Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi sot nuk i është lejuar që ta vizitojë Beogradin. Bislimi është kthyer nga autoritetet serbe për ‘shkaqe sigurie’. I dyti i ekzekutivit, këtë të enjte do të merrte pjesë në një tryezë diskutimi për dialogun politik në Beograd.
Për ndalesën që iu bë Bislimit, për Gazetën Insajderi ka folur organizatori i konferencës, Dushan Janic.
Janic u shpreh i zhgënjyer me autoritet serbe teksa tha se me këtë veprim Serbia po tregon që nuk është e interesuar për paqe e negociata.
“Unë vetëm mund të përsëris atë çka z.Besnik Bislimi ka thënë që sipas arsyetimeve të autoriteteve serbe arsyeja e ndalimit ka qenë për ‘shkaqe sigurie’”, tha Janic.
Sipas tij, ky takim ishte mundësi e mirë për normalizim të marrëdhënieve mes të dyja palëve.
“Ne e kemi organizuar konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnik, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe të Perspektiva Evropiane”, por që nuk ndodhi. Ajo çka mund të them është që është shumë gabim ky qëndrim i Qeverisë së Serbisë, ata me të vërtetë kanë thyer mundësinë për dialog me Qeverinë e Kosovë, në kuptimin që njerëzit nga Kosova të mund të vijnë të sqarojnë pozicionet e tyre dhe për t’iu hapur mundësi autoriteteve serbe të vijnë për të komunikuar jo vetëm me serbët por edhe shqiptarët”, ka deklaruar organizatori i konferencës për Insajderin.
“Unë tani mendoj se me të vërtetë është krijuar një situatë armiqësore, dhe jam duke u brengosur me të vërtetë nëse Serbia është realisht e interesuar për paqe dhe negociata”, theksoi Janic.
Besnik Bislimi, si udhëheqës i bisedimeve me Serbinë në nivel të kryenegociatorëve, do të marrë pjesë në diskutimet me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”, në kuadër të Forumit për Marrëdhënie Etnike, thuhej në njoftimin e qeverisë, një ditë më parë.
Bislimi kishte në plan të qëndronte edhe të premten në Beograd për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Beogradit dhe do të ishte pjesë e panelit me temën “Kosova dhe Serbia – shmangia e rrugës pa dalje”.
Por, zëvendëskryeministri kosovar është kthyer në mes të rrugës nga autoritetet serbe. Ata i kanë thënë se vizita nuk mund të zhvillohet për arsye sigurie.
Tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë paralajmëruar se do të rriten për shkak të afatit të targave. Kjo pasi kryeministri, Albin Kurti nuk ka hequr dorë nga afati i fundit i datës 31 tetor për konvertimin e targave serbe.
Në lidhje me këtë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar sot me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Pas këtij takimi, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka deklaruar se Vuçiq iu ka garantuar mbështetje, duke thënë se Serbia do të qëndrojë pranë popullit të saj.
Sipas, Rakiqit presidenti serb ka thënë se nëse njësia speciale e policisë së Kosovës apo ndokush tjetër tenton të konfiskoj veturat serbe, ata do të përdorin të gjitha mjetet dhe do të rezistojnë në mënyrë paqësore, transmeton Insajderi.
“Prishtina investoi miliona euro për fushatën e targave, por serbët e njohin propagandën. Nëse ka veprime të dhunshme që kanë të bëjnë me konfiskimin e automjeteve, ne do t’i bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu, pastaj hyrjen në Kosovën qendrore në jug”, ka thënë Rakiq.
/GazetaInsajderi