×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kryetari i Zubin Potokut : Jam i gatshëm të jap dorëheqje

    Insajderi
    01 August 2023 - 18:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pas vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për nisjen e procedurave ligjore për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse ka premisa se këto zgjedhje do të dalin të suksesshme.

    Zeqiri ka thënë se interesi shtetëror dhe ai i qytetarëve është prioritet, prandaj ai është shprehur i gatshëm të përshtatet dhe të jetë përkrah çfarëdo vendimi që merr qeveria.

    “Unë jam i gatshëm të japë dorëheqje, nëse është prioritet interesi shtetëror, do të jem përkrah interesave të qytetarëve. Ky vendim megjithatë është i organeve të qeverisë dhe çfarëdo forme do i përshtatem”, ka thënë Zeqiri, për RTV Dukagjini.

    Ndryshe, të martën e 1 gushtit, kanë nisur procedurat ligjore për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

    Përmes një vendimi të lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është caktuar grupi punues për hartimin e udhëzimit administrativ “për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave”.

    Grupi punues përbëhet nga 11 anëtarë, derisa në vendim thuhet se në procesin e hartimit të projekt-udhëzimit administrativ mbështetet nga kabineti i Ministrit të MAPL-së, Zyra e BE-së në Kosovë, përfaqësues nga ambasadat e akredituara në Republikën e Kosovës dhe OSBE-ja.

    “Grupi punues është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Grupi punues duhet të finalizojë projekt-udhëzimin administrativ dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më datën 01 shtator 2023”, thuhet në njoftim.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark