Të dhëna nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tregojnë se Kosova dhe Shqipëria konsumojnë shumë pak energji elektrike, në krahasim me vendet tjera në rajon.
Të njejtat supozojnë se kërkesa për rrymë në Kosovë ishte rritur jashtzakonsht shumë gjatë viteve që po lëmë pas dhe se i njejti trend i rritjes pritet të përcjellë vendin edhe në vitet në vijim.
Sipas Ministrit Lluka, deri më 2026 kërkesa për rrymë në Kosovë pritet të shënojë rritje deri në 19%.
‘Megjithëse Kosova ka shënuar rritje të vazhdueshme të kërkesës për rrymë, vendi përballet me konsumin më të ulët të energjisë elektrike për kokë banori në rajon dhe më gjerë’, thuhet në raportin e Agjencisë për Kosovën.
‘I vetmi vend me konsum më të ulët të energjisë elektrike për kokë banori është Shqipëria, një vend që ka një klimë shumë më të butë në krahasim me Kosovën, ku energjia elektrike përdoret edhe për ngrohje gjatë muajve të dimrit’, thuhet në sqarim.
Sipas raporteve, një Kosovar konsumon pak më shumë se 2,500 kWh energji elektrike deri sa mesatarja e konsumit për person sipas OECD duhet të jetë diku rreth 8,000 kWh. Vetëm gjatë vitit 2017, kërkesa për rrymë në vend kishte shënuar një rritje prej 6.75%.
Nevoja për zhvillim industrial dhe ekonomik do të shtyjë një rritje më të shpejtë të kërkesës për energji elektrike në Kosovë. Vetëm për të arritur tek parametrat rajonal të konsumit, Kosovës i duhet të dyfishojë konsumin e energjisë elektrike për kokë banori.
Sipas Bloomberg, edhe në botë kërkesa për energji elektrike pritet të shënojë rritje prej 57% deri në vitin 2050. Kjo edhe ka shtyrë investime të shumta në kapacitete të reja të prodhimit të energjisë elektrike.