Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar pas vendosjes së shtatores së Car Lazarit në veri të Mitrovicës, duke thënë se një gjë e tillë u mundësua nga kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi.
Ai thotë se shtatorja e tij vije si pasojë e dështimit të bisedimeve në Bruksel.
“Këto bisedime, u tha shumë herë nga qeveritarët e djeshëm e të sotshëm po mbaheshin për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, për forcimin e sovranitetit të shtetit, për integrimin e komunitetit serbë në jetën publike e institucionale, për zhbërjen e strukturave të shtetit serb në Kosovë, për anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtar etj.. Asnjëra nga këto nuk ndodhi dhe nuk do të ndodh”, ka thënë ai.
Përkundrazi, sipas tij, “po ndodh çdo ditë, ndarja e sovranitetit të shtetit më Serbinë, ndodhi e po ndodhë çdo ditë forcimi i Listës serbe në Institucionet e Kosovës”.
“Heshtja e Qeverisë dhe e koalicionit qeverisës, për vendosjen e Përmendores së Car Llazarit në Mitrovicë, është heshtje për shkak të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Kjo është një dëshmi tjetër, se këta njerëz që kanë lejuar e lejojnë gjëra të tilla kundër Kushtetutës e ligjeve, duhet të dorëhiqen.”./Insajderi.com