Agjencia Kundër Korrupsionit mund ta ketë në krye të saj një prej njerëzve që gjatë karrierës së tij ka luftuar këtë dukuri nëpërmjet një profesioni që në Kosovë ka qitur më së shumti në pah rastet korruptive në vend: gazetarisë.
Pasi u tërhoq nga jeta publike për shkak se nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë përfaqësues i popullit në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2014, dy vite pas, Avni Zogiani i ka hyrë garës për të marrë timonin e njërës prej institucioneve më të larta për luftimin e korrupsionit, Agjencinë Kundër Korrupsionit në Kosovë.
Karriera e Zogianit, përpos politikës, është një histori suksesi. Ai është gazetar i dëshmuar hulumtues dhe aktivist kundër korrupsionit në Kosovë.
Ka punuar si gazetar në media të rëndësishme të vendit duke qitur në pah raste të shumta të aferave korruptive në vend, shumica e të cilave nuk janë ndjekur nga Agjencia, kreun e së cilës Zogiani tenton ta marrë tashti.
Ai madje ishte edhe një kritikues i rreptë i drejtuesit të tanishëm të AKK-së, Hasan Preteni. Madje e kishte hulumtuar atë për shkelje të ligjit. Por faktet e Zogianit, në vitin 2012, për shkeljet që i ka bërë kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion Hasan Preteni, kur EULEX-i, i kishte hedhur poshtë EULEX-i.
Zogiani e kishte quajtur këtë një kompromis me falsifikimin që ka bërë ky i fundit.
Puna e tij si gazetar hulumtues u konkretizua me themelimin e Organizatës për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu” të cilën e drejtoi që nga themelimi i saj më 200.
I shkolluar si jurist në Universitetin e Prishtinës më 1998, ai ka ndjekur edhe një zhvillim profesional në Shkollën e Gazetarisë në Universitetin e Indianës Purdue në Indianapolis, SHBA, ndërsa gjatë viteve 2004-2005 ndoqi studimet Master i Arteve në Institutin Evropian të Sussex të Universitetit të Sussex./Insajderi.com