Insajderi
Lajme

KRU “Mitrovica”: Konsumatori nuk pagoi borxhin, punonjësit u përballën me armë zjarri gjatë çkyçjes

Insajderi
29 July 2026 - 20:22
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
KRU “Mitrovica”: Konsumatori nuk pagoi borxhin, punonjësit u përballën me armë zjarri gjatë çkyçjes
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A. ka reaguar pas një incidenti të rëndë të ndodhur gjatë kryerjes së detyrave zyrtare nga punonjësit e saj në terren, ku dyshohet se ndaj tyre është përdorur armë zjarri.

Sipas njoftimit të kompanisë, konsumatori ishte furnizuar rregullisht me shërbimin e ujësjellësit, por nuk kishte përmbushur obligimet financiare ndaj KRU “Mitrovica”.

“Pavarësisht njoftimeve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme, si dhe mundësisë së ofruar për pagesën apo arritjen e një marrëveshjeje për shlyerjen e borxhit, obligimet nuk janë përmbushur”, thuhet në reagimin e kompanisë.

KRU “Mitrovica” bën të ditur se gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen e konsumatorit nga rrjeti i ujësjellësit, punonjësit e saj janë përballur me sjellje të dhunshme.

“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri”, thuhet në reagim.

Fatmirësisht, sipas kompanisë, incidenti ka përfunduar pa pasoja në njerëz.

Tutje, KRU “Mitrovica” Sh.A. ka dënuar fuqishëm çdo formë të dhunës, kërcënimit dhe pengimit të punonjësve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare.

“Punonjësit tanë veprojnë në zbatim të përgjegjësive të tyre dhe meritojnë siguri dhe mbrojtje të plotë gjatë punës”, thuhet në reagim.

Kompania u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera kompetente që rastin ta trajtojnë me seriozitetin më të lartë, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe të sigurojnë përgjegjësinë e plotë të personave të përfshirë.

Njëkohësisht, KRU “Mitrovica” u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që obligimet ndaj kompanisë t’i përmbushin me kohë, ndërsa çdo çështje që lidhet me borxhet, pagesat apo shërbimet ta adresojnë përmes rrugëve institucionale dhe ligjore.

“Dhuna ndaj punonjësve që kryejnë detyrën e tyre nuk mund dhe nuk do të tolerohet”, përfundon reagimi i kompanisë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark