×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeprokurori David Schwendiman: Thaçi nuk ka imunitet nga ndjekja penale

    Insajderi
    02 March 2016 - 08:59

    Kryeprokurori i Task Forcës Speciale për hetimin e pretendimeve të Dick Martyt, David Schwendiman ka thënë për Insajderin se presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka imunitet nga ndjekja penale.

    Schwendiman, ka thënë se zgjedhja e Thaçit të premten në krye të shtetit nuk ka kurrfarë ndikimi në hetimet e Task Forcës Speciale (SIFT).

    “Hetimi i ndërmarrë nga Task Forca Speciale vazhdon. Ky hetim nuk ndikohet nga votimi i së premtes”, ka thënë kryeprokurori, David Schwendiman në një bisedë për gazetën online Insajderi.

    Ai nuk i ka komentuar detajet e hetimit, me arsyetimin se Gjykata Speciale ende nuk është funksionalizuar.

    “SIFT nuk i komenton detajet e hetimit. Nuk komenton as politikat në rajon. Meqenëse Zyra nuk ekziston ende, është e papërshtatshme për mua që të them se çfarë do të ndodhë ose nuk do të bëjë Prokuroria Speciale në të ardhmen”, ka thënë ai.

    Schwendiman ka sqaruar se pse askush nuk ka imunitet nga ndjekja penale për akuzat që lidhen me krimet e luftës dhe krimet tjera që sanksionohen me ligjet ndërkombëtare.

    “Sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk ka imunitet për ata që kryejnë shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Kjo është bërë e qartë edhe në ligjin e Dhomave Speciale dhe Zyrës së Prokurorisë Speciale”, ka thënë ai.

    Schwendiman ka shtuar se pozita e tij si prokuror special e detyron të punojë me ligjin e Kosovës, përfshirë edhe Kushtetutën e Kosovës  si dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë dispozitat e mbi amnistinë dhe imunitetin.

    “Jam i sigurt që Prokurori Special do të zbatojë ligjin pa frikë apo favore, ashtu sikurse SIFT ka bërë në përmbushjen e mandatit të saj që prej krijimit të saj në vitin 2011”, është zotuar kryeprokurori, David  Schwendiman.

    thaci

    Presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi është duke u hetuar për krime të ndryshme përfshirë ato të luftës si kreu i ‘Grupit të Drenicës”.

    Për dyshimet që bien mbi të, nuk ka imunitet as me Kushtetutën e Kosovës. Këtë e ka bërë të qartë edhe Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e vitit 2012 në rastin e deputetit, Fatmir Limaj.

    Kushtetuesja ka thënë se imuniteti i Presidentit është imunitete funksionale për të siguruar që se “nuk do të pengohet në kryerjen e detyrave shtetërore që i janë besuar atij institucioni me Kushtetutë”.

    Ne paragrafin 122 të këtij Aktgjykimi, Gjykata ka thënë midis tjerash se, Presidenti nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tij/saj.

    Sipas këtij interpretimi kushtetues, Presidenti mund të arrestohet apo ndalohet vetëm pasi të shkarkohet, sepse ai më nuk është President, por qytetar i rëndomtë për të cilin vlejnë ligjet e zakonshme.

    Se presidenti nuk ka imunitet ka thënë edhe Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

    “Presidenti i Republikës gëzon imunitet funksional, por asgjë më shumë sesa kaq”, ka thënë Korenica për Insajderin.

    “Kjo do të thotë që Presidenti nuk gëzon imunitet penal për çështje që nuk janë fushëveprim i kompetencës eksplicite kushtetuese që ai/ajo e ushtron”.

    Korenica

    Korenica ka sqaruar se fushëveprimi i kompetencës se presidentit për të cilën kushtetuta njeh imunitetin praktikisht, është procesi i vendimmarrjes që Presidenti i Republikës ndërmerr për të kryer detyrat e tij të ngushta kushtetuese, shumica prej të cilave janë detyrime ceremoniale që presidenti ushtron si kreu i shtetit.

    “Imuniteti nuk e mbron atë nga asgjë përtej këtij kufiri”, ka thënë ai.

    Presidentë të shumtë shtetesh janë arrestuar e gjykuar për krime lufte.

    Midis janarit 1990 dhe majit 2008, 67 shefa shtetesh ose kryetar qeverish nga gjithsej 43 vende të botës janë akuzuar zyrtarisht ose akuzuar për vepra të rënda penale: 32 nga Amerika Latine, 16 nga Afrika, 10 nga Evropa, 7 nga Azia, dhe 2 nga Lindja e Mesme.

    Këta shefa shtetesh ose qeverish duke qenë në detyrë janë akuzuar për krime luftës nga gjykatat ndërkombëtare për krime të luftës dhe kundër njerëzimit: Charles Taylor, ish-presidenti i Liberisë; Jean Kambanda, ish-kryeministër i Ruandës; Slobodan Miloseviq, ish-president i Jugosllavisë, presidenti i Sudanit; Presidenti Omar al-Bashir dhe Muamar Gadafi, president i Libisë./Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark