×
  • Sport
  • Sport

    Kosova në vazon e fundit bashkë me Shqipërinë

    Insajderi
    20 April 2023 - 18:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është në një vazo me Shqipërinë në shortin për raundin e tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Përfaqësueset janë ndarë në vazo, në bazë të ranglistës botërore. Vazot janë publikuar të enjten nga FIBA.

    Kosova është në vazon e tretë, përkatësisht të fundit. Është e para në vazon e tretë, ndërsa pas saj janë Norvegjia, Irlanda dhe Shqipëria.

    Në vazon e parë janë Kroacia, Bullgaria, Rumania dhe Zvicra. Ndërsa në vazon e dytë bëjnë pjesë Danimarka, Sllovakia, Austria dhe Luksemburgu.

    Shorti do të tërhiqet më 25 prill.

    Dymbëdhjetë përfaqësueset do të ndahen në katër grupe me nga tri ekipe. Ndeshjet do të luhen prej 19 korrikut deri më pesë gusht të këtij viti.

    Vetëm fituesit e katër grupeve të raundit të tretë të parakualifikimeve kalojnë tutje. Gjasat e Kosovës nuk vlerësohen shumë të mëdha.

    Kosova ishte paraqitur pa shumë sukses në raundin e parë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Në grup me Danimarkën dhe Norvegjinë kishte mbetur e fundit. Kishte shënuar një fitore ndaj Danimarkës, ndërsa kishte humbur tri ndeshjet e tjera. Shqipëria ishte në grup me Rumaninë e Luksemburgun dhe po ashtu kishte mbetur e fundit në grup. Edhe kuqezinjtë kishin një fitore e tri humbje.

    Basketbolli në Kosovë është në nivel dukshëm më të lartë se në Shqipëri. Këtë, ndër të tjera, e ka dëshmuar edhe Liga Unike, që nuk po zhvillohet më. Ndërkohë interesimi për ndeshjet e Superligës së Kosovës aktualisht është në kulm.

    Sa u takon përfaqësueseve, niveli aktualisht vlerësohet më i përafërt. Vendosja në një vazo e dëshmon këtë. Për shortin e raundit të parë parakualifikues Kosova ishte e dyta në vazon e dytë, ndërsa Shqipëria e treta në vazon e tretë.

    Ka kohë që Kosova nuk ka pasur cikël të suksesshëm kualifikues. Kalimin e vetëm tutje e kishte arritur me amerikanin Brad Greenberg në stol, në parakualifikimet për “Botërorin 2019”. Ndeshjet ishin luajtur në gushtin e vitit 2019, ndërsa Kosova kishte lënë prapa Maqedoninë e Veriut për të avancuar tutje./Koha/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark