×
  • Showbiz
  • Show

    Kosova është shtet: Dua Lipa zotohet se gjithmonë do ta ngritë zërin

    Insajderi
    26 January 2022 - 00:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, është zotuar se gjithmonë do ta ngritë zërin për çështjen e vendlindjes së saj dhe kundër mohuesve të shtetit të Kosovës.

    Në një intervistë për “Wall Street Journal Magazine”, Lipa ka folur për komentet politike që i merr për shtetin ku kaloi një pjesë të fëmijërisë.

    “Lexoj shumë komente nga njerëzit që më thonë se unë s’kam shtet, s’kam identitet, Kosova nuk ekziston”, ka thënë ajo. “Unë kam jetuar në Kosovë, di për jetët që janë humbur. Që dikush të ma mohojë identitetin tim dhe përjetimet e mia, është vështirë të rri e të mos flas për këtë. Andaj kjo është diçka që do ta bëj gjithmonë”.

    Krijuesja e hitit “Levitating” ka komentuar lidhjet e saj të forta me familjen dhe miqtë. Ka thënë se gjithmonë ndjen një rehati kur është në këtë rreth.

    Familja e Lipës ishte larguar nga Kosova në vitin 1992. Këngëtarja, si fëmijë, ishte kthyer në Kosovë me familje kur i kishte vetëm 11 vjet, por u kthye në Londër katër vjet më pas për të ndjekur karrierën muzikore.

    Gjatë gjithë kohës, ajo ka ruajtur lidhjen me Kosovën. Vazhdimisht ka bërë postime për të, por se gjithmonë është përballur me komente të ashpra.

    Kjo s’është hera e parë që Lipa ka komentuar komentet online. Duke folur për “The Guardian” më 2010, ajo i pati quajtur “të pahijshme” reagimet që merr në raste të caktuara.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark