×
  • Lajme
  • Lajme

    Krizë e qeverisjes në Mal të Zi: Abazoviq së bashku me proserbët në qeveri kundër kryeministrit

    Insajderi
    13 April 2021 - 11:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Takimi i liderit të shumicë qeverisëse në Mal të Zi dhe kryeministrit të këtij vendi Zdravko Krivokapiq, përfundoi me akuza për rrëzimin e qeverisë.

    Pasi akuzoi Frontin Demokratik pro-serb dhe zëvendës kryeministrin të ngarkuar me sektorin e sigurisë, Dritan Abazoviq, kryeministri e braktisi takimin.

    Njëri nga liderët e Frontit Demokratik (FD), Millan Knezheviq, u tha gazetarëve pas takimit të kryeministrit dhe zyrtarëve të partive të shumicës në pushtet, se Krivokapiq akuzoi FD, zëvendës kryeministrin Abazoviq dhe ministrin Vlladimir Lleposaviq se po e rrëzojnë qeverinë e tij.

    “Krivokapiq iu referua fotografisë dhe postimit tim në Twitter nga 4 janari, kur fola me Abazoviqin rreth mundësisë së kapërcimit të krizës në drejtësinë malazeze dhe thashë se ai kishte informacione të shumta në lidhje me atë komplot”, ka thënë Knezheviq.

    Sipas tij, kryeministri refuzoi të paraqesë informacionin që ka, por pranoi se ai më herët ishte takuar me presidentin e Malit të Zi Millo Gjukanoviq, por nuk donte të fliste për atë takim, raporton Hina.

    “Kur e pyeta për çfarë bisedoi me të, u futëm në një diskutim verbal pas të cilit kryeministri u largua nga takimi”, ka deklaruar Knezheviq, një nga udhëheqësit e shumicës qeverisëse pro-serbe në Malin e Zi.

    Krivokapiq më vonë sqaroi se ai kishte biseduar me Gjukanoviqin në një seancë të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe se ai nuk kishte pasur takime të fshehta me presidentin malazes.

    Kriza brenda shumicës qeverisëse, e cila rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit me një fitore të ngushtë në zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020, filloi kur kryeministri Krivokapiq vendosi të zëvendësojë ministrin e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave Vlladimir Lleposaviq, i cili në një fjalim publik mohoi gjenocidin në Srebrenicë dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare për këtë. Lleposaviq refuzoi të japë dorëheqjen, kështu që shkarkimi i tij duhet të diskutohet në Parlamentin e Malit të Zi, në të cilin shumica e koalicionit qeverisës nuk dëshiron të mbështesë vendimin e kryeministrit dhe të shkarkojë ministrin e drejtësisë./Insajderi.org.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark