Kosova është destinacionii parë që merr Haxhi Krasniqi pas çdo suksesi të arritur në boks dhe kjo është bërë një traditë e tij. Të njëjtën rrugë e bëri edhe pas fitores në Mynih, ku ai së bashku me gjashtë boksierë të tjerë shqiptarë korrën suksese të jashtëzakonshme.
Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi thotë se asnjë vend në botë nuk ia jep ndjenjën e lumturisë siç ia jep Kosova. Për më tepër, boksieri nga Juniku, thotë se rikthimi në ring nënkupton nisjen e rrugës për ta rikthyer titullin e kampionit të botës.
“Unë gjithmonë e kam pasur traditë edhe e kam ende traditë, çfarë do që ka ndodhur, pas ndeshjeve të mia kamë ardhur në Kosovë, sepse unë jam shumë i lidhur me këtë vend, është vendlindja ime, unë jam rritur, i ka bërë 17 vjet këtu pastaj kam shkuar atje kështu që të shkoj gjithçka në botë, nuk me kënaq sa më kënaq së pari vendi im. I shoh njerëzit e mi, familjarët që i kemi këtu, shoqërinë dhe pastaj vazhdon edhe një pushim diku tjetër, por gjithmonë e kam pasur ndjenjën më të mirën të jem në vendin tim…Ka qenë një sukses shumë i madh në Mynih, ka qenë me të vërtetë diçka shumë e madhe, tani presim normal që ta kthejmë titullin e botës, aty është synimi im, aty është qëllimi im dhe jo vetëm në Mynih por sa më shumë që të jetë e mundur.”, thotë Krasniqi.
Për të arritur sukseset e tij të mëdha, Krasniqi thotë se ka bërë një rrugë të gjatë dhe me shumë durim, të cilën ua rekomandon të rinjve që për një arsye apo tjetër vazhdojnë ta braktisin Kosovën, gjë të cilën Krasniqi iu lutet që të mos e bëjnë.
“Tani është pak vështirë të them se rrini ose hajdeni por gjithmonë aty ku janë, edhe aty mund të bëjnë gjithçka të mundur. Normal që shumica e njerëzve po zhgënjehen që një vit apo dy provojnë ta kapin suksesin, por suksesi nuk kapet për një kohë të shkurtër kështu që çdo rrugëtim të jetës duhet të kalojnë 10 vjet e sipër për të qenë një njëri i suksesshëm, kështu që edhe vendi ynë është një vend që na jep shumë mundësi sidomos edhe sporti edhe biznesi dhe çdo gjë. Le të qëndrojnë sa më shumë sepse është vendi ynë dhe shpresojmë që herëdo kurdo që edhe ne të kthehemi këtu që ta forcojmë sa më shumë. Është edhe Majlinda Kelmendi dhe shumë xhudistë të tjerë që e kanë një shembull që sukseset kanë arritur prej këtij vendi.”, thekson tutje Krasniqi.
Ai përmend Donjeta Sadikun si një shembull që duhet ndjekur nga të rinjtë për të arritur suksesin, ndërsa shton se një ditë boksierja kosovare do të jetë kampione e botës në boks.
“E uroj dhe përgëzoj, është diçka shumë e madhe për atë. Edhe kjo është një shembull shumë i madh që prej këtu ka filluar dhe do të depërtojë. Është një çikë shumë e fortë që do t’i prek majat e botës. I urojë prej zemrës kështu që besoj se një ditë do ta shohim kampione të botës.”, shprehet Krasniqi.
Pensionimi nuk është fare opsion për Krasniqin, së paku edhe për pesë vjetët e ardhshme.
“Është shumë e vështirë në diçka që i kam kaluar 18 vite dhe kam pasur dashuri të madhe për këtë sport, është shumë e vështirë të heqësh dorë, por të them të drejtën e ndjejë një energji në trup, e ndjejë një motivacion që kam nevojë edhe pesë vite të qëndroj, sepse është adrenalina ku unë e gjej veten, adrenalina ku i marrë me kënaqësi këto përgjegjësi të mëdha, sepse është një përgjegjësi shumë e madhe kur i ke 5 mijë-10 mijë veta në një sallë dhe ku ti je çelësi kryesor ku ata gjithë aty, plus që mundet ta jap sado pak edhe një kontribut për këtë vend që të themi që vijmë prej këtij vendi është edhe kjo një sukses për mua.”, shtoi ai.
Brenda një kohë të shkurtër, Krasniqi u martua dhe madje edhe u bë baba i një djali, ndryshime këto të cilat thotë se e kanë bërë edhe më të fortë. Madje, ai thekson se këto ndryshime kanë ndikuar direkt edhe në paraqitjet e tij në ring.
“Kjo e ka forcuar karrierën time. Jam ndoshta baba apo burri më i lumtur, jam shumë mirënjohës, jam shumë krenar dhe më ka forcuar shumë… Ka pasur një ndryshim për të mirë që për herë të parë me goditë si baba kam goditur më fuqishëm, më ka bërë më të fortë edhe sa do që kam ndjerë lodhje gjatë përgatitjeve, por kur e kam kapur djalin tim, por edhe nusen kur kam parë mbështetjen e saj më ka bërë më të fortë dhe nuk e ka ndjerë lodhjen. Kështu që mos e lëntë Zoti askënd pa u bërë prind.”, thotë në fund Krasniqi.
Luftën e radhës Robin Krasniqi pritet të zhvillojë brenda vitit 2023, por ende nuk është zbuluar kundërshtari i tij, si dhe koha dhe vendi ku do të zhvillohet ajo luftë.