×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Krim është edhe kur s’bën mirë”- Kurti tash e një vit s’ua dha kredinë Trepçës

    Insajderi
    19 February 2024 - 18:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Krim e kishte konsideruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mungesën e investimeve në kombinatin metalurgjik Trepça.

    “Nuk është krim vetëm kur bën diçka keq, por edhe kur s’bën diçka mirë e e ke përgjegjësinë për diçka të tillë”, kishte deklaruar ai në fund të janarit të vitit 2021, përpara se të merrte pushtetin për herë të dytë.

    Rreth dy vjet më vonë, në shkurt të vitit 2023, Qeveria e tij miratoi një kredi prej 20 milionë eurosh për investime në Trepçë.

    Por, edhe një vit pas, këto mjete nuk u ekzekutuan.

    Ministria e Ekonomisë e Kosovës tha në një deklaratë me shkrim për REL-in se për shpërndarjen e tyre “janë kërkuar standarde më të larta të kontrollit të brendshëm operativ e financiar, si dhe përgatitje e hulumtim i tregut”.

    Ajo nuk dha ndonjë afat se kur pritet të ndahen mjetet dhe nuk iu përgjigj pyetjes se a është planifikuar ndonjë investim konkret.

    Udhëheqës të ndërmarrjes thonë se këto mjete do të zgjidhnin shumë probleme në kombinatin që ka sektorë në jug dhe në veri të Mitrovicës.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, i përshkruan si “jashtëzakonisht të rënda” kushtet e punës për kolegët e tij.

    Nevoja e parë e tyre, thotë ai, është ndihma mjekësore, përkatësisht vendosja e një ekipi mjekësor në dispozicion të minatorëve.

    “Një aksident të ndodhë, ne nuk kemi mundësi t’iu dalim direkt në ndihmë, në vendin e aksidentit”, thotë Januzi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark