Një ndërhyrje e rrallë kirurgjikale është realizuar me sukses në Repartin e Urologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku një pacienti i janë larguar tre gurë me përmasa të mëdha nga sistemi urinar.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, pacienti 54-vjeçar me inicialet B.S. iu nënshtrua një operacioni kompleks gjatë të cilit u hoqën tre gurë me dimensione të konsiderueshme: një gur në fshikëzën urinare me madhësi rreth 7.5 centimetra, një gur në ureter me madhësi rreth 4 centimetra dhe një gur në veshkë me madhësi nga 1.5 deri në 2 centimetra.
Ndërhyrja u krye nga ekipi i urologëve, Dr. Skender Hoxha, Dr. Armir Sejdiu dhe Dr. Fatmir Idrizi, me mbështetjen e ekipit të anesteziologjisë të udhëhequr nga Dr. Veton Pllana. Në ekip morën pjesë gjithashtu instrumentaret Shpresa Ademi dhe Diellza Halili-Ferati, si dhe teknikët e anestezionit Musa Kurti dhe Besarta Mehmeti.
Pas trajtimit dhe qëndrimit në repart, pacienti është liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore, thuhet në njoftimin e Spitalit të Mitrovicës.