×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Kontrata ishte e ligjshme, KEK-u nuk shpenzoi asnjë cent për të dhe u shpërndanë lajme të rrejshme- nga firma e avokatëve RZZ flasin për Insajderin

Insajderi
02 May 2023 - 16:29
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kontrata e tyre u përfshi në dosjen e PSRK-së si kontratë e dyshimtë me KEK-un. Por, për këtë kontratë mes kësaj korporate dhe firmës së avokatëve “RZZ Law” KEK nuk ka shpenzuar asnjë cent deri më tash. Në vazhdën e diskutimeve publike madje u lansuanë edhe lajme të rrejshme se njëri nga ortakët ishte këshilltar i Ministrit Arben Vitia. Edhe se kontratat e negociuara janë të jashtëligjshme. Për krejt këto debate, lajme të rrejshme e situatën aktuale ligjore në përfshirjen e “RZZ LaW” në rastin e Kryeshefit Nagip Krasniqi, për Insajderin kanë folur nga kjo firmë avokatësh.

Gazeta Insajderi

Një hetim kundër Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi po vazhdon nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Krejt çka dihet në këtë hetim deri tash është që në seancën e parë ku atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditës, janë përmendur dy kontrata të dyshimta.

Kontrata e KEK me “Litwin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 3.4 milionë euro, është cilësuar si e dyshimtë, ani pse KEK në një reagim ka treguar se ajo është shkëputur dhe asnjë cent nga buxheti I ndërmarrjes për të nuk është dhënë.

Në dosjen e Prokurorisë është përmendur edhe kontrata që ka nënshkruar KEK dhe Kompania e Avokatisë “Rexhepi Zeqiri Zejna”.

Të kontaktuar nga Insajderi, në këtë firmë avokatësh kanë treguar që janë të gatshëm të sqarojnë në lidhje me këtë kontratë, për atë që sipas tyre për “çështjet që janë ngritur nga disa media, e që në shumë raste ka pasur edhe pasaktësi në raportime”

Sipas Isuf Zejnës, njërit nga partnerët në këtë firmë  aktiviteti i prokurimit “Angazhimi i kompanisë ligjore” me numër të prokurimit KEK-22-6345-2-2-1, kompania ka ofertuar dhe sipas dokumenteve që janë edhe publike siç është procesverbali i hapjes së ofertave, oferta e kësaj firme avokatësh ishte më e lira.

“Autoriteti kontraktues e ka anuluar këtë aktivitet të prokurimit, duke i shpallur të gjitha ofertat të papërgjegjshme për shkak të gabimeve aritmetike dhe njëra nga to për shkak të garancionit të ofertës”, thotë Zejna.

Në këtë kontratë, sipas tij përfshihen lloje të shërbimeve, “citoj dosjen e tenderit: “Qëllimi i angazhimit te konsulentit  është  te jap këshilla në fazat më të hershme, këshilla për  planifikimin kohor te prokurimeve, këshilla mbi proceset e prokurimit përshtatshmëria të një zgjidhjeje të caktuar, te barte përvojën e tyre për mënyrën më të mirë  për stafin e KEK-ut për të marrë përfitimet maksimale ndërsa  OE që të inkurajojnë  për te konkurruar, bartja e njohurive te stafin e prokurimit  mbi përgatitjen e dosjes se tenderit, te kritereve të vlerësimit dhe klasifikimi, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve qe mund te paraqiten, përpilimin e shkresave si dhe pjesëmarrja ne seanca ne OSHP, ne procese gjyqësore  apo arbitrazh ne rast te kontestit”.

Dosja është publike, mbi shërbimet që kjo firmë avokatësh do ti ofrojë KEK-ut.

Nga kjo firmë kanë treguar për Insajderin se pasi që  kanë marrë njoftime nga mediat se kontrata është pjesë e hetimit penal, “menjëherë i kemi kërkuar Zyrtarit përgjegjës të prokurimit dhe Menaxherit të Kontratës që kjo kontratë të pezullohet, deri në sqarimin e situatës sa i përket hetimit penal”, thotë Zejan.

Ai tregon që edhe pse kanë bërë kërkesë që të pezullohet kontrata në fjalë, prapë besojnë se ajo është e ligjshme. Dhe, tregon që megjithëse në publik flitet ndryshe për këtë kontratë, KEK në fakt nuk ka shpenzuar asnjë cent deri më tani për të njëjtën.

“Ne besojmë që kontrata është tërësisht e ligjshme dhe në përputhje me Nenin 35 të Ligjit të Prokurimit Publik, mirëpo meqë ka dyshime nga Prokuroria, kemi shprehur vullnetin që ta pezullojmë këtë kontratë për të shmangur çfarëdo keqkuptimi. Ju njoftoj se deri më sot, vlera e shërbimeve të faturuara për KEK është zero (0) Euro”.

