Ashtu edhe siç paralajmëruan, tifo – grupi i klubit të Drenicës “Shqiponjat e Zeza”, autobusi me grupin e studentëve serbë që janë në Kosovë në kuadër të Universitetit Veror të Prishtinës nuk u lejua ta vizitonte Prekazin, shkruan Insajderi.
“Shqiponjat e Zeza” kanë thënë se nuk do ta lejojnë vizitën e tyre në Kompleksin Memorial ku prehen eshtrat e familjarëve dhe të komandantit legjendar Adem Jashari, që ranë heroikisht në përballje me forcat serbe.
Nga pamjet që ka siguruar Insajderi, autobusi me grupin e studentëve serbë që planifikohej që ta vizitonin Prekazin, vendin historik ku ranë dëshmorë komandant Adem Jashari me familje – u kthye nga kishte ardhur.
Adem Jashari dhe familja e tij simbol i lirisë së Kosovës
Në vitet e 90-ta, Familjea Jashari, ishte bërë objektivi kryesor i sulmeve të forcave ushtarako-policore serbe që ishin dislokuar në Kosovë. Adem Jashari nuk i ndërpreu për asnjë çast aksionet ushtarake kundër forcave policore dhe ushtarake serbe deri në rënien heroike të tij.
Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Adem Jashari me 21 anëtarët e familjes për tri ditë rresht u bënë rezistencë forcave serbe. Në shenjë solidariteti me rezistencën e familjes së Adem Jasharit iu bashkëngjiten edhe lagjja Jashari e Prekazit. Në këtë betejë të pa barabartë ndërmjet forcave serbe dhe familjes Jashari mbetën të vrarë 20 anëtarë të familjes Jashari dhe 34 anëtarë të lagjes Jashari nga Prekazi. Nga familja Jashari mbeti gjallë vetëm vajza e Hamëz Jasharit, Besarta.
Rënia heroike e Adem Jasharit me familjen e tij, ishte akt heroik dhe i padëgjuar në botë. Adem Jashari u bë simbol dhe frymëzim i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje për nderë të veprës së tij heroike Adem Jashari merr epitetin e Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ushtri vazhdoi rrugën deri në çlirimin e Kosovës, më 12 qershor 1999.