
Lajmi se Sejdi Thaçi i zhdukur me 6 janar 1999 duke u arrestuar nga forcat paramilitare serbe është kthyer në Kosovë pas 17 vitesh, rriti shpresat e mijëra familjarëve të tjerë që presin për fatin e të pagjeturve gjatë luftës.
Por të dhënat nga Fondit për të Drejtën Humanitare tregojnë se Sejdi Thaçi ka jetuar dhe punuar në Beograd në një kompani dhe ishte larguar nga Beogradi në fund të vitit 1997 ose në fillim të vitit 1998.
Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, ka thënë për Insajderin se bazuar në të deklaratat e familjarëve të tij, ai është zhdukur në mes të janarit të vitit 1999, në Pejë, pasi kishin ikur nga lufta që po zhvillohej në fshatin Zajm të Klinës.
“Zotëri Sejdi Thaçi, ka qenë me vëllanë e vet në qytet, dhe situata e sigurisë ka qenë e keqe, dhe janë ndarë por nuk janë takuar më me të dhe nuk din për fatin e tij. Në deklaratë nuk ceket se është arrestuar ose diçka e tillë, por thjeshtë janë ndarë dhe familja nuk ka ditë asgjë për fatin e tij”, ka thënë Blakaj.
Edhe familjari tjetër i familjes, Skënder Thaçi i ka thënë Insjaderit, se axha i tij ka jetuar qysh si i ri në Beograd.
“Ky ka jetuar dhe punuar në Beograd, mirëpo kur i kanë nxjerrë prej punës këtu, këta e kanë larguar atje se ka qenë i sëmurë, dhe e kanë larguar. Më pas është kthyer në Kosovë dhe ka jetuar me neve. Por qysh prej asaj dite në janar të 1999-s ai është zhdukur”, ka thënë Skender Thaçi.
Sipas tij, Sejdi Thaçi qysh prej para një jave kur është kthyer tek familja e tij ka dhënë disa rrëfime për mënyrën e zhdukjes.
“Ai nuk ka memorie të mirë dhe i ndërron muhabetet. E humb kontrollin dhe i përzihen bisedat”, ka thënë Skënder Thaçi.
Lajmi për kthimin e Sejdi Thaçit si person i zhdukur në luftë dhe i marrë nga forcat serbe, ka ngjallur shpresat e shumta tek familjarët e më shumë se 1 mijë e 650 të pagjeturve sipas listës së Kryqit të Kuq.
Madje kishte marrë në intervista edhe drejtuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, i cili thoshte se ky “është lajm i mirë që ky person është i gjallë, por edhe një shenj që ekziston mundësia që ndonjë tjetër të jetë i gjallë”.
Madje ky lajm sipas stories së KlanK ka dhënë shpresa edhe tek familjarët e tjerë. Një nga ta, i thoshte televizionit se “tash ka shpresa edhe për familjet e tyre”.
Lajmi për kthimin e Sejdi Thaçit ishte bërë në mbrëmjen kur në sheshin “Zahir Pajaziti” të rinjtë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut YIHR në Kosovë së bashku me “Nisma Ime” organizuar një aksion për të kujtuar të pagjeturit, dita e të cilëve shënohet sot me 27 prill.
Sipas drejtueses së YIHR në Kosovë, Teuta Hoxha, ky lajm ka dhënë shpresa tek familjarët e tjerë.
“Gjatë raportimit për të pagjeturit duhet pasur shumë kujdes, sepse mund të ndikojë negativisht tek familjarët të cilët presin ndonjë lajm për familjarët e tyre. Sidomos kur lajmi bëhet pompoz dhe shpërndahet edhe nga mediet tjera”, ka thënë Hoxha. / Insadjeri.com