Derisa pretendimet e Prokurorisë janë edhe për konflikt interesi në raport me këtë kontratë, pasi që avokati Zejna, që është edhe ortak në këtë firmë, në kapacitete private e kishte shoqëruar Kryeshefin Nagip Krasniqi në intervistm të para disa kohësh në Polici, Zejna ka një shpjegim krejt tjetër për këtë situatë.

Madje tregon që për KEK-un, dhe institucione të tjera publike dhe jo vetëm, si kompani kanë ofruar edhe shërbime pa pagesë.

“Unë e kam shoqëruar z. Krasniqi në dy raste pranë Policisë së Kosovës në lidhje me intervistimin e tij si dëshmitar. Kryeshefi i KEK dhe menaxhmenti i lartë për më shumë se një (1) vit në baza ad-hoc, kanë marrë këshilla ligjore nga kompania jonë pa kompensim financiar. Ofrimi i shërbimeve pro bono për institucionet publike është një nga vlerat e Shoqërisë së Avokatisë Rexhepi Zeqiri Zejna LLC. Vlen të thuhet se shërbime të tilla pa pagesë kemi ofruar edhe në të kaluarën edhe tani për disa institucione publik dhe  OJQ, pasi që konsiderojmë se puna vullnetare duhet të jetë praktikë e cila duhet promovuar në komunitetin e avokatëve në Kosovë”, ka thënë Zejna për Insajderin.

Derisa po diskutohej në publik për këtë kontratë, ishte shpërndarë edhe një lajm i rrejshëm se avokati Isuf Zejna ka qenë edhe këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai ka shpjeguar për Insajderin se si u shpërnda ky lajm i rrejshëm.

“Nuk kam qenë asnjëherë këshilltar apo pjesë e kabinetit të ndonjë ministri dhe as e z. Vitia. Angazhimi im në Ministrinë e Shëndetësisë është bërë përmes Bankës Botërore përkatësisht projekteve të saj për ndihmë në sektorin e shëndetësisë. Puna ime në Ministri të Shëndetësisë lidhet me ofrimin e shërbimeve ndaj administratës dhe Sekretarit të Përgjithshëm përmes Departamentit Ligjor të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilit i dorëzohen raportet e punës”, ka thënë Zejna për Insajderin.

Në publik, qëllimisht ishte ngatërruar angazhimi i avokatit Zejna në Ministrinë e Shëndetësisë me kontratën që firma ku ai është ortak mori në KEK. Zejna në një prononcim për Insajderin ka folur edhe për këtë pjesë.

“Ftesa për negocim të tenderit nga KEK nuk ka asnjë lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë, pasi që KEK ka ftuar kompaninë për të negociuar, ndërsa angazhimi im në Ministri ka qenë i kontraktuar mbi bazë individuale. Çfarëdo paralele në mes të KEK dhe Ministrisë së Shëndetësisë është i gabuar dhe i pasaktë”, ka thënë ai për Insajderin.

Shoqëria e Avokatisë “Rexhepi Zeqiri Zejna LLC” aktualisht është një nga  firmat ligjore më të mëdha në Kosovë si për nga numri i personave të angazhuar ashtu edhe për nga portfolio i shërbimeve që ofrojnë. “RZZ Law” ka një përvojë në bashkëpunim me institucionet publike, pasi që ata kanë punuar që nga themelimi me shumë komuna, ministri, agjenci të tjera edhe me angazhime vullnetare edhe me kontrata.

“Në rastin përkatës konsiderojmë se pa të drejtë jemi akuzuar për lidhje të një kontrate të negociuar, pasi që në rastin e ofrimit të shërbimeve të tilla profesionaliteti dhe besimi nuk mund të ofrohen domosdoshmërish përmes procedurave të hapura ku kriteri i vetëm është çmimi më i lirë”, ka thënë Zejna.

Në Kosovë në vitet e fundit, janë mbi 30 kontrata për shërbime ligjore të lidhura me këtë procedurë.

Në të njëjtën formë janë lidhur edhe kontratat për shërbime të marketingut nga shumë institucione e ku edhe mediume të caktuara që raportojnë edhe për këtë rast te kontratës mes KEK dhe “RZZ Law” me konotacion të kontratës së paligjshme,  kanë qenë kompani të kontraktuara dhe kjo në asnjë mënyrë nuk e bënë procedurën e negociuar si të paligjshme.

“Përkundrazi në këto raste qëllimi i kontratës arrihet më mirë përmes procedurës së negociuar. Kjo madje është edhe në përputhje me praktikat evropiane dhe Direktiven 2014/24 Neni 10, ku shërbimet e tilla ligjore janë të përjashtuara nga prokurimet dhe i nënshtrohen rregullave të veçanta”, ka sqaruar në fund Zejna. / Gazeta Insajderi.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark