shkak të anulimit të konkursit për drejtor të shkollave.

    “Grupi i Asambleistëve tanë në Kuvendin Komunal ka ushtruar Kallëzim Penal për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ndaj kryetarit të komunës z. Ferit Idrizi në lidhje me anulimin e konkursit për drejtor të shkollave. Ju rikujtojmë se për disa seanca me radhë kryetari dhe subjekti i ti politik me arrogancën e numrave dhe retorikës pamundësuan qfardo debati në lidhje me ketë çështje në seancat e kuvendit”, thuhet në postimin e LVV-së në Facebook.

    Më tej, me 1 gusht 2022, kryetari Idrizi anuloi njoftimin për anulim të konkursit për drejtorët e pesë shkollave, ndërsa me 3 gusht Drejtoria e Arsimit publikoi rezultatet e konkursit për drejtorë.

    Lidhur me zhvillimet e ditëve të fundit asambleisti i LVV-së, Refik Maloku tha për Insajderin se kreu i komunës po shkel ligjet dhe procedurat administrative.

    “Kryetari Ferit Idrizi po vazhdon të abuzojë me pozitën zyrtare duke bërë shkelje të ligjeve dhe procedurave administrative. Më 01.08.2022 Drejtoria për Arsim me anë të një akti të paparë administrativ publikojë “Vendimi për njoftim”?!, përmes të cilit njoftoj se Kryetari e ka anuluar vendimin e vet për anulim të vlerësimit të komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave. Më 03.08.2022 Drejtoria e Arsimit publikoi rezultatet e konkursit për drejtorë sipas rekomandimit të komisionit. Të gjitha këto “masakra administrative”, penale dhe juridike i mbetin prokurorisë t’i hetojë” ka thënë Maloku./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark