×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Kostot shtesë për buxhetin rrezikojnë rritjen e pagës minimale

    Insajderi
    01 June 2019 - 14:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ditën e enjte u miratua rezoluta në Kuvendin e Kosovës për rritje të pagës minimale nga 170 euro në 250 euro. Përkundër kësaj po kërkohet të bëhet kujdes dhe përmes një analize të mirëfilltë të zbatohet në praktik. Edhe pse rritja e pagës minimale e prek sektorin privat, përmes disa vendimeve për skema pensionale që lidhen me veteranët mund të ketë kosto rreth 35 milionë euro në vit për buxhetin e shtetit.

    Pavarësisht kësaj, rritja e pagës minimale po konsiderohet që mund të ndryshojë edhe bazën e aftësisë  konkurruese të sektorit privat. Kurse nga sindikatat e punëtorëve nuk ka optimizëm për rritje të pagës minimale.

    Nga Qeveria e Kosovës shprehen se në parim janë për rritje të pagës minimale, por treguan se kanë hezitime tek pjesa e rritjes së kostos buxhetore për shkak të një vendimi që ka të bëjë me veteranët e luftës.

    Haki Shatri, këshilltari i kryeministrit, Ramush Haradinaj thotë për KosovaPress, se i vetmi problem për zbatimin e një vendimi të tillë është mundësia e rritjes së pensioneve të veteranëve dhe të jetë e barabartë me pagën minimale.

    “Qeveria e ka të vetmin problem ajo pjesa ku lidhet dhe obligimi për veteranët e luftës me pagën minimale. Nuk është në ligj, por kur është vendosur për kompensimin e veteranëve, dikush në një moment është thirrur në atë që kompensimi për veteranët të jetë paga minimale që është kjo pjesa e 180 euro…kërkesat vazhdimisht shkojnë nga ajo që kompensimi të përcillet me pagën minimale. Sepse është bërë një tradite edhe tash kjo ka një efekt, kosto shtesë buxhetore. Kur e dina se ende ka dilema për numrin janë ende të pasqaruar nga institucionet e drejtësisë. Në këtë pjesë Qeveria ka hezitime dhe ka pak rezerva”, thotë ai për KosovaPress.

    Ndërkaq, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë për KosovaPress, se paga minimale nuk duhet të rritet pa pasur një analizë të mirëfilltë, pasi kjo do të ndikojë te aspekti i punësimit tek rinjtë brenda sektorit privat.

    Zeka mes tjerash theksoi se vendimi  i tillë do të rëndonte dhe mbi buxhetin e vendit në skemat pensionale dhe sociale që janë të lidhura me lartësinë e pagës minimale.

    “Kemi qenë të lumtur që Qeveria e vendit nuk ka marr një vendim tash e 2 vite realisht për ngritjen e pagës minimale. Jo pa një analizë të mirëfilltë, jo duke u bazuar në parametra real të zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Të bazuar në nivelin e pagës mesatare në nivel vendi e cila natyrisht ndikohet për të keq na niveli shumë i lart në sektorin publik. Nuk është kriteri i duhur, kjo shkakton telashe të tjera. Sidomos sa i përket punësimit tek të rinjve brenda sektorit privat. Pa i përfshi dhe aspektet tjera që i ka ngritja e tillë e pagës minimale në skemat sociale dhe skema të tjera pensionale që janë të ndërlidhura me lartësinë e pagës minimale…një ngritje e tillë do të rëndonte mbi buxhetin e vendit, do të rriste presionin në nivelin e të hyrave tek bizneset ekzistuese dhe natyrisht do të rëndonte dhe më tej të mjedisin e të bërit biznes”, thotë Zeka.

    Se ka nevojë për analiza më të mëdha për ngritje të pagës minimale e thotë dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku.

    “Rritja e pagës minimale nënkupton implikacione të tjera ekonomike të cilat Qeveria duhet t’i merr parasysh dhe duhet t’i bëjë llogaritë e duhura. Por, ajo që është aktuale është se ky nivel i pagave është i ulët dhe as përafërsisht nuk e mbulon shportën e çmimeve të konsumit të familjeve kosovare. Prandaj vërtet po them që ende ka nevojë për analiza relevante që ndërlidhen me situatën makro-ekonomike me trendin e zhvillimit afatgjatë të Kosovës. Por kjo analizë duhet të merret me pabarazinë me të ardhurat në mes familjeve”, është shprehur Sadiku.

    Skepticizëm për ngritje të pagës minimale ka dhe nga ana e kryetarit të BSPK-së, Avni Ajdini, i cili thotë se deri më tani ka pasur premtime të vazhdueshme të krerëve institucional, por pa ndonjë rezultat.

    Për Ajdinin rritja e pagës minimale deri në 250 euro siç është deklaruar është e pamjaftueshme dhe për këtë ai kërkoi që për shkak të rritjes së shportës së qytetarit ajo të jetë deri në 300 euro.

    “Premtime kam pasur mjaft duke filluar prej kryeministrit që më ka premtuar më ka thënë kryetar kjo punë është e kryer…paga minimale tani duhet të jetë 300 euro. Kështu  duhet të modifikohet sepse standardi i jetës është ngritur dhe aty tash  ka mbërri tek paga minimale 300 euro. Të merret nga institucionet relevante dhe të korrigjohet në bazë të skemave të cilat i kanë parametrat institucionet unë them që del tek 300-shi duke marr parasysh shportën e qytetarit”, ka thënë Ajdini.

    Paga minimale në Kosovë nuk është ngritur prej vitit 2011.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark