
Republika e Kosovës dhe ajo e Belizesë kanë nënshkruar marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Nënshkrimet janë vënë në një ceremoni rasti të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork.
Marrëveshja është nënshkruar nga Përfaqësuesja e Përhershme e Belizesë në Kombet e Bashkuara Sh.S. Ambasadorja Lois M. Young, e cila ishte e shoqëruar nga ambasadorja Janine Coye Felson, zëvendësshefe e misionit, dhe i ngarkuari me punë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Ylber Kryeziu.
“Përmes kësaj marrëveshjeje të dy qeveritë janë pajtuar që të thellojnë marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit bilateral, si dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrafshin e politikës ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Palët e cilësuan historike këtë marrëveshje në mes të dy shteteve”
Kryeziu ka falënderuar ambasadoren Young dhe Qeverinë e Belizesë për njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës dhe përkrahjen e vazhdueshme.
Ambasadorja Young, ka uruar Kryeziu për të arriturat e Kosovës në konsolidimin e shtetit dhe ka siguruar atë që Belize do të vazhdojë të luajë një rol mbështetës për njohjen e mëtutjeshme të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Belize është shteti i 89-të me radhë që hyn në marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës.
Belize, shtet anëtar i Komonuellthit, është i vetmi anëtar i të tri organizatave kryesore rajonale të Amerikës Qendrore si: CARICOM, CELAC, dhe SICA. Gjithashtu, Belize është një anëtar shumë i respektuar dhe me ndikim në Kombet e Bashkuara.
“Marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe Belizesë gjithashtu i është dërguar edhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon për t’u përcjellur tek të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate”./Insajderi.com