Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur këtë të hënë seancën e fundit stërvitore, në prag të ndeshjes me Qipron në Ligën e Kombeve.
Kjo do të jetë edhe ndeshja e fundit për “Dardanët” për këtë edicion – e gjashta në Grupin 2 të Ligës C.
Kosova synon fitoren për të ruajtur pozitën e dytë në grup, në të cilën momentalisht renditet me 6 pikë – vetëm një më shumë se Irlanda e Veriut dhe Qipro.
“Dardanëve” i mjafton edhe barazimi për të mbetur në Ligën C edhe për sezonin e ardhshëm, por nuk duhet që asgjë t’i lihet rastit.
Të hënën mbrëma, Kosova mbajti seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku edhe do të zhvillohet ndeshja nesër nga ora 20:45.
Një lajm i mirë është se Amir Rrahmani ka stërvitur normalisht, duke qenë aktiv gjatë tërë kohës. Kapiteni nuk luajti në ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut shkaku i lëndimit, teksa përzgjedhësi i Kombëtares, Alain Giresse, në konferencën për media sot tha se Rrahmani ka bërë progres, mirëpo mbetet për ta vlerësuar se a do të ketë mundësi për të luajtur.
Lojtari tjetër që është në dyshim për ndeshjen kundër Qipros, Arijanet Muric, nuk ishte i pranishëm në stërvitje.
Portieri ka pushuar me qëllim të rikuperimit nga lëndimi, teksa mbetet të shihet nëse do të jetë i gatshëm për sfidën e nesërme.