Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka dënuar gjuhën që e kanë konsideruar me përmbajtje kërcënuese të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Iliaz Beqiri, të përdorur të premten në seancën gjyqësore ndaj saj, në të cilën akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
KPK-ja i ka bërë thirrjes Haxhiu të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese ndaj sistemit prokurorial.
“KPK-ja i bënë thirrje Ministres Haxhiu edhe një herë që të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme kërcënuese ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, sepse gjuha e saj e përdorur është tentativë për ndërhyrje në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimi.
Haxhiu kërkoi sot nga prokurori t’i tërhiqet akuza për hedhje të gazit lotsjellës.
“Prandaj, ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza. Nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë”, ka deklaruar Haxhiu.