×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kryetari i LDK-së, kryetarit të Kuvendit: Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet

    Insajderi
    07 September 2021 - 11:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se askush nuk mund t’i shtyjë zgjedhjet, dhe ta prekë demokracinë.

    “Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”, ka thënë Abdixhiku, shkruan Gazeta Insajderi.

    Prijësi i LDK-së, ka thënë se propozimi i tij për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigje nga kryetari i partisë së parë, Albin Kurti.

    “Këtë arrogancë edhe e pranoj – po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë”.

    Abdixhiku ka thënë se KQZ-ja është gati për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

    “Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”.

    Ai ka ftuar të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike “të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij”.

    Ndryshe, mbrëmë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se po të pytej ai do të shtyheshin zgjedhjet lokale.

    “Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, ka deklaruar ai.

    “Sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve mendoj që është kompetencë e presidencës. Por me sa di unë presidentja vendimin e saj e merr pas rekomandimit të IKSHPK’së”, ka shtuar tutje kryekuvendari.

    Konjufca ka thënë se s’do të duhej të lejohej mbajtja e fushatës zgjedhore para zgjedhjeve të tetorit, duke u pajtuar kështu me kërkesën e Abdixhikut, e cila nuk ka marrë ende një përgjigje nga Kurti./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark