×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Krimi makabër te Mali i Madh

Insajderi
25 October 2022 - 11:33
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Pas afro 1 vjet e gjysmë është arritur të gjendet trupi i pa jetë i biznesmenit nga Shtimja, Bedri Rexhepi. I ndjeri, sipas prokurorisë u vra në bashkëkryerje nga vëllezërit Vllasaliu. Nexhati e Jetoni. Motivi, 30 mijë euro. Vetëm, të enjten e 20 tetorit, Bedriut iu dha lamtumira e fundit.

Visar Duriqi/Donjeta Islami

Trupi i tij për më shumë se një vit e gjysmë kishte qëndruar i varrosur tek Mali i Madh në Vllasali.

Për më shumë se një vit e gjysmë, derisa trupi i pajetë i Bedri Rexhepit po qëndronte i fshehur nga ata që akuzohen se e vranë, familjarët nuk ishin të qetë asnjë ditë. I qetë nuk ka qëndruar as Prokurori Armend Hamiti. Ai ditën që i është konfirmuar se trupi që u gjend ishte i viktimës ka nënshkruar aktakuzën që i rëndon për vrasje, e fshehje të trupit pastaj, dy vëllezër.

Jeton Vllasaliu po akuzohet se e kreu vrasjen e vëllai i tij, Nexhati e ndihmoi pastaj në mbulimin e krimit, duke ndihmuar në transportimin e kufomës deri tek vendi ku do të gjendej në fund të shtatorit të këtij viti.  Mënyra e vrasjes ishte makabre.

Për këtë vrasje, që si krim mund të jetë parë nëpër filma triller, një dosje e madhe e Prokurorisë tashmë është deponuar në Gjyq.

InDoks sjelli detaje ekskluzive nga kjo dosje. Si u krye ky krim? Për çka? Si u zbuluan të akuzuarit? Kush tentoi nga familjarët e tyre ta pengonte drejtësinë e çka do të ndodhë tash me ta?

Jeton Vllasaliu
Nexhat Vllasaliu

Një proces gjyqësor në ardhje do të zbuloi edhe detaje tjera, pasi që Prokurori i rastit tashmë ka në dorë shumë prova.

Ishte data 8 prill. Viti 2021. Bedri Rexhepi do ta merrte me makinën e tij Jeton Vllasaliun. Plani që i kishte thënë Jetoni Bedriut ishte që të shkonin në Ferizaj për ti blerë dy vetura. Por, sipas Prokurorisë plani i vërtetë i Jetonit ishte që ta vriste Bedriun. Motivi? Që t’ia merrte 30 mijë eurot që besonte që ai kishte me vete, pasi që vlera e votuarave që ishte planifikuar që ti blinin ishte aq.

Jetoni do ta binde Bedriun që të ktheheshin tek shtëpia e vëllait të tij, Nexhatit, poashtu i akuzuar për bashkëkryerje të vrasjes së Bedri Rexhepit. Do ta bindte madje që të hynin edhe brenda për të pirë kafe.

Aty kafet do ti bënte Jetoni. Madje do ta linte edhe që Bedriu ta përfundonte kafen. Pastaj, fillojnë një fjalosje, dhe me duar, pa ndonjë mjet tjetër, Jeton Vllasaliu arrin që ta vras Bedri Rexhepin. Viktima kishte tentuar që të rezistonte, por pa sukses.

Jeton Vllasaliu vetëm në Prokurori do të jepte pesë deklarata të ndryshme

Ai herë do të pranonte e mohonte vrasjen. Do të tregonte detaje e do të bëhej, herë herë që nuk di asgjë. Të gjitha i janë dorëzuar Gjykatës.

Por, deklarata me të cilën Jeton Vllasaliu e kishte rrëfyer krejt ngjarjen u dha më 7/ 10 / 2021. Në këtë datë, ai do të fliste pa u ndaluar. Madje do ti kërkonte falje Prokurorisë e familjes siç thoshte ai, për këto telashe që iu ka shkaktuar.

Vendosi që të rrëfente. Më shumë duket skenar filmash të Hollywoodit.

Pasi që kishte arritur ta fuste në shtëpi, e veturën po e ngiste deri aty viktima, Jeton Vllasaliu i dha kafe. U fjalosën. Pas kësaj ia futi duart në fyt, aq gjatë sa më Bedriu nuk do të lëvizte.

Ky i akuzuar thotë që kur e kuptoi që e ka vrarë Bedri Rexhepin, kishte tentuar që ta kthente në jetë. Kishte tentuar edhe që të ia kthente funksionin e organeve vitale duke e shtypur 5-6 herë në kraharor, por pa sukses. Kur u bind që Bedriu tashmë kishte vdekur, ai do t’ia vendoste një thes të zi të plastikës në kokë. Këtë thotë se e ka bërë se e kishte vështirë që t’ia shihte fytyrën.

Jetoni pastaj do ta dërgonte trupin e pajetë të Bedriut në katin e tretë të shtëpisë së vëllait, Nexhat Vllasaliu. Do ta linte aty. Me trupin do të merrej më vonë, bashkë me vëllain tash. Edhe pse pretendon se ishte i shokuar, ai megjithatë u kujdes që sa më parë të fshinte prova e krijonte alibi që nuk e ka kryer vrasjen.

Çka thotë prokurori, Armend Hamiti?

Prokurori i rastit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti është i bindur që është vrasja ka qenë e planifikuar.

“Pas gjitha provave dhe dëshmive kam arritur të vërtetojë dyshimin mirë të bazuar dhe kam ngritë aktakuzë kundër dy personave Jeton dhe Nexhat Vllasaliu në drejtim të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtim i varreve apo kufomave…”, tha prokurori përcjell Insajderi.

“Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale për fat të keq është i ulët, pasi sipas hetimit tonë i cili ka zgjatë përreth 18 muaj rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përftimit material gjegjësisht shuma 30 mijë euro, të  cilat të akuzuarit kanë besuar se tanimë i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon, për të cilin kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutu”, deklaroi ai.

Prokurori Armend Hamiti që ka deponuar në Gjyq aktakuzën kundër vëllezërve Jeton e Nexhat Vllasaliu për vrasjen e Bedri Rexhepit.  Për rastin e krimit makabër te Mali i Madh, ky prokuror ka ndarë edhe krejt historinë e këtij rasti se si ka nisur, e deri në gjetjen e trupit të viktimës. 18 muaj hetim.

“Pra me 9 prill 2021 rreth orës 12:36 është pranu një informacion i parë lidhur me një automjet të braktisur që është gjetur në një arë në fshatin Sushicë rrugën për Janjevë, i cili ka qenë xhip Grand Shiroke, ngjyrë hiri dmth vetura ka qenë e mbyllur askush nuk ka qenë në të, është bërë identifikimi se i kujt është ky automjet, ka rezultu që është i personit Bedri Rexhepi“.

Policia në koordinim me prokurorin kujdestar kanë filluar menjëherë veprimet hetimore, kanë tentu të bijnë në kontakt me pronarin e automjetit, nuk kanë arrite dhe pastaj pas kontaktit me familjarë është zbulu se nga data 8 prill 2021 ora 16:00 ka dalë nga banesa e tij dhe prej asaj kohe nuk është parë më nga familjarët“, deklaroi ai shkruan Insajderi.

“Menjëherë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njësia rajonale lidhur me vrasjet dhe personat e zhdukur janë fillu veprimet hetimore për zbulimin e këtij rasti. Fillimisht është fillu me krim teknik dhe njësitin K9 apo njësiti i qeneve në Policinë e Kosovës të shikohet ajo pjesë ku është gjetur vetura, për zbulim apo identifikim se ku është ai person. Mirëpo nuk ka hasur në ndonjë rezultat, më pas janë angazhu pas disa veprimeve hetimore se kush ka qenë personi i fundit me Bedriun kanë fillu hetimet të drejtohen edhe në një pjesë tjetër të Kosovës gjegjësisht në pjesën nga Artana, Novëbërda, kanë fillu edhe atje kërkimet ku janë përfshi të gjitha institucionet relevante…“.

“E di që ka qenë mediakte dhe nga mediat gjithmonë kanë kërku informacion dhe mund të ju them se në këtë kohë nuk është nal prokuroria por për shkak ndjeshmërisë dhe duke pasur në konsiderate edhe familjen e të ndjerit Bedri Rexhepi, kemi tentu që te jemi sa më konfidentë në mënyrë që të zbulohet nëse është i gjallë apo sic ndodhi më e keqja, të zbulohet ku është trupi i të ndjerit”, potencoi prokurori Hamiti.

Ai ka treguar se për të ardhur te kjo dosje që e ka deponuar në Gjyq, dhe e cila ka edhe qindra faqe të tjera, e prova video e fotografi, janë ndërmarrë veprime të shumta. Kjo pasi që del që, që nga fillimi Jeton Vllasaliu kishte tentuar që të zhdukte prova e madje edhe të krijonte situata që e komplikuan hetimin.

Sipas dosjes që e ka InDoks, në pjesën e deklaratës së të akuzuarit Jeto Vllasaliu, ai pasi që kreu vrasjen e mori veturën e viktimës dhe e largoi nga shtëpia. Ia mori edhe telefonin, e madje me të do të dërgonte edhe disa mesazhe tek njerëzit me të cilët së fundmi kishte komunikuar viktima. Dy miq të viktimës.

Ai nuk do të kursehej, siç ka deklaruar vet, dhe do ti dërgonte edhe një porosi telefonik edhe gruas së vetë viktimës- mundohej që ta bindte që Bedriu ishte gjallë, e në fakt ai tashmë veçse ishte i vdekur.

Dorasi i ka thënë prokurorisë më 7/10/2021 se pasi i ka dërguar këto porosi e ka hedh telefonin.

Me po atë gjakftohtësi, pasi e kishte vrarë Bedriun, Jeton Vllasaliu pos që dërgoi porosi me telefonin e tij, e largoi veturën e tij nga vendi i krimit, nuk do të ndalej me kaq.

Do të koordinohej me vëllain e tij. E takoi atë. Ia tregoi rastin. E bindi që të i ndihmonte që ta zhduknin edhe trupin.

Trupin do ta mbështillnin me perdet e shtëpisë. Do ta lidhnin me konop. Qesja e zezë në fytyrë. E vendosën në bagazh. E dërguan te Mali i Madh në Vllasali. Sipas versionit të Jetonit, ai do të shkonte poshtë malit për ta varrosur. Gjithçka ishte e gatshme- kazma e lopata në veturë.

Pasi që do ta varroste i vetëm për herën e parë, trupin thotë qe iu deshtë ta tërhiqte zvarre. Në dëshminë e tij ai tregon se këtë e bën vetëm një ditë pasi e vrau. Por, kishte dështuar që ta kryente punën mirë. Nuk do ta varroste aq thellë, dhe do ta mbulonte me ca gjethe mali, diçka që e shqetësoi vëllain e tij, Nexhatin, pasi që kishte frikë se trupin mund ta gjenin kafshët.

Jeton Vllasaliu në dëshminë e tij ka treguar se më vonë do shkonte vëllai i tij, Nexhati për ta përfunduar varrosjen. Nexhati do të ia vendoste dheun e fundit për të mos u gjetur më për 18 muaj.

Dosja zbulon se nuk do të vononte shumë pas krimit dhe Policia do ta thërriste Jeton Vllasaliun për ta intervistuar për zhdukjen e biznesmenit nga Shtimja, siç konsiderohej në prillin e 2021-së Bedri Rexhepi. Pasi që ai i kishte ndërmarrë veprimet si largimi i veturës, porositë telefonike të dërguara me telefonin e viktimës e varrosja te Mali i Madh i trupit të Bedriut, në Polici në fillim do të sillej sikur ai është ndarë me viktimën derisa ai ishte ende i gjallë.

Ai ditën kur vendosi që të rrëfente para Prokurorit Armend Hamiti tha që i kishte mësuar edhe familjarët që të gënjenin për të dhe të thonin se ai ishte kthyer me kohë në shtëpi. Dhe njëjtë vepruan edhe familjarët e Nexhatit.

Për këtë  Prokurori i rastit po i ndjek penalisht edhe dy familjarë të Jeton e Nexhat Vllasaliut. 

Për deklarim të rrejshëm janë akuzuar edhe Gjyljeta Vllasaliu, bashkëshortja e Nexhatit, dhe Arjeta Rukovci, mbesa e tyre.  Këto të akuzuar me deklaratat e tyre kishin mbështetur versionin e rrem të Jeton e Nexhat Vllasaliuit se kinse ata nuk kishin lidhje me krimin kundër Bedri Rexhepti-duke ua krijuar atyre alibinë.

Për krimin që kishin kryer, atë pjesën kur tentuan që ta zhduknin trupin që, Jeton Vllasaliu, i akuzuari për vrasje, tentoi në vazhdimësi që ta mbronte vëllain e tij, Nexhatin.

Ky i fundit në disa deklarata që ka dhënë vetëm para Prokurorit, ka mohuar çfarëdo lidhje me krimin, madje edhe me pjesën e varrosjes për herë të dytë që ia ngarkon vëllai i tij në një deklaratë të gjatë po para të njëjtit Prokuror.

Por, sipas Dosjes, mashtrimit të tyre i kishte ardhur fundi kah shtatori i këtij viti kur Prokuroria ishte afër që ta gjente trupin.

Për këtë, të dy ishin vendosur në një dhomë ku Prokuroria me leje të Gjykatës vendosi përgjues. Ata do të këmbenin një seri llafesh me zë të ulët, por që Prokuroria beson që po flisnin se ku është varrosur trupi i Bedri Rexhepit.

Në këtë bisedë ata flasin se si ta gjejnë trupin. Nuk e dinë a e kanë lënë të rruga e madhe apo tek rruga e vogël. Në një moment njëri dyshon që ka përgjues në dhomë, e tjetri e bind që nuk ka. Biseda vazhdon me zë të ulët.  Të dy duket që janë të bindur se duhet të iu tregojnë hetuesve se ku është trupi.

Jetoni në një moment tregon që është i gatshëm të dorëzohet, por hall e ka nëse mund ta shpëtoi vëllain e tij, Nexhatin e gruan e tij nga aktakuza. Siç kishte thënë në deklaratën e tij të gjatë para Prokurorisë, Jeton Vllasaliu e ndiente vetën përgjegjës që pas vrasjes së Bedri Rexhepit e kishte marrë vëllain e tij me vete në iniciativën për ta zhdukur trupin e viktimës.

Prokurori Armend Hamiti ka treguar se pasi që Jeton e Nexhat Vllasaliu e kishin varrosur trupin e Bedri Rehepit, për 18 muaj u deshtë që ta kërkohej ai nga vet institucionet. Ani pse në një nga 5 deklaratat e tij, Jeton Vllasaliu e kishte përmendur vendin e përafërt, Malin e Madh në Vllasali, ai kurrë nuk ndihmoi që të gjendje trupi. Nuk ndihmoi as vëllai i tij, Nexhati, vëllai tjetër që kishte bërë varrosjen e dytë të trupit të Bedriut.

Për 18 muaj familjarët e Bedri Rexhepit u deshën që të prisnin. Derisa në fillim i mbante shpresa që është ende i gjallë, më vonë ata po prisnin për ta gjetur trupin. Për ta pasur mundësinë që ta kishin një varr për të. 18 muaj më pas, për të në qytetin e tij të lindjes për ta përcjellë u mblodhën qindra familjarë e miq.

“Bedriu ynë humbi jetën nga duart kriminale, të pabesëve”

Në ditën e varrimit të të ndjerit, para xhematit foli edhe xhaxhai i tij, Mustafë Rexhepi. Foli për vështirësitë që kaluan si familje.

“Ju falënderojë secilin veç e veç që keni gjetë kohë sot që t’i japim lamtumirën e fundit Bedriut tonë, dhimbjen e madhe që e kemi ta ndajmë bashkërisht“.

“Nga muaji prill i vitit 2021, në momentet më të vështira që përjetuam ne si familje na qëndruat afër, miqë e dashamirë për çka u jemi mirënjohës gjithë jetën. Bedriu nga të gjithë fëmijët tanë ka qenë më punëtori, me shumë energji pozitive i gatshëm gjithmonë të shtrejë dorën e ndihmës për njerëzit me nevojë, i edukuar me virtytet besnike e njerëzore”.

Bedriu humbi jetën nga duart kriminale, të pa besëve të cilët në kundërshtim me traditën kombëtare e besim në zot në shtëpinë e tyre ia shuan jetën. Prej 18 muajsh … nga ana jonë të inkurajuar nga të gjithë ju dhe punës së institucioneve të sigurisë tonë, të cilët nuk u ndalën asnjë  moment së kërkuari rrugët të cilat përshkuari Bedriu, më në fund kriminelët humbën betejën gjakftohtë e të fshehjes së krimit”.

“Këta kriminel dyert e hapura do ti kenë vetëm dyert e burgut dhe presim nga organet e drejtësisë të marrin dënimin e merituar dhe të jetë shembull për rastet e tjera”, u shpreh ai shkruan Insajderi.

Për rastin e Bedriut, para gazetarëve u deklarua avokati i familjes Rexhepi, Besnik Berisha.

“Mjerisht ndaj këtij lajmi makabër, që ligji të godet me forcën maksimale dhe institucionet e sigurisë të bëjnë përpjekje që raste të tilla të mos ndodhin asnjëherë në shtetin tonë. Detajet janë tmerrues, janë trishtuse, me shpresën mos ti ndodh askujt, për motive të ngjashme, të mos privohet askush nga jeta, ajo që dihet deri më tani është që në pabesi ai është privuar nga jeta, pra këta vëllezërit të motivuar tani për tani për 8 mijë euro. Mos harroni që ata kanë dhënë një rrëfim, por ajo që dihet deri më tani, ai si ka pas borxh askujt, dhe për më tepër që nuk i ka pas borxh askujt, ai është targetuar, që atij t’ia marrin jetën”, u shpreh avokati.

Bedri Rexhepi pas 18 muajsh i fshehur diku nën dheun e Malit të Madh në Vllasali, pasi ishte vrarë në mënyrë makabre nga Jeton Vllasaliu, sipas Prokurorisë, tash është varrosur në vendlindje. Në Shtime. Një proces gjyqësor do të shpalos detajet e një hetimi 18 mujor.

Përgjime, video-incizime, dëshmi nga dhjetëra dëshmitarë.

Beteja e Prokurorisë për ta dëshmuar atë që e ka shkruar në dosjen, detaje nga e cila janë shfaqur në InDoks, do të nis në Gjyq. A mund të nxjerr ky gjykim edhe diçka tjetër për vëllezërit, Jeton e Nexhat Vllasaliu tashmë të akuzuar për vrasjen e Bedri Rexhepi?

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark