"Krejt dhe drejt", nuk ndalet nepotizmi në Gjilanin e Alban Hysenit, punësohet gruaja e zyrtarit të VV'së, e kunati i drejtoreshës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Krejt dhe drejt”, nuk ndalet nepotizmi në Gjilanin e Alban Hysenit, punësohet gruaja e zyrtarit të VV’së, e kunati i drejtoreshës

    Insajderi
    22 August 2025 - 15:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga Alban Hyseni i VV’së, ka vazhduar me avazin e nepotizmit… Rehatimin e familjarëve me pozita publike. Rezultatet e konkursit të radhës për mësimdhënës, ku dy kandidatë të pranuar kanë ngjallur dyshime për konflikt interesi. Njëra fituese është bashkëshortja e një ish-kryesuesi të Kuvendit Komunal dhe themelues i VV-së në Gjilan, ndërsa tjetri dyshohet se ka lidhje familjare, apo më saktë kunati i një drejtoreshe komunale. Insajderi sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Gjilanit me 22 qershor kishte hapur konkurs për mësimdhënës lëndor, në shkolla të ndryshme të kësaj komune.

    Kandidatët që kanë aplikuar i janë nënshtruar testit me shkrim, dhe gojë.

    Numri i kandidatëve që kanë përfunduar me sukses testin me shkrim, ka qenë thuajse i madh. Të njëjtin kanë vazhduar për testimin me gojë.

    E para në listë që kishte arritur pikët e testit me shkrim, kishte qenë Elmaze Rexhepi Sadiku.

    Ndërkohë pas përfundimit të testit me gojë, janë zgjedhur kandidatët fitues. Elmaze Rexhepi Sadiku edhe në listën fituese ka dal e para, për lëndën Gjeografi në SHFMU Abaz Ajeti”.

    Ajo ka arritur gjithsej 85 pikë.

    Në listë është edhe kandidati Xhelil Haziri, i cili është pranuar për lëndën ‘Lëndë ekonomike’ SHML Memet Isai”.

    Haziri ka arritur 71.2 pikë.

    Kush janë dy kandidatët e zgjedhur për këto pozita, dhe çka i lidh me pushtetin në Gjilan?

    Elmaze Rexhepi Sadiku është bashkëshortja e Arianit Sadikut nga Gjilani.

    Arianit Sadiku ka qenë ish kryesues i Kuvendit Komunal në komunën e Gjilanit, e udhëhequr nga Alban Hyseni i Vetëvendosjes.

    Jo vetëm, Sadiku është edhe një nga themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe hapjen e Qendrës së saj në Gjilan, më 20 gusht 2005.

    Këtë e ka treguar ai edhe vetë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.

    Arianit Sadiku në të kaluarën kishte qenë edhe kandidat për asamble nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan.

    Mbështetje kishte marrë edhe nga gruaja e tij, Elmaze Rexhepi Sadiku.

    Me kandidatin për asamble, me mendje e me zemër 10, Arianit Sadiku 5″, kishte shkruar ajo, në vitin 2017.

    Gazeta Insajderi ka tentuar të kontaktojë me Elmaze Rexhepi Sadiku, dhe me bashkëshortin e saj Arianit Sadikun, se a ka pas ndonjë konflikt interesi në punësimin e saj, mirë të njëjtin deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

    Ndërkohë kandidati tjetër, Xhelil Haziri, është pranuar për lëndën ‘Lëndë ekonomike’ SHML Memet Isai”.

    Insajderi merr vesh se ai është familjar i Drejtoreshës Komunale të Gjilanit, Arbenita Sopi Haziri.

    Më saktë Xhelil Haziri është kunati i drejtoreshës së Administratës Komunale në Gjilan, Arbenita Sopi Haziri.

    Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një konfirmim nga drejtoresha Arbenita Sopi Haziri, por e njëjta deri në publikimin e këtij tekstit nuk ka kthyer përgjigje.

    Insajderi ka dërguar pyetje edhe në komunën e Gjilanit rreth këtyre punësimeve por që nuk i janë përgjigjur redaksisë. Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark