Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” ka bërë të ditur se ka pritur në një takim zyrtar një delegacion të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga Sergiy Maslichenko.
Sipas një komunikate të KRU “Prishtina”, gjatë takimit është diskutuar për hapat e mëtejmë në realizimin e projektit “Podujeva Wastewater Treatment Project”, i cili financohet nga BERZH përmes një kredie deri në 25 milionë euro, marrëveshje e nënshkruar në vitin 2024.
Në komunikatë thuhet se, përveç financimit me kredi, është nënshkruar edhe Marrëveshja e Grantit në vlerë prej 475 mijë eurosh, e dedikuar për mbështetjen e zbatimit të projektit.
KRU “Prishtina” njofton se vlera e përgjithshme e projektit arrin në rreth 35 milionë euro, duke e cilësuar atë si një nga investimet më të rëndësishme në sektorin e trajtimit të ujërave të zeza në Kosovë.
Sipas njoftimit, projekti pritet të ndikojë në përmirësimin e trajtimit të ujërave të zeza, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët e Komunës së Podujevës.