×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova, “e vetme” lufton terrorizmin në rajon

    Insajderi
    07 June 2016 - 12:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, si dhe mungesa e marrëdhënieve diplomatike me këto dy vende të rajonit, është pengesë kryesore  për luftimin e terrorizmit.

    “Me Serbinë dhe Bosnjën ka deficit pothuajse total të këmbimit të çfarëdo informacioni. Ndërkohë që me vendet tjera të rajonit ne kemi bashkëpunim të mirë, përgjithësisht. Diku më mirë e diku jo edhe aq kënaqshëm. Me Shqipërinë kemi bashkëpunim të ngushtë, ndërkohë që me vendet tjera, ende ka shumë punë për tu bërë”.

    “Ka bashkëpunim me Malin e Zi, por me Maqedoninë ndonjëherë është pak sa më i ndërlikuar bashkëpunimi. Sido që të jetë, Kosova është shumë e hapur për bashkëpunim në këtë fushë. Natyrisht, për bashkëpunim në kanale strikte zyrtare dhe serioze”, ka theksuar ministri Hyseni.

    Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për terrorizmin, gjithashtu është thënë se “anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në, është bllokuar nga shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj. Mungesa e anëtarësimit dhe mosnjohja e pengojnë bashkëpunimin rreth shumë çështjeve, përfshirë edhe kundër terrorizmit”.

    Muajin e kaluar, Kosova ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX-in, agjenci kjo e specializuar e Bashkimit Evropian për menaxhim të kufijve dhe luftimin e të gjitha krimeve tej kufitare, përfshirë edhe ekstremizmin.

    Megjithatë, mospranimi i Kosovës, si shtet i pavarur, nga ana e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe 5 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e ka lënë vendin jashtë organizmave ndërkombëtarë të sigurisë, sikurse Interpoli.

    Ministri Hyseni, thekson se mungesa e shkëmbimit të informatave me organizmat e tillë dhe me iniciativat rajonale të sigurisë, e hendikepon Kosovën në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

    “Ne kemi nevojë për qasje në këmbim ndërkombëtar të informacionit. Kryesisht dhe në rend të parë për të pasur informacione për qytetarë të huaj që hyjnë në Kosovë, që vijnë në Kosovë për vizitë. Dhe ne, nuk kemi informacione. Ka plot qytetarë të Lindjes që vijnë në Kosovë për vizita të ndryshme dhe ta zëmë që Interpoli mund të ketë informata kredibile për ndonjë të tillë. Por, ne nuk i kemi ato sepse nuk kemi bashkëpunim bilateral”, tha Hyseni.

    Megjithatë, ministri Hyseni ka shtuar se për sa i përket bashkëpunimit me qytetarët e Kosovës, në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, institucionet e sigurisë së vendit kanë shënuar sukses mjaft të mirë dhe sipas tij, në këtë pikë, Kosova qëndron më mirë se shumica e vendeve të Evropës./rel

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark