×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    LDK’së i shkon huq mundi për t’i hyrë në hatër Kurtit, tash dalin me kritika për Haxhiun

    Insajderi
    10 February 2023 - 22:29

    Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka shkuar huq mundi për t’i hyrë në hatër kryeministrit. Albin Kurti. Përderisa një ditë më parë, deputetja që doli nga VV-ja për shkak “projektligjit të keq” për Byron si deputete e LDK-së e votoi atë. Sot, Doarsa Kica-Xhelili e ka kritikuar ashpër ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Kica-Xhelili ka thënë se Haxhiu nuk po kërkon drejtësi, por dorëzim.

    “NË EMËR TË POPULLIT DORËZOHU E gjithëpushtetshmja Albulena Haxhiu, prokurorit të rastit të saj, sot i tha “Dorëzohu”. Këta nuk duan drejtësi, duan dorëzim!, ka shkruar ajo në Facebook.

    Deputetja e LDK-së, madje ka kërkuar nga kryeministri Kurti që jap llogari për ministren Haxhiun. Duke përmendur se në shtetet demokratike kjo qasje nuk tolerohet.

    “Kryeministri Kurti nga sot ka përgjegjësi absolute të jap llogari për ÇDO DITË shtesë që Albulena Haxhiu e kalon në Ministri të Drejtësisë.  Shtetet demokratike këtë gjuhë nga ekzekutivi ndaj institucioneve të drejtësisë nuk e tolerojnë. Nuk i kemi duruar më parë e nuk do ti durojmë as tash!”, u shpreh ajo përcjell Insajderi.

    Përveç, Kicës-Xhelelit edhe akterë tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës e kanë kritikuar Haxhiun për gjuhën e përdorur sot ndaj prokurorit Ilaz Beqiri.

    Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka thënë se mendësia e gazit lotsjellës vazhdon edhe në qeverisje, por sipas saj, tani shndërrohet në kërcënim.

    Mendësia e gazit lotsjellës vazhdon edhe në qeverisje, por tashti shndërrohet në kërcënim, si reflektim i qasjes së dhunshme. Gjuha, komunikimi përfaqëson e përcakton atë çfarë jemi dhe mendojmë. Prandaj, nuk pritet që të qeveriset përtej mënyrës se si Vetëvendosje erdhi në pushtet”, deklaroi Halimi përcjell Insajderi.

    Edhe deputeti, Besian Mustafa ka thënë se Haxhiu do të duhej t’i jepte një zyrtari të drejtësisë, një prokurori, kurajo, duke i thënë “MOS u dorëzo para askujt, as para një ministreje; kryej detyrën tënde deri në fund”.

    Përmes një shkrimi në Facebook, Mustafa tha se familja e tij kanë përvojë të hidhur dhe dëshpëruese me drejtësinë në Kosovë, por se shpreson që zyrtarët e drejtësisë kurrë të mos dorëzohen.

    Familja jonë Mustafa kemi përvojë të hidhur, dëshpëruese, me drejtësinë në Kosovë. Por, shpresoj se zyrtarët tanë të drejtësisë KURRË të mos dorëzohen sepse shteti ligjor e i drejtë është obligim i secilit nga ne. Është detyra kombëtare, patriotizmi më i madh. MOS u dorëzoni, gra e burrë të drejtësisë, shkoni drejtësisë deri në fund! Për secilin qytetar, deputet, ministër, kryeministër, president, çkado”, ka shkruar ai në Facebook.

    Edhe Jehona Lushaku Sadriu nga LDK, ka reaguar pas një kërkese që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ia ka bërë prokurorit. Lushaku-Sadriu ka vlerësuar se deklarata e ministres është kërcënim.

    Ndërkohë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje prokurorit Ilaz Beqiri që të dorëzohet dhe të tërhiqet nga aktakuza pasi mungon ekspertiza dhe faktet për gazin lotsjellës.

    Thirrja e Haxhiut drejtuar prokurorit është bërë të premten në seancën gjyqësore ku ajo bashkë me deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu akuzohen se më 19 shkurt 2016 kanë poseduar jashtëligjshëm në Parlament nga një bombol të gazit.

    /GazetaInsajderi.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark