×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Nusja jonë ma e mira”, reja e vëllaut të kryetarit të Zveçanit punësohet infermiere

    Insajderi
    22 March 2024 - 14:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dorentina Kurti, reja e vëllaut të kryetarit të Zveçanit, Ilir Pecit është rehatuar në punë nga pushteti që udhëhiqet pikërisht nga axha i partnerit të saj. Ajo është përzgjedhur në pozitën e infermieres.

    Gazeta Insajderi

    Në Komunën e Zveçanit me datën 7 mars 2024 ishte mbajtur testi me shkrim për pozitën Infermier. Ndërsa pas pesë ditësh janë publikuar rezultatet e kandidatëve të përzgjedhur në listën e ngushtë.

    E dyta në listën e ngushtë ishte kandidatja Dorentina Kurti me 61 pikë në testin me shkrim.

    Në njoftimin e komunës thuhej se kandidatët që kishin arritur 50 përqind të pikëve, ishin të ftuar për intervistë me gojë.

    Pas intervistimit me gojë, kandidatja Dorentina Kurti, gjithsej kishte arritur 70.5 pikë.

    Në mesin e tre të përzgjedhurve nga ky konkurs, Dorentina ka dal e dyta në listën për pozitën infermiere.

    Kush është Dorentina Kurti?

    Dorentina Kurti është reja e ardhshme e vëllaut të kryetarit të komunës së Zveçanit, Ilir Pecit, ani pse ajo nuk është ende e martuar me djalin e vëllaut të Ilir Pecit.

    Në një foto që ka siguruar Insajderi, Dorentina shihet në një drekë bashkë me familjen e partnerit të saj, më saktësisht me familjen e vëllaut të Ilir Pecit.

    Në mbishkrimin e fotos së shpërndarë nga kunata e Dorentinës, thuhet “Nusja jonë ma e mira”.

    Gazeta Insajderi, ka provuar të kontaktojë me kryetarin e Zveçanit, Ilir Pecin, se a ka pas ndonjë ndikim pozita e tij që e njëjta të përzgjidhet për infermiere, por Peci nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës.

    Po ashtu, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me vëllaun e Ilir Pecit apo vjehrrin e ardhshëm të Doruntina Kurtit, i cili ka mohuar mundësinë e ndonjë ndikimi, madje ai ka thënë se djali i tij nuk është ende i martuar.

    Ndërsa vetë Dorentina Peci ka qenë e paqasshme. /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark