×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    “Kosovamed Health Care” që përfitoi qindra mijëra euro nga komuna e Drenasit, operoi pa licencë nga MSH-ja

    Insajderi
    30 November 2023 - 15:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi dy javë më parë ka raportuar se Inspektorati Shëndetësor ia ka pezulluar punën kompanisë ‘Kosovamed Health Care sh.p.k’, e cila ishte përfituese e kontratës në vlerë mbi 372 mijë euro nga Komuna e Drenasit. Arsyeja nuk ishte bërë e ditur. Gjatë kësaj jave Ministria e Shëndetësisë ia ka konfirmuar Gazetës Insajderi se pezullimi kishte ndodhur për faktin se kjo kompani nuk ka licencë për ofrim të shërbimeve shëndetësore. Insajderi ka mësuar se kompania në fjalë nuk është licencuar asnjëherë.

    Operatorit “Kosovamed Health Care sh.p.k” i është ndaluar ofrimi i Shërbimeve Shëndetësore nga Inspektorati Shëndetësor shkak i mungesës së licencës.

    “Ju informojmë se Inspektorati Shëndetësor e ka trajtuar këtë rast dhe sipas inspektimit, Operatori “Kosovamed Health Care sh.p.k” nuk ka licencë për ofrim të shërbimeve shëndetësore. Operatorit “Kosovamed Health Care sh.p.k” i është shqiptuar Vendim nga Inspektorati Shëndetësor me të cilin i është ndaluar ofrimi i Shërbimeve Shëndetësore“, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Madje, kjo kompani po del të mos jetë e licencuar kurrë përkundër se ka fituar edhe më herët tenderë nga komunat e tjetra përpos asaj të Drenasit.

    Këtë e ka konfirmuar vetë Ministria e Shëndetësisë, të cilët thanë se “Kosovamed Health Care sh.p.k” as që figuron në databazën e Divizionit për Licencim dhe Akreditim të IPShve.

    “Ju informojmë se në databazën e Divizionit për Licencim dhe Akreditim të IPSh-ve, nuk figuron të jetë licencuar Institucioni “Kosovamed Health Care sh.p.k“, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Insajderin.

    Ndërkaq, pronari i KosovaMed Healthcare SHPK, Kastriot Asllani tha për Insajderin se nuk ofrojnë shërbime shëndetësore, por staf mjekësor.

    Ju njoftojmë se KosovaMed Healthcare SHPK, nuk ofron shërbime shëndetësore, por, ofron stafin profesional mjekësor për QKMF Drenas, të cilët e regjistrojnë orarin e tyre ne QKMF, e jo ne KosovaMed Healthcare SHPK“, tha Asllani.

    Përkundër që Gazeta Insajderi në tekstin paraprak nuk ka shkruar diçka të pavërtetë, por, vetëm ka cituar zyrtarët komunal të Drenasit, pronari i KosovaMed Healthcare sh.p.k ka paralajmëruar se do t’i ndjek hapat ligjor kundër Insajderit në Këshillin e Pavarur të Mediave.

    Nëse dëshironi vetëm të postoni lajme te pavërteta, ne do te i ndjekim te gjitha rrugët e nevojshme ligjore dhe të jeni të bindur që do të ju paraqesim ne Këshillin e Pavarur të Mediave”, tha Asllani.

    Komuna e Drenasit në qershor 2021‘ës kishte nënshkruar kontratën me “KosovaMed Health Care” Sh.P.K, me titull “Kujdesi socio-shëndetësor shtëpiak dhe ambulator për qytetaret e komunës së Drenasit“. Vlera e kësaj kontrate është plot 372,600.00 euro 

    Nga Komuna e Drenasit kanë konfirmuar se Inspektorati Shëndetësor ia ka pezulluar punët e kompanisë, por nuk kanë treguar detaje përse ka ndodhur kjo.

    Pezullimi i punës se kompanisë ka ardhur si rekomandim i Inspektoratit Shëndetësor, të cilin e kemi respektuar deri në marrjen e një vendimi prej institucioneve përkatëse“, tha Bekim Dobra, zyrtar për media.

    Nga komuna nuk iu përgjigjen pyetjes së Insajderit se a ka licencë kompania “KosovaMed Health Care”, por, thanë se punëtorët e saj kanë licenca valide të punës.

    Drejtori i QKMF-së, njëherësh menaxher i kontratës, organeve përkatëse u ka ofruar dokumentacionin e plotë lidhur me shërbimet e kryera sipas kërkesës. Të gjithë punëtorët e OE “KosovaMed Health Care” Sh.P.K. që ofrojnë shërbime sipas kontratës janë të pajisur me licenca valide të punës, të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë“, thuhet në përgjigje.

    Tutje, zyrtari Bekim Dobra tha se shërbimet janë kryer konform kontratës dhe se nuk kanë marrë ndonjë vërejtje nga pacientët ose menaxheri.

    Të gjitha shërbimet janë kryer konform kontratës, përkatësisht paramasës dhe projektit “Kujdesi Socio-Shëndetësor shtëpiak dhe ambulator për qytetarët e Komunës së Drenasit”, me nr. 195, dt. 11.5.2021, dhe nuk kemi pasur vërejtje verbale apo me shkrim nga pacientët apo nga vet menaxheri/mbikëqyrësi i kontratës“, theksoi ai.

    Kurse, drejtoresha e shëndetësisë në Drenas, Lumnije Krapi tha se kjo lëndë është në auditim dhe po presin rezultatin.

    Lënda është në auditim dhe presim rezultatin. Komuna e Drenasit do të veproj në bazë të legjislacionit në fuqi, ndërsa sa i përket pyetjeve rreth kompanisë nuk i përkasin kompetencave të drejtorisë“, tha drejtoresha Krapi. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark