Insajderi
Analiza

Kryente edhe shërbime estetike, klinika e ish-Miss Universe Kosova gjobitet për një sërë shkeljesh ligjore (Vendimi)

Insajderi
28 October 2026 - 11:52
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kryente edhe shërbime estetike, klinika e ish-Miss Universe Kosova gjobitet për një sërë shkeljesh ligjore (Vendimi)
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë e ka gjobitur me 3 mijë euro institucionin privat shëndetësor “Al Dent Group Sh.p.k”, me pronare Roksana Ibrahimin. Gjatë inspektimit, janë evidentuar shërbime të palicencuara, parregullsi në regjistrimin e stafit dhe mangësi në kushtet infrastrukturore të klinikës. Këto gjetje janë përfshirë në vendimin e Inspektoratit Shëndetësor, të cilin e posedon Insajderi.

Inspektorati Shëndetësor e ka inspektuar klinikën më 5 shkurt 2026, në Prishtinë.

Pas inspektimit, më 26 shkurt, ka nxjerrë vendimin për shqiptimin e gjobës prej 3 mijë eurosh.

Sipas vendimit, klinika kishte aplikuar për licencim duke deklaruar nën betim se i përmbushte kriteret ligjore.

Megjithatë, gjatë kontrollit në terren, inspektorët kanë evidentuar mospërputhje mes deklarimeve dhe gjendjes në klinikë.

Njëra nga parregullsitë lidhej me emrin me të cilin reklamohej institucioni.

Në hyrje të objektit ishte vendosur emri “Aldentix Dental Clinic”, ndërsa në licencë figuron emri “Al-Dent Group Sh.p.k”.

“Në hyrje të institucionit është i vendosur pllakati me emërtimin ‘Aldentix Dental Clinic’, që nuk përputhej me emrin e regjistruar në licencën e institucionit. Konkretisht, në licencë figuron emri ‘Al-Dent Group Sh.p.k’, ndërsa në logon reklamuese emri ‘Aldentix Dental Clinic’”, thuhet në vendimin që posedon Insajderi.

Shërbime pa licencë

Sipas Inspektoratit, klinika ofronte shërbime për të cilat nuk kishte licencim nga Departamenti për Licencim dhe Akreditim i Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë inspektimit, themeluesja e klinikës, Roksana Ibrahimi, kishte deklaruar se në institucion ofroheshin edhe shërbime estetike të fytyrës me fillerë.

“Gjithashtu, gjatë kohës së inspektimit, Dr. Roksana Ibrahimi deklaron se në këtë institucion ka ofruar shërbime estetike (filler), të cilat rezultojnë të palajmëruara dhe të palicencuara në DLA/MSh”, thuhet në vendim.

Parregullsi janë evidentuar edhe në çmimoren e klinikës. Sipas Inspektoratit, aty figuronin shërbime si implantet dentare, ngritja e sinusit, terapia ortodontike fikse me briketa dhe nxjerrja kirurgjikale e dhëmbëve, të cilat nuk ishin të lajmëruara dhe të licencuara.

“Gjatë analizimit të çmimores së institucionit, u konstatua se në këtë institucion figurojnë dhe ofrohen shërbime të cilat nuk janë të lajmëruara dhe të licencuara në DLA/MSh (Implanti i dhëmbit, Sinus Lifting, Terapia ortodontike fikse/Briketa, Nxjerrje kirurgjikale etj)”, thuhet në vendim.

Inspektorati i ka cilësuar këto veprime si shkelje të Ligjit për Shëndetësi.

Ky ligj përcakton se institucionet shëndetësore mund të fillojnë punën vetëm pasi të licencohen për hapësirat, stafin profesional dhe pajisjet.

Parregullsi me stafin dhe hapësirat

Inspektorati ka evidentuar parregullsi edhe në regjistrimin e stafit. Infermierja Eliona Gashi kishte deklaruar se punonte në klinikë që nga 15 nëntori 2025. Ndërkaq, sipas verifikimeve në sistemin elektronik të Ministrisë së Shëndetësisë, ajo kishte aplikuar për regjistrim më 3 shkurt 2026, vetëm dy ditë para inspektimit.

Mangësi janë konstatuar edhe në infrastrukturën e klinikës.

Sipas vendimit, kati i dytë, ku ofroheshin shërbimet stomatologjike, nuk kishte qasje për personat me aftësi të kufizuara.

Inspektorët kanë vlerësuar se kjo përbënte mosplotësim të kushteve infrastrukturore të përcaktuara me udhëzimin administrativ përkatës.

Po ashtu, hapësira ku ishte vendosur aparati i ortopanit, që përdoret për radiologji stomatologjike, ishte më e vogël se tetë metra katrorë.

Kjo është sipërfaqja minimale e përcaktuar me rregullat përkatëse.

Inspektorët kanë konstatuar gjithashtu se dera e njërës prej nyjeve sanitare në katin e parë ishte më e ngushtë se dimensionet minimale të kërkuara.

Në vendim, Inspektorati i referohet Udhëzimit Administrativ 02/2025, i cili përcakton kushtet infrastrukturore që duhet t’i plotësojnë institucionet shëndetësore, përfshirë qasjen për personat me aftësi të kufizuara, sipërfaqen e hapësirave të radiologjisë stomatologjike dhe dimensionet e nyjeve sanitare.

Insajderi i ka dërguar pyetje institucionit privat shëndetësor “Al Dent Group Sh.p.k” dhe pronares së tij, Roksana Ibrahimi, lidhur me gjetjet e Inspektoratit, shërbimet e ofruara pa licencë dhe parregullsitë infrastrukturore.

Klinikës i është kërkuar përgjigje edhe nëse gjoba është paguar dhe nëse është ushtruar ankesë ndaj vendimit.

Nga kërkimet e bëra rezulton se Roksana Ibrahimi është modele kosovare, e cila fitoi titullin “Miss Universe Kosova 2022” dhe përfaqësoi Kosovën në garën “Miss Universe” të po atij viti.

Ndërkohë, në profilin e saj në rrjetet sociale, klinika vazhdon të figurojë me emrin “Aldentix Dental Clinic”, ndonëse në licencën e institucionit, sipas vendimit të Inspektoratit Shëndetësor, figuron si “Al-Dent Group Sh.p.k”.

Sidoqfotë, Inspektorati ka paralajmëruar masa të tjera ndëshkuese në rast të mosrespektimit të vendimit ose moseliminimit të shkeljeve të konstatuara.

Deri në publikimin e këtij artikulli, klinika nuk u është përgjigjur pyetjeve të Insajderit.

Lexo edhe:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark