Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se Kreshnik Smajlaj do të jetë kandidat për deputet nga radhët e partisë së tij në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Përmes një postimi, Haradinaj ka vlerësuar lart angazhimin dhe përkushtimin e Smajlajt, duke thënë se ai ka krijuar vazhdimisht mundësi për të rinjtë dhe ka investuar në Kosovë në një kohë kur shumë të rinj po largohen.
“Kreshnik Smajlaj kurrë s’është ndalur duke krijuar mundësi për të rinjtë. Në një kohë kur shumë të rinj janë detyruar të largohen nga Kosova, ai ka zgjedhur të investojë, të punojë dhe t’u japë shpresë të tjerëve. Shumë prodhues vendas kanë rritur kapacitetet e tyre, por rasti i Kreshnikut është i veçantë,” ka shkruar Haradinaj, duke shtuar se përkushtimi i Smajlajt e bën atë shembull të sipërmarrësit modern.
Ai ka kujtuar se Smajlaj ishte asambleisti më i votuar i AAK-së në zgjedhjet e fundit lokale në Prishtinë, duke sjellë, siç u shpreh ai, “frymën dhe energjinë që e karakterizon në çdo hap”.
“Prandaj, kandidatura e Kreshës për deputet është vazhdimësi e punës dhe përkushtimit që ai ka treguar ndër vite, me përgjegjësi dhe vizion për një Prishtinë dhe Kosovë të zhvilluar. Paç suksese, Kreshnik, dhe na priftë e mbara bashkë në garën për deputet dhe si shef i shtabit në kryeqytet”, ka shkruar Haradinaj.