Një numër kërkesash nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe investitori i parë strategjik i Kosovës janë kundërshtuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe si rrjedhojë, Kosova po rrezikon humbjen e investimit prej 180 milion eurosh.
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, teksa po raportonte për zhvillimet në fushën e investimeve strategjike në Kosovë, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Shala theksoi se investitori i parë strategjik i shpallur në Republikën e Kosovës rrezikon të largohet nga Kosova, për shkak të përgjigjjeve negative të ZRRE-së në kërkesat e tyre, kërkesa këto të bazuara në standarde dhe praktika ndërkombëtare.
‘Në fund të kësaj jave mendojmë të kemi edhe një takim me investitorin në fjalë, t’ja dhëjmë përgjigjjet ashtu sic i kemi nga agjencitë dhe të shohim nëse investitori me këto përgjigjje dëshiron të vazhdojë tutje apo jo.’, theksoi Ministri Shala teksa po raportonte në mbledhjen e Qeverisë.
Ani pse për katër vite radhazi kishte mbledhur mbi dhjetëra leje në zyre të ndryshme në Kosovë dhe kishte marrë autorizimin final nga ZRRE-ja, Insajderi mëson se kompanisë SOWI Kosovo nga Gjermania dhe Izraeli, ZRRE-ja i është përgjigjur negativisht në kërkesat përfundimtare, që përvec tjerash kanë të bëjnë edhe me ditën e hyrjes në fuqi të kontratës për blerje të energjisë.
Të njejtat kërkesa, vijnë edhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), e cila është gjithashtu e përfshirë në strukturën financiare të projekteve që SOWI Kosovo është duke i realizuar në rajonin e Bajgorës në Mitrovicë, e që kanë të bëjnë me prodhimin e 105 megavatëve të energjisë elektrike nga era.
Projektet e prodhimit të erës në rajonin e Bajgorës, përvec ndikimit të jashtzakonshëm në zhvillimin ekonomik dhe në furnizimin e rregullt me energji elektrike, sjellin edhe shumë aktivitete investuese në infrastrukturë publike në Bajgorë, me anë të të cilave do të sigurohej zhvillimi dhe integrimi i këtij rajoni në komunitet